26,12,2024

Miti,kompleksi dhe alergjia shqiptare ndaj ambasadorëve!?

Must Read

 

Shkruan: Besim ZYMBERI

Ambasador, është vërtetë titull me tingëllimë aristokratike.

Në shekullin 19-të dhe në gjysmën e parë të shekullit 20-të, ministrat e jashtëm të Evropës, apo edhe kryeministrat, sa herë dilnin jashtë vendit të tyre për qëllime përfaqësuese, quheshin, ambasadorë. Kishte edhe raste kur ministri i jashtëm quhej ambasador.

Ambasador, është një titull që të vë prapa edhe pronësinë e shtetit tënd në një shtet tjetër. Madje edhe territorialisht.

Ambasada me ambasador, është një mënyrë shumë elegante në dukje (në praktikë nuk ndodh shpesh kështu) që secili popull, ta ketë shtetin e tij në një shtet tjetër, pa cenuar asgjë nga sovraniteti.

Por, pse shqiptarët të kenë një mit, kompleks dhe alergji kaq të shprehur ndaj ambasadorëve…?

Historia, jo edhe e largët, mbase mund të na japë disa shpjegime.

Në vitin 1878, në Berlin u mbajt një tubim që u quajt-Kongresi i Berlinit. Ideja e tij shprehimore ishte: sigurimi i paqes në Evropë e më gjerë!

Shtetet që morën pjesë në Kongresin e Berlinit,  dërguan përfaqësuesit e tyre, që u quajtën ambasadorë. Ata ambasadorë, me gërshërë në duar, e gjymtuan fare Shqipërinë në llogari të fqinjëve të saj grabitqarë. Si pasojë, agonia 500 vjeçare e shqiptarëve, u rrit në një traumë të trishtueshme nga frika e shfarosjes totale si popull e kulturë.

Si të mos mjaftonte Kongresi i Berlinit, 34 vjet më pas, u mblodhën prapë bashkë ambasadorët e Evropës e Rusisë. Kësaj radhe në Londër. Edhe formalisht, kjo mbledhje ka rrjedhur në histori me tërë tragjiken e saj antishqiptare si: Konferenca e Ambasadorëve në Londër.

Dihen pasojat. Shqiptarëve iu pranua një shtet i gjymtë, vetëm në 30 % të territorit etnik të tyre. Sa për gjentilencë, ambasadori anglez atëbotë, u kishte shprehur keqardhje shqiptarëve, për “domosdonë e flijimit të tokave të tyre, në shërbim të paqes në Evropë!”

As kjo nuk është e tëra. Në vitin 1915, ambasadorët u mblodhën prapë në Londër. Por, kësaj radhe fshehur. Morën vendime vërtetë të tmerrshme. Edhe Shqipërinë e Londrës së vetëm 3 vjet përpara, vendosën ta ricopëtojnë. Trishtim i vërtetë ishte një marrëveshje që, vetëm në 6 mijë km katrorë, ta lënë një Shqipëri me emrin antihistorik: Republika Islamike Shqiptare! Rrodhën si rrodhën gjërat dhe “kreativiteti” i shëmtuar i ambasadorëve të Londrës 1915, nuk u jetësua, fatmirësisht.

Ambasadorët u mblodhën prapë në Versajë, më 1919. Mezi u pajtuan për vazhdimësinë e Shqipërisë londineze, duke shquar këtu presionin pozitiv nga SHBA-ja. Por, Ambasadorët e Versajës, dëgjuan francezët, për ta krijuar Jugosllavinë, apo një fuqi të rritur shfarosëse kundër shqiptarëve.

Ambasadorët u mblodhën shpesh edhe më vonë. Vendimet e tyre mbetën pothuaj të njëjta, deri në vitin 1999.

Në vitin 1999 u mor një vendim i drejtë për shqiptarët. Në të vërtetë, ishte i paraprirë edhe nga disa vendime politike të një apo dy dekadave më parë, të sponzoruara kryesisht nga SHBA-ja.

Pas vitin 1990 në Shqipëri dhe pas vitit 1999 në Kosovë, por edhe në Maqedoni, në skenë janë prapë ambasadorët. Por, tani me një fytyrë tjerë, me një mision tjetër.

Megjithatë, edhe në këtë kohë, ambasadorët tingëllojnë sikur dalin shpesh nga thirrja e tyre formale. I kemi parë të na mësojnë për sidën, për përdorimin e kondomëve, organizmin e familjes, mënyrën se si duhet të ecim në rrugë, e shumë gjëra tjera, lirisht mund ta them, jo-ambasadoriale. Port, i kemi parë edhe drejtpërdrejt me ndikim në vendimet më madhor shtetërore-politike. Dhe, i kemi parë në pozicione apo veprime publike edhe jashtë-protokollare. I kemi parë të ushtrojnë ndikimin e tyre tek secili kryetar partie, tek secili deputet, kryeministër a ministër.

Jemi në pozitë tjetër tani dhe shumë prej ndërhyrjeve të tilla, edhe na duhen. Sepse, nuk janë më këta ambasadorë, si ata të Berlinit, Londrës e Versajës dikur, ndonëse vijnë nga të njëjtat shtete. Janë ambasadorë të akredituar në Shqipëri e Kosovë, që shfaqin pikëpamjet e qeverive të shteteve të tyre, pa qenë më rrezik për sovranitetin territorial. Madje, tash ndodh e kundërta. Ambasadorët perëndimorë veçanërisht, në emër të shteteve që përfaqësojnë, janë garantues të sovranitetit!

Disa prej shpërfaqjeve ambasadoriale në Kosovë, ndonjëherë nuk lënë shije të këndshme. Sidomos, ushtrimi publik i ndikimit tek deputetët, duhet të shikohet edhe nga një prizëm psikopolitik. Deputeti, është përfaqësuesi më i lartë i popullit, i thirrur të promovojë e mbrojë Kushtetutën, në preambulën e së cilës ushtrohet thirrja për shenjtërinë dhe mbrojtjen e sovranitetit. Një thirrje e tillë, garantohet nëpërmjet obligimeve dhe të drejtës sovrane të deklarimit, pikërisht nga deputeti, si përfaqësues i interesave të popullit e shtetit.

Gjithsesi, alergjia shqiptare ndaj ambasadorëve, nuk është moderne, por ka rrënjë historike. Prandaj është e domosdoshme që kjo alergji, të shihet me shumë kujdes dhe të riformohen standardet e komunikimit të ambasadorëve me faktorët vendorë, në atë mënyrë që të mos hiqet dorë nga presioni pozitiv për avancim e konsolidim të vlerave shtetërore e demokratike, por duke mos lënë përshtypjen e imponimit në qëndrime e vendime, që do të duhej të ishin sovrane. Nuk duhet të ketë imponime ose ndikim çorientues, e shumë gjëra tjera, lirisht mund ta them, jo-ambasadoriale veçanërisht kur është në pyetje koncepti i sovranitetit mbi territorin!

11 maj 2016

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img