02,05,2024

Nisi ndërtimi 5 milionësh i Fabrikës së Ujit

Must Read

Ferizaj.20.09.2019

Më në fund, Sojeva, Dardania, Zllatari do të zgjidhin përfundimisht furnizimin me ujë të pijshëm kurse në Bibaj, Fshat të Vjetër, Talinoci i Muhaxherëve dhe një pjesë e Ferizajt do të bëhet shtimi në sasi dhe cilësi i furnizimit me ujë të pijshëm

Punimet për realizimin e projektit për ndërtimin e Fabrikës së Ujit në Talinoc të Muhaxherëve, filluan sot. Janë mbi 5 milionë euro që janë vënë në lëvizje për të realizuar këtë kryevepër infrastrukturore që i jep zgjidhje përfundimtare furnizimit me ujë të pijshëm të një grupi të gjerë fshatrash me mijëra banorë dhe qytetit të Ferizajt. Banorët e Sojevës, Dardanisë, Zllatarit do të zgjidhin përfundimisht furnizimin me ujë të pijshëm, kurse në Bibaj, Fshati të Vjetër, Talinoc të Muhaxherëve dhe një pjesë të qytetit do të bëhet shtimi në sasi dhe cilësi i furnizimit me ujë të pijshëm. Kjo falë mbështetjes direkte të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave që financuan e mbështetën këtë projekt, përmes marrëveshjes me qeverinë austriake, të cilin, në inaugurim të nisjes së punimeve doli ta shoh nga afër Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe drejtorët komunal.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu, falënderues e krenar për Kuvendin e Kosovës dhe Ministrinë e Financave, por edhe deputetëve nga Ferizaj që shtyn përpara këtë projekt, tha se ndryshe nga projektet e tjera milionshe, ky i sotshëm ka peshën e jashtëzakonshme dhe ndikimin masiv e shumëvjeçar në jetën e banorëve të gjithë Ferizajt. Ai, tutje shtoi se ky kryeprojekt, do të realizohet me dinamikë të lartë e standardet më të larta të ndërtimit.

“Ne kemi projekte të shumta, projekte madhore, unike dhe me vlera shumë të larta që janë duke u zhvilluar në Ferizaj. Por sot jam i lumtur që kemi një projekt të veçantë jo sa i përket rëndësisë së milionave, por të rëndësisë së veçantë për banorët e që rëndësi jetike ka uji. Më vjen mirë që kemi filluar sot dhe sipas kontratës brenda 18 muajve e sipas asaj që ne kemi biseduar me operatorin do të përfundohet më herët se 18 muaj për t’u përmbyllur cikli i investimeve që ka të bëjë me ujësjellësin për këto zona, por kjo nuk nënkupton që do të përfundoj vetëm për këto zona, respektivisht ky ujë do të përdoret vetëm për këtë zonë, duke përfshirë në radhë të parë Talinocin e Muhaxherëve, por mbi të gjitha do të kenë ujë të pijshëm, fshatrat që padrejtësisht kanë pritur gjatë, kanë pritur me dekada, bëhet fjalë për fshatin Sojevë, Dardani, Zllatar por sigurisht se do të inkoorporohet edhe Fshati i Vjetër dhe Bibaj pavarësisht se këto tashmë janë pjesë e rrjetit të ujësjellësit me furnizim nga KRU Bifurkacioni” tha Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Në anën tjetër, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, ndër kontributorët më të mëdhenj për këtë projekt dhe të tjera theksoi se synimet janë që të zgjerohet ky lloj investimi edhe përmes ndërtimit të ujëmbledhësit në Jezerc, ku ekzistojnë disa variante nga megaprojekti i Ibër-Lepencit.

“Dua të përgëzoj banorët e kësaj zone, Kryetarin e Komunës, drejtorët e Komunës dhe kryetarin e fshatit për këtë fillim të mbarë të këtyre punëve. Është e padiskutueshme që uji është shumë i rëndësishëm për qytetarët tanë dhe është i rëndësishëm për familjet tona. Pa ujë shumë nga nevojat është e pamundur të realizohen. Unë kam qenë deputet në legjislaturën e 6-të kur është votuar marrëveshja dhe përkundër asaj që kemi pasur mjaft probleme sa i përket kuorumit votues, kemi arritur t’i sigurojmë 2/3 e votave apo 80 deputetë që të votohet kjo marrëveshje dhe kemi përfituar si Komunë, në këtë aspekt kanë përfituar edhe qytetarët. Jam marr kohë të gjatë edhe me projektin e Lepencit, realisht Lepenci është gjysma e projektit që formalisht quhet Ibër-Lepenc por që Ibri ka përfunduar kurse Lepenci nuk ka filluar fare. Që nga viti 2008 jemi marr me atë projekt janë bërë tri studime të fizibilitetit, i fundit ende nuk i është prezantuar opinionit. Është varianti që të ketë tre ujëmbledhës, tri hidrocentrale, ujëmbledhësi i Gaçkës, Firajës, Jezercit dhe Carralevës. Është projekt shumë i madh, duhet investime të mëdha, parallogaria është diku rreth 600 milionë euro, mirëpo ne kemi variantin e mesëm, nëse nuk përshpejtohet projekti i Lepencit, por besojmë në qeverinë e ardhshme me vendosmërinë e zotit Veseli por edhe deputetëve që do të jenë pjesë e saj, me punën e angazhimin e kryetarit Aliu do të fillojmë në afat sa më të shpejt ta realizojmë, nëse vlerësojmë se do të shtyhet e kemi variantin që me kryetarin Aliu, me Kryeministrin e ardhshëm, Kadri Veselin do ta fillojmë me mbështetjen e qeverisë sonë ujëmbledhësin e Jezercit” tha deputeti Reçica i cili shtoi se Jezercit si qendër memoriale do t’i shtohet edhe ky megaprojekt si dhe zgjerohet investimi në përdorimin e resurseve natyrore e trashëgimisë kulturore në funksion të turizmit në Jezerc.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Policia rajonale e Ferizajt konfiskon motoçikleta dhe skuter pa dokumentacion të rregullt

Policët e Komunikacionit Rrugor dhe polcicët e stacionit të Ferizajt sot kanë zbatuar planin operativ " Motoçikleta dhe Trotineti...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img