03,05,2024

Nazmi Ukësmajli, Dëshmori i parë në Zonën e Nerodimes

Must Read

Jezerci, foleja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aty, më 19 korrik 1998 ishte zhvilluar beteja e parë e luftës. Biri i Kosovës, Nazmi Ukësmajli, kishte ardhur nga kurbeti veshur me uniformën e ushtarit të lirisë. Shokët e lutën të pushonte atë natë në shtëpi, të çmallej me nënën dhe babanë, me motrat e vëllezërit, të cilët nuk i kishte parë 20 vjet.

Arbër Svarqa dhe Triumf Pasjaqa

“Jo”, tha trimi, “ta kryejmë njëherë aksionin, e pastaj vijmë e darkojmë në shtëpi”. Si shqiponjë, me komandant Ymri Ilazin-Ferrin, u nisën në betejë.

Te vendi i quajtur “Bashkimi i lumenjve në Nerodime, armiqtë e kishin ngritur pritën. Rruga ishte barrikaduar me gurë e drunj. Nazmiu doli që ta hapte rrugën, që t’i hapte shtigjet e lirisë. Breshëritë e automatikut shpërthyen si shiu. Beteja filloi. Si luan luftonte vullkani sypatrembur, Nazmi Ukësmajli.

Dhiaret e rrugës “Via Egnatia” asnjëherë s’e kishin tradhtuar. Atë natë, nuk arriti të dalë në breg. Armiqtë ishin trefish më shumë në pusinë e zezënatës. Ra Nazmiu si një lis vigan, si një rrap. U plagos edhe komandant Ferri. Gjethet e drunjve vesonin lot. Gjaku i lirisë po e skuqte asfaltin. Jehu i kushtrimit po përhapej maleve. Bijtë e ishullit ilirik po i shembnin shekujt e robërisë.

Ky ishte dëshmori i parë i lirisë në luftën e UÇK-së në zonën e Nerodimës.

Armiqtë e morën trupin e dëshmorit. Tri ditë më vonë, nga morgu i spitalit të okupuar të Prishtinës, atë e morën disa nga veprimtarët ferizajas: Hyzri Beqiri-Varoshi, Sahit Salihu, Destan Ukësmajli dhe Xhemajl Ukëzmajli.

Kur u bë varrimi i tij, më 22 korrik 1998, në vendlindje, ai rilindi përsëri. Fjalën lamtumirëse e mbajti ushtari e reporteri i luftës, Rizah Reshani.

Nën ushtimën e helikopterëve të armikut dhe nën breshërinë e granatimeve, te “Bashkimi i lumenjve”, sërish zhvillohej beteja. Atë ditë, Labinoti, Bajrami, Gurseli, Gjoni, Kemajli, dhjetëfish ia morën hakun Nazmiut. Forcat serbe u kthyen të turpëruara. Jezerci po hynte në kujtesën e kombit. Çdo ditë në Drenicë, Dukagjin, Llap, Karadak, Shalë, Pashtrik, Shalë e Bajgorë, po lindin plot maratonomakë të lirisë. Amaneti i Adem Jasharit po përhapej tej e tej Dardanisë.

(Informatat për dëshmorin Nazmi Ukësmajlin dhe ‘Betejën e Jezercit’ janë marrë gjatë intervistës me Rizah Reshanin, profesor, i burgosur lufte, gazetar, ushtar dhe reporter i luftës në Zonën e Nerodimes.)

*Arbër Svarqa dhe Triumf Pasjaqa janë studentë të Degës së Gazetarisë së Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Dënohet shoferi i autobusit që bëri tejkalim në vijë të plotë në Ferizaj

Nga 3 prilli 2024, në Kosovë ka nisur së zbatuari Ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor, i...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img