Këtë të mërkurë është mbajtur mbledhja e njëmbëdhjete e Kuvendit të Komunës të cilën e kryesoi Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, si dhe drejtorët e drejtorive komunale.
Fillimisht në këtë mbledhje betimin si anëtare e re e ka dhen Verona Isaku, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Pas betimit, kuvendi ka vazhduar punimet e saja, për miratimin e Rregullores së Taksës Komunale, rregullore, kjo që është diskutuar gjerë e gjatë nga anëtarët e kuvendit, por me shumicë votash është aprovuar.
Për të gjitha këto çështje sa i përket kësaj rregullore, është përgjigjur drejtorja e financave Sebahate Ajeti-Sadiku.
Ndërkaq drejtori i Drejtorisë së Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, ka bërë propozim – vendim për këmbimin e pjesës së ngastrës kadastrale 499-0 dhe 760-0 Z.K. Dremjak, pronë private me pjesën e ngastrës kadastrale 501-0 Z.K.Dremjak, pronë e Komunës së Ferizajt.
Drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, Sabri Murseli, ka bërë dhe këto propozim-vendime për këmbimin e pjesës së ngastrës kadastrale 379-0 me sipërfaqe 242 Z.K. Tërrn, pronë private, me pjesën e ngastrës kadastrale 376-0 Z.K. Tërn, me sipërfaqe 242, pronë e Komunës së Ferizajt, propozim – vendimin për këmbimin e pjesës së ngastrës kadastrale 241-1 dhe 241-2 Z.K. Ferizaj, pronë private, me pjesën e ngastrës kadastrale 21-1 Z.K. Nekodim, pronë e Komunës së Ferizajt.
Drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Balton Dërguti, bëri propozim – vendimi për themelimin e panelit përzgjedhës për formimin e komitetit konsultativ për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm. Për këtë komitet u propozuan këta anëtarë: Asmir Azemi –nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Lorik Krasniqi nga Avoneti, nga Partia Demokratike e Kosovës u propozua Sadat Ismajli, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje Arbnor Murseli.
Me shumicë votash u aprovua edhe vendimin për mbrojtjen e vlerës së natyrës: Bifurkacioni i Lumit Neredime në Ferizaj si monument i natyrës.
Me shumicë votash është miratuar edhe Rregullorja e Punës së tetarit “Adriana” në Ferizaj, propozim ky i drejtores së Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Xhemile Murati-Shabani.
E nga ana tjetër drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, ka bërë propozim –vendimin për vënien në konsultim publik të projekt Rregullores për institucionet edukative-arsimore të Komunës së Ferizajt.
Edhe drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenës Sociale, Dr. Kemajl Emini ka bërë propozim –vendimin për vënien në konsultim publik të Projekt Statutit të QKMF-së Ferizaj.
Ndërsa Arbnora Salihu nga Partia Demokratike e Kosovës, ka paraqitur një kërkesë publike nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur”, që të mbështete nga Kuvendi i Komunës së Ferizajt që të marr mbështetjen e anëtarëve, që Lulëkuqja me Katër Petale të bëhet Simbol Unik Përkujtimor i Gjenocidit në Kosovë.
“Kjo nismë, e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur” synon që lulëkuqja të jetë simbol i viktimave të gjenocidit në Kosovë, ide kjo e Adnan Asllanit. Në dallim nga lulëkuqet që përdoren si simbol në shumë vende të tjera, katër petalet e lulëkuqes në logon e disajnuar prej tij, paraqesin katër format e akteve gjenocidare që Serbia zbatoi në Kosovë: vrasjen, dhunën seksuale, spastrimin etnik dhe shkatërrimin e objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar. Petalet e lulëkuqes në këtë logo janë vendosur në formën e shkronjës X, për arsye se gjatë luftës në disa vendbanime ku popullësia ishte e përzier në aspektin e përkatësisë etnike, okupatorët serbë kishin shënjuar shtëpitë e shqiptarëve me një X, me qëllim që forcat e armatosura serbe të udhëzoheshin drejt vendeve ku duhet të kryheshin krimet. Me një fjalë, forma e petaleve dhe figurat e burrave, grave, djemve e vajzave simbolizojnë mbi dhjetëmijë civilë shqiptarë të vrarë dhe të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe gjinive, mbi njëzet mijë viktima të dhunës seksuale, rreth një milion viktima të spastrimit etnik dhe qindra mijëra shkatërrimeve që u kryen gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë. Andaj sit ë tillë, mendojmë se kjo logo meriton të jetë simbol i përbashkët i përkujtimit të viktimave të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë Salihu.
Ky propozim është votuar me shumicë votash nga të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës.