Në komunën e Ferizajt rrallë hasen persona me aftësi të kufizuara që janë të punësuar nëpër institucione publike e private, gjë e cila po krijon pabarazi në shoqëri. Kështu u tha gjatë një debati me asamblistë, të organizuar nga shoqata HANDIKOS, ku u prezantua draft-plani i veprimit për punësim të personave me aftësi të kufizuara në komunën e Ferizajt.
“Në komunën e Ferizajt HANDIKOS së bashku me OPDMF-në kanë bërë një hulumtim sa i përket punësimit të personave me aftësi të kufizuara në komunën e Ferizajt dhe ai hulumtim ka nxjerr disa të dhëna ku tregojnë se gjendja e punësimit të personave me aftësi të kufizuara lë për të dëshiruar dhe ajo çka ka qenë befasi në atë hulumtim, ka qenë që janë pikërisht institucionet komunale lokale ato të cilat nuk e përmbushin rregullin nga 50 të punësuar 1 person me aftësi të kyfizuar ashtu siç e parasheh edhe vet ligji”, tha Albana Zogu, hartuese e draft-rregullores.
Kurse asamblistët, nga të cilët u kërkua që ta votojnë këtë draft-rregullore kur të dalë në Kuvend, thanë se do të apelojnë që ndër të tjera, personave me nevoja të veçanta t’iu mundësohet qasja nëpër institucione.
“Ne duhet të punojmë të gjithë që t’i zbatojmë këto pika që janë në draft, unë kisha kërku që të vazhdohet me qasje të personave me aftësi të kufizuara, pasi ka ende nevojë që në institucione publike si banka, markete të mëdha, që personat me aftësi të kufizuara nuk mund të qasen dhe do të ishte mirë të punohet në këtë drejtim”, tha Fadil Halili, asamblist i KK.
‘‘Nëse arrijmë që 70% me zbatu këtë plan po besoj se do të jetë i kënaqshëm, mbështetetjen tonë do ta keni kur të vie për aprovim ky draft”, tha Enver Halti, asamblist i KK.
Për mungesën e kushteve infrastrukturore për personat me aftësi të kufizuara shqetësim shprehen edhe zyrtarë të Qendrës për Punësim dhe ata të shoqërisë civile.
“Ne si institucion aktivitet e kemi edhe hulumtimin e tregut të punës, ku unë kam hasur në shumë kompani private që e kanë problemin e infastrukturës, ku personat me aftësi të kufizuar që në fillim u duhet qasja në vendin e punës gjë që mungon nëpër biznese”, tha Valbona Sojeva nga Qendra për Punësim.
“Kisha sugjeruar që kur të jepen tenderat apo lejet ndërtimore me u vendos si kriter edhe çështja e qasjes, bizneset janë të interesuar të punësojnë persona me aftësi të kufizuara, por nuk kanë kushte infrastrukturore, prandaj duhet ta mendojmë që të obligohen bizneset private edhe shtetërore me i pas qasjet për këta persona që nga fillimi me i pas liftet, ka gati një vit që nuk funksionon lifti në objektin e komunës dhe një person me karrocë nuk mundet të shkoj t’i kryej obligimet që ka ndaj shtetit”, tha Arbenita Topalli, INPO.
Plani i veprimit për punësim të personave me aftësi të kufizuara i cili pritet të shkoj për miratim në Kuvendin Komunal, është financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës dhe nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.