Që nga marsi vazhdojnë mungesat e targave të automjeteve. Ministria e Brendshme thekson se së shpejti do të gjendet zgjidhje, por qytetarët vazhdojnë të ankohen. Me tabelat e përkohshme që marrin, nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit, me përjashtim të Shqipërisë, ku mund të shkonin gjatë sezonit turistik.
Mungesa e targave ka ardhur si rezultat i skadimit të kontratës së kompanisë për furnizim me targa, lënda për përzgjedhjen e kompanisë është në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Ndërkaq, përkundër insistimit tonë për një përgjigje se kur do të zgjidhet kjo çështje e tejzgjatur nga Ministria e Brendshme, thanë se qytetarët janë njoftuar përmes një komunikate e cila është dërguar në muajin korrik.
Nga ana tjetër qytetarët ballafaqohen me probleme nga më të ndryshme për shkak të mungesës së targave.
Ata thonë për Radio Kosovën se atyre po u cenohet e drejta e lëvizjes së lirë. Me targa të përkohshme qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit, por për shkak të sezonit të verës, në marrëveshje me shtetin shqiptar, qytetarët kanë mundur të shkojnë vetëm deri në Shqipëri.
“Jashtë shtetit nuk po na lejojnë. Ne kemi qenë deri në Shqipëri për shkak të sezonit, por në Mal të Zi nuk na lejuan,sepse nuk i njohin targat provë”.
Problem tjetër është edhe ç’lajmërimi i automjeteve me targa të përkohshme për shkak se Qendra për Regjistrimin e Automjeteve nuk e bënë një gjë të tillë për shkak të tabelave që vetë i lëshon të përkohshme thotë për Radio Kosovën Besim Mehana, i cili merret me sigurime.
Ndryshe përmes komunikatës për media të lëshuar në muajin korrik Ministria e Brendshme sqaron se në mungesë të targave të rregullta në Agjencinë për Regjistrim Civil, të gjithë qytetarët mund të pajisen me targa provuese të përkohshme deri në përfundimin e procesit të prokurimit për furnizim me targa civile.
Përmes një njoftimi, Ministria sqaron se aktiviteti i prokurimit ka qenë i shpallur në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik sipas procedurës së hapur dhe pas përfundimit të vlerësimit, ky aktivitet është anuluar me datën 20 tetor 2015, sepse asnjë operator nuk ka përmbushur kërkesat sipas standardeve të kërkuara nga Ministria e Brendshme./rtk