Në Gjakovë nëpër qendër të këtij qyteti marshuan sot pjesëtarë të shoqërisë civile dhe qytetarë duke kërkuar zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit.
Marshuesit kërkuan edhe dorëheqjen e përgjegjësve për vdekjen e ish-aktivistit të “Vetëvendosjes” që po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit me granatëhedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Veprore Shehu nga Organizata “Medika Kosova”, duke iu drejtuar të pranishmëve tha se Astrit Dehari vdiq “aty ku duhej të ishte më i sigurt se kudo tjetër në rrethana të pasqaruara”.
Ajo më tutje deklaroi se organizata që përfaqëson merret me ndriçimin e krimeve të kohës së luftës, ndërsa nuk e kishte menduar se do të protestojë edhe për një vdekje të kohës së tashme.
“Nuk e kam mendu se do të vijë koha të kërkojmë drejtësi edhe për një të ri që vdiq në kohën e ashtuquajtur të paqes,” tha Shehu.
Të pranishmëve në marshin protestues iu drejtuan edhe përfaqësues të organizatave tjera organizatore të kësaj ngjarjeje.
Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor, ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore gati dy javë pas vdekjes së tij, atë e konsideroi vetëvrasje.
Të njëjtën ditë me raportin e publikuar nuk u pajtua Lëvizja “Vetëvendosje”.
Shoqëria civile kërkoi hetim ndërkombëtar për vdekjen e Deharit, ndërsa Ministria e Drejtësisë i kërkoi të kryejë këto hetime Policisë Metropolitane Britanike “Scotland Yard”, por u refuzua prej saj.
Përveç në Gjakovë, protesta ku kërkohet drejtësi për Deharin janë mbajtur edhe në qytete tjera
.