Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se procesi i riformatimit të Qeverisë, do të fillojë pas Demarkacionit me Malin e Zi.
Ai ka thënë se janë duke diskutuar me partnerët e koalicionit për mënyrat e riformatimit, por bëri të ditur, se kjo çështje nuk do të kryhet para 1 shtatorit, pasi është koha e pushimeve.
Ai është shprehur i bindur se me të përfunduar çështja e Demarkacionit, do të kryhet edhe riformatimi.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se deri më 1 shtator, kur Demarkacioni me Malin e Zi të dërgohet në Kuvend, do të shfrytëzojnë kohën dhe të komunikojnë me opinionin, në mënyrë që të ketë sa më shumë informata, që me këtë marrëveshje, Kosova nuk humbë asnjë pëllëmbë tokë. Por, shprehet i bindur se më 1 shtator, Demarkacioni do të jetë i përfunduar.
Sipas tij, Komisioni Shtetëror për shënjimin e vijës kufitare ka ofruar të gjitha dëshmitë, pa marrë parasysh, çka thonë të tjerët.
“Janë të pakuptimta insistimet e njerëzve në këtë temë. Pres që deputetët ta votojnë, sepse nuk ka arsye që Kosova të mos ketë kufijtë ndërkombëtar”, deklaroi kryeministri.
Ai thotë se nuk do të rrezikojnë që qytetarët të mbesin të mbyllur, pasi Demarkacioni është një ndër kriteret për liberalizimin e vizave.