Në këtë video, shihet vendosja e kryqit në objektin e papërfunduar në oborrin e Universitetit të Prishtinës që serbët e quajnë “Kisha e Svetog Spasa”, transmeton lajmi.net.
Këtu shihet se si kryqi i praruar në ar, vendoset me një vinç mbi “kishë”, derisa vendi është i siguruar nga forca ushtarake.
Në kohën kur u vendos kryqi, në shumë zona të Kosovës po zhvilloheshin luftime të ashpra ndërmjet forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kjo tregon se qëllimi i pushtetit të atëhershëm serb ka qenë që kjo “kishë” të finalizohet sa më parë, duke e ditur se nuk do të mundin gjatë ta mbanin Kosovën e okupuar.
Ditëve të fundit, disa serbë nga Manastiri i Graçanicës, të mbështetur edhe nga zv/kryeministri serb në Qeverinë e Kosovës, Branimir Stojanoviq, kanë nisur kinse rregullimin dhe pastrimin e këtij objekti, më mënyrë që të mbajnë meshën e parë.
Mbajtja e meshës do të thoshte edhe legjitimim të këtij objekti ilegal në oborrin e Universitetit të Prishtinës.
Komuna e Prishtinës ka reaguar vetëm dje, duke ndërprerë punimet. /Lajmi.net/