15,05,2024

Banorët e Slivovës kërkojnë zhbllokimin e rrugës

Must Read

Dhjetëra banorë të fshatit Slivovë dhe Koshare të komunës së Ferizajt, ka disa vite që për të shkuar në arat e tyre duhet të kalojnë nëpër prona private, edhe pse aty ekziston rruga publike, mirëpo një gjë e tillë u është pamundësuar për shkak të bllokimit të rrugës nga punimet që ishin bërë për instalimin e rrjetit të kanalizimit në fshatin Dramjak. Banorët e Slivovës dhe Koshares thonë se nuk po kërkojnë asfaltimin e kësaj rruge, por vetëm duan hapjen e saj në mënyrë që të mos kalojnë nëpër prona private. Sipas tyre, nëse nuk ndërmerren masa për hapjen e kësaj rruge, konfliktet mes banorëve do të jenë të pashmangshme për shkak të dëmit që po u shkaktohet këtyre pronave nga kalimi nëpër to.

“Prej që e kanë instalu kanalizimin për Dramjak kjo rrugë më nuk ka funksionu, nuk është shumë e gjatë, 700 metra, tash po jemi të detyruar që me kalu nëpër prona private, rruga është blloku, ne nuk jemi duke lyp asfalt, por vetëm me u zgjeru apo me u bë e kaluar siç ka qenë”, tha Bajram Hazha.

“Kjo rrugë prej vitit 2011 si e kanë instalu kanalizimin më nuk ka funksionu asnjëherë, banorët po detyrohen të shkojnë nëpër ara private, kjo rrugë ka qenë e kalueshme më herët, por kur  e kanë instalu kanalizmin për Dramjak na e kanë prishur, prandaj ne po kërkojmë siç e kanë prishur le ta ndreqin”, tha Vehbi Murtezi.

“65 vjet i kam qetu, edhe prej Prishtinës, Tërrnit, Rashincës kanë ardhë me blu në Nerodime përmes kësaj rruge, por prej se e kanë instalu kanalizimin në Dramjak kjo rrugë është bllokuar, na kanë premtuar disa herë, por secili që po vjen vetëm setrat po i ndërrojnë e i njëjti sistem po mbetet”, tha Sabit Salihu.

“Që 10 vite kjo rrugë është e pakalueshme, prej që është  instalu kanalizimi ne po duhet me i punu arat me shku nëpër rrugë tjera, nëpër oborre të shtëpive, kjo rrugë ka qenë e kalueshme kanë ardhur nga gjithkah me blu në Nerodime, por tash është mbyllur, po prishet gruri, misri se nëpër  rrugën kryesore nuk po mundemi me kalu, ne nuk po lypim asfalt, por vetëm me e hap e me u bë e kalueshme”, tha Halil Murtezi.

Në anën tjetër, drejtori i Infrastrukturës Arbër Bytyqi, tha se nuk është në dijeni për problemin e këtyre banorëve, mirëpo do të shikojnë se çka mund të bëjnë në këtë aspekt.

“Unë nuk jam i njoftuar për problematikën që e kanë banorët e kësaj pjese, por gjithsesi ne si Drejtori e Infrastrukturës së bashku me Drejtorinë e Shërbimeve Publike do të shikojmë mundësinë e zgjedhjes së problemit të këtyre banorëve ose do të shikojmë mundësinë që përmes projektit asfaltimi i rrugëve në Slivovë që do të vazhdojë vitin e ardhshëm do të shikojmë të gjitha alternativat që t’u bëjmë zgjidhje, personalisht do të dalë në vend të ngjarjes dhe të shoh çka është problemi dhe pastaj të ndërmarrim masa për zgjidhjen e problemit”, tha Bytyqi.

Banorët thanë se kjo rrugë e cila njihet si “Rruga e Mullirit”, lidh disa fshatra të kësaj ane.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vëmendje: Ata që nuk regjistrohen do të gjobiten nga shteti

Ligji Nr. 08/L-114 për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, në nenin 23 parasheh sanksione kundërvajtëse me GJOBË...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img