03,07,2025

Në hollin e Kuvendit ekspozohen dy piktura të piktorit Haki Xhakli

Must Read

Me iniciativën e deputetit Elmi Reçica, sot në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë ekspozuar dy piktura të piktorit Haki Xhakli, në të cilat trajtohet tema e të pagjeturve dhe ajo e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Gjatë fjalës së tij, deputeti Elmi Reçica çmoi lart figurën e profesorit Haki Xhakli, duke vlerësuar se pikturat kanë nivel të lartë artistik.

Duke e cilësuar si rast të veçantë ekspozimin e tyre në ambientet e Kuvendit, deputeti Reçica tha se ato pasqyrojnë historinë e luftës sonë të fundit.

“Unë si deputet i kam parashtruar një kërkesë Kryesisë së Kuvendit, e cila e ka miratuar atë. Këto dy vepra, shumë të çmuara dhe shumë domethënëse, janë pasqyrim i një historie të cilën e kemi kaluar. Nëpërmjet tyre, dëshmohet se kush është vrarë, masakruar dhe dhunuar”, theksoi Reçica.

Duke e falënderuar Kuvendin që ka lejuar ekspozimin e punimeve të tij, piktori Haki Xhakli tha se ekspozita trajton të pagjeturit dhe gratë e dhunuara, tema këto që sipas tij, preokupojnë shoqërinë tonë.

“Në këto piktura kam paraqitur ndjenjën time për gratë e dhunuara gjatë luftës, brengë e imja kjo, e cila më ka shtyrë deri te realizimi i tyre. Unë besoj fuqishëm që të gjithë do të angazhohemi që të pagjeturit të vijnë në shtëpitë e tyre”, theksoi Xhakli.

Edhe deputetja Blerta Deliu-Kodra punimet e cilësoi të një rëndësie të veçantë, për shkak, siç tha ajo, temave të trajtuara, duke kërkuar gjithashtu që këto tema të trajtohen edhe më tej nga politika e Kosovës.

“Viktimat e dhunës seksuale dhe të pagjeturit preokupojnë shoqërinë kosovare, prandaj duhet të kontribuojmë që këto tema të trajtohen edhe më tutje nga politika në Kosovë”, theksoi ajo. ​

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka hapur sot konkursin për pranimin e studentëve të rinj në nivelin bachelor dhe master për...

Në këtë vit akademik në nivelin bachelor, do të pranohen 420 studentë të rregullt, prej të cilëve 50 vende...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img