Hani i Elezit nuk ka raste të konfirmuara me koronavirus, mirëpo në këtë komuna dhjetë persona janë vetizoluar.
Kryetari i kësaj Komune, Rufki Suma, ka treguar se numri i të ardhurve nga Italia, vendi me numrin më të madh të të prekurve me koronavirus në Evropë, që kanë hyrë në këtë komunë është 8 persona.
Ai ka sqaruar se një person tjerër ka ardhur nga Zvicra dhe një nga Hungaria.
“Në komunën tonë janë 8 persona që kanë ardhur nga Italia, një nga Zvicra dhe një nga Hungaria, por të cilët pas kontrollit në pika kufitare nuk kanë shenja të koronavirusit, dhe tashmë janë në izolim. Ata janë në vetizolim dhe. po monitorohen nga policia dhe mjekët nëse po i përmbahen vetizolimit”.
Suma është shprehur i shqetësuar për menaxhimin e pikës kufitare me Maqedoninë, i cili ka thënë se po detyrohen mjekët e QKMF-së të kryejnë kontrollet për të ardhurit përmes kësaj pike kufitare.
“Problematikë është që mjekët e QKMF-së po detyrohen të kryejnë kontrolla në pikën kufitare me Maqedoninë dhe ne si komunë po mbesim pa mjekë, kufiri nuk është vetëm i Hanit të Elezit”.
“Sipas informacioneve që kam, pas kontakteve me nivelin qendror edhe Ferizaj po na ndihmon, por do të duhej që niveli qendror ta menaxhonte këtë situatë e jo ne të detyrohemi ta koordinonim këtë situatë”, ka thënë ai për EO.
Suma ka treguar se kanë bërë dezinfektimin e hapësirave publike dhe objektit të komunës dhe QKMF-së.
Deri më tani në Kosovë janë të konfirmuara 20 raste me koronavirus.