25,12,2024

Në Kalabri, një koloni artistike si ballafaqim i artit italian e atij shqiptar

Must Read

Në qytetin e Kalabrisë Santa Severina po qëndrojnë disa artistë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët janë ftuar nga skulptori Hevzi Nuhiu për të punuar 15 ditë, me qëllim të kurorëzimit të një ekspozite të përbashkët. Ekspozita ka për qëllim ballafaqimin e artistëve italianë me ata shqiptarë. Pranvera Sylejmani, Ilir Muharremi, Afrim Spahiu, Agim Kryeziu, Agron Mulliqi, Emin Shaqaj, Gjin Musa, Hevzi Nuhiu, Musa Kalaveshi, Nasuf Miftari, Sali Shkupolli, Skifter Nuhiu dhe Verona Ahmeti do të shprehin ndjenjat, imagjinatën dhe përshtypjet për qytetin mesjetar Santa Severina që ndodhet në jug të Kalabrisë.

Shqiptarët shprehin më shumë përshtypjet ndaj këtij qyteti derisa italianët anën personale të tyre.

Danilo Montenegro – artist italian, tekstshkrues e këngëtar, në ekspozitë paraqitet me performancë dhe me pikturë. Krijon një koreografi lëvizjesh, vijash, ngjyrash gjarpërore, realitete sociale, por edhe ëndërrore. Gjejmë edhe fotografi të vjetra të vendosura në pëlhurë të përthyera nga ravijëzimet dhe shëmbëllimet që paravendosen dhe shpërndahen më pastaj në tërë kompozicionin.

Emin Shaqja, peizazhist, sjellë freski ngjyrore, foviste herë ekspresive duke krijuar relieve të mugëta figurash, hapësirash humane, që vërtetë kanë përthyerje shpirtërore. E verdha shtrihet e copëzuar matanë fushave, e gjelbërta, portokallia, e kafta, janë tejet lirike dhe poetike, sikur je në një ëndërr të lumtur dashurie. Ngjyrat nuk e tejkalojnë këndelljen, lirinë, paqen, butësinë apo ëmbëlsinë, ato bëhen mbret i lojës dhe i imazhit.

Te Artisti Avni Behluli syri ndjek një vargan vijash, por edhe ngjyrash. Në njërin prej kompozicioneve vërejmë një kambanë dhe kokën e kalit i cili tenton ta imitojë tingullin dhe nga goja e tij del një melodi. Koka e kalit na vjen sikur ajo tek skicat e Da Vinçit dhe tek ky akril në pëlhurë kemi pamje poetike. Vijat dhe ngjyrat jo vetëm shihen, por edhe nuhaten, artisti krijon një peizazh të rrumbullt, tokë, arkitekturë dhe në plan të parë figurë futuriste të kalit.

Sali Shkupolli, në kanavacë paraqet dyert, por jo atë portës së ferrit, ose rrugën e tmerrshme drejt Hadit, të mundimshme, me flakët e ferrit ku e kuqja përfaqësonte shkatërrimin, djegien, djallin dhe ferrin. Në këtë derë bie mallkimi, veçohet pjesa simetrike, e matur dhe precizuar mirë, dhe qëndron në mesë të kompozicionit.

Afrim Spahiu, fotograf i peizazhit, paraqet pamjet e qytetit, plot dinamikë, energji në të cilën gërshetohet qielli, arkitektura dhe fryma. Mirëpo, frymëmarrjen, reflektimin estetik e ndjemë te peizazhi dramatik i Spahiut. Arkitekturën mesjetare të Kështjellës së qytezës Santa Severina, përveç bukurisë së imazhit arkitektonik, e gjejmë edhe dimensionin e tretë, perspektivën qiellore, por edhe dritën natyrale e cila krijon një lojë dhe zhvillim.

Pranvera Sylejmani, penelin mundohet ta vendosë spontan, por ai është i zhdërvjelltë, në një pjesë çliron dritën, kurse në tjetrën hijen, por edhe kontrastin. Koloriti është i çiltër te peizazhi abstrakt, te pjesa e tokës vërejmë sforcim të ngjyrës së gjelbër.


Hevzi Nuhiu, skulptor nga Kalabria, shprehë shpirtëroren dhe metaforikën, duke e shkrirë figurën e femrës në lis e lisin në njeri.

Agron Mulliqi – piktor kuadron rrugicat, shtëpitë, jo ashtu siç janë, por me elemente të postmodernitetit (vija, forma dhe ngjyra), dhe arti vërtetë na del shumë subjektiv duke mos e anashkaluar realen. / KultPlus.com  

- Advertisement -spot_img
Të fundit

KESCO kërkon që të kursehet energjia elektrike: Gjatë natës ndalni kondicionerët, bojlerët e ngrohëset me rrymë

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka bërë apel gjithë qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike. Margarita Rashiti,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img