16,11,2024

Nga e shtuna e ardhshme mund të nisë kompensimi i orëve të humbura, SBASHK-U kundërshton

Must Read

Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji ka mbajtur mbledhjen e radhës ku është diskutuar kompensimi i orëve të humbura nga greva e mësimdhënëseve.

Me këtë rast, nga ana e këtij komisioni është kërkuar se pavarësisht shpjegimeve, orët duhet të kompensohen dhe se duhet t’i jepet kohë sindikatës 1 javë që të ulet dhe të merr vendim për vazhdimin e mësimit dhe të shtunën e ardhshme të fillojë mësimi.

Këtë kërkesë e ka mbështetur ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, duke theksuar se në rast të mos respektimit të vendimit për kompensim do të merren të gjitha masat ligjore.

Kurse, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, fillimisht u shpreh i vendosur se kompensimi i orëve nuk do të ndodhë. Mirëpo, pastaj kërkoi që ministri të tërheq vendimin e tij, dhe pas diskutimeve në Këshill Drejtues të dakordohen të gjithë mësimdhënësit që në mënyrë humane dhe morale të merret vendimi a do të zëvendësohen orët.

Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi duke përmendur grevën në arsim që ka ndodhë tha se humbja e orëve, pavarësisht kompensimeve që mund të ndodhin, do të jetë jo e mirë për cilësinë e mësimit dhe vet nxënësit.

Përkundër kësaj, ai u shpreh i vendosur se si komision ata kanë konsideruar se ky kompensim duhet të ndodhë pavarësisht shpjegimeve që mund të gjenden.

Mes tjerash, ai kërkoi përgjegjësi për këto humbje, siç i cilësoi të mëdha.

“Ne si komision e kemi konsideruar se zëvendësimi i orëve të mësimit duhet të ndodhë pavarësisht shpjegimeve që dikush mund t’i gjejë, nëse mësimi nuk zëvendësohet po humbin nxënësit”, tha ai

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Shyqyri Bytyqi tha se kanë bërë gjithçka që greva mos të zgjasë, mirëpo nuk ka qenë në dorën e tyre që të rrisin koeficientet.

Sipas tij, mbas diskutimeve me të gjitha palët, kanë arritur të gjejnë modalitete që të kompensohen orët e humbura në formën që e kanë paraqitur në publik.

“Forma e shpërndarë, pesë ditë në vikende, pesë ditë në pushim pranveror dhe pesë ditë mbas përfundimit të mësimit ka qenë zgjidhja më e mirë, ne besojmë që është vendim i mirë”, tha ministri.

Ministri Bytyqi tha se ky vendim duhet të zbatohet dhe se në bazë të diskutimeve me gjithë drejtorët e DKA-së në të gjitha komunat kanë hasur në mirëkuptim se orët do të kompensohen.

Kurse, për gjithë ata që nuk e respektojnë këtë vendim tha se do të merret masat përkatëse.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari pati kritika ndaj anëtarëve të komisionit, sipas tij me anë të asaj që po kërkohet po mundohen të zbehin rolin e grevave.

Siç thotë Jashari, ligji i grevave tregon çka është greva, ai nuk parasheh që të kompensohen orët që kanë ndodhur gjatë grevave.

“Ju po doni që të ardhmen të zbehet roli i grevave, pse do të bëhet greva në të ardhmen, kur dihet që do të zëvendësohet orët, kjo është shkelje e të drejtave të njeriut”, tha ai.

Deputeti nga radhët e PSD-së, Driton Çaushi u shpreh me akuza të ashpra ndaj kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharit, duke i cilësuar të padrejta dhe arrogante deklaratat e tij se sindikata që e drejton ai, as nuk e ka ndërmend të kompensojë orët e humbura.

Ai pati një kërkesë ndaj tij, që të merret një vendim që si obligim moral të kompensohen orët.

Për deputeten e AAK-së, Teuta Haxhiu, të gjithë përfaqësuesit e Këshillit të Mësimdhënësve të Kosovës e kanë mbështetur vendimin që të kompensohen orët e humbura gjatë grevës.

“Thirrja e këtij takimi ka qenë që të gjendet një zgjidhje dhe të mbahet mësimi”, tha ajo.

Zgjidhje për zëvendësim të orëve kërkoi dhe deputetja e PDK-së, Luljeta Veselaj-Gutaj.

Mirëpo, përkundër deklaratave në fillim, kryetari i SBASHK, Rrahaman Jashari, kërkoi që fillimisht ministri të tërheq vendimin e tij dhe pastaj të thirret Këshilli Drejtues dhe në mënyrë morale dhe humane mësimdhënësit të vendosen që të kompensohen orët.

Kurse, ministri Bytyqi tha se vendimi është ligjor dhe në mënyrë vullnetare, ai kërkoi që SBASHK-u të deklarohet, e përkrah apo jo kompensimin e orëve.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Erion Veliaj: Ferizaj dhe miku im, Agim Aliu i bashkohen “Paradës së Shqiptarëve” më 28 Nëntor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”  

Bashkia e Ferizajt është e para që i është bashkuar “Paradës së Shqiptarëve” që do të mbahet në Tiranë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img