Tortura përgjatë kalimit në njërën nga arteriet kryesore të qytetit, pluhuri dhe balta në rrugën “Gursel e Bajram Sylejmani” tashmë i takojnë së kaluarës me projektin e rikonceptuar për rregullimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë urbane. Ndonëse të përballur me rezistencën e disa banorëve, kryesisht uzurpatorë të pronës publike, që vonuan kohën e realizimit të këtij projekti, pas rregullimit përfundimtar të infrastrukturës nëntokësore, rregullimin e ndriçimit publik dhe nyjeve të tjera, sot u asfaltua edhe shtresa e parë e këtij segmenti rrugor, vital për qarkullimin ndërurban.
Për të përcjellë punimet, doli edhe i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me nënkryetarin e Komunës dhe drejtorë të drejtorive komunale. Ai tha se ky investim po nis përfundimin e një bezdie që qytetarëve dhe bizneseve në këtë zonë i pati vështirësuar veprimtarinë dhe qarkullimin e përditshëm.
“Është një projekt i rëndësisë së veçantë, duke pasur parasysh se rruga Gursel e Bajram Sylejmani paraqet një ndër arteriet kryesore të futjes në qytet nga drejtime të ndryshme, duke përfshirë drejtimit e Kaçanikut, Vitisë por edhe Shkupit. Është projekt i rëndësisë së veçantë edhe për arsye tjetër sepse ju e dini që vazhdim i këtij projekti do të jetë poashtu një projekt i fituar nga Qeveria e Republikës së Kosovës e që ka vlerën afërisisht 3 milionë euro, bëhet fjalë për rrugën Gërlicë-Varosh, pra kemi një rrugëtim bukur të gjatë duke përfshirë pra, nga Varoshi, nga Gërlica e deri në Ferizaj që do të jetë pra përmes rrugës “Gursel e Bajram Sylejmani” dhe do t’i jep një rëndësi krejtësisht tjetër kësaj zone urbane. Është një ndër projektet më të rëndësishme të zonës urbane që Komunës së Ferizajt i ka kushtuar rreth 430 mijë euro, por besoj se me disa nga shtesat që do të bëhet, sepse dëshirojmë që projektin ta kompletojmë më vonë edhe me drunjë dekorativ, ku sigurisht se do të ngritet kosto por qëllimi jonë është që vërtet të jetë një projekt për lakmi dhe me ndërhyrjet tona që kemi bërë në këtë projekt kanë qenë pikërisht ato që përkojnë me qasjen tonë që projektet të kenë të gjitha elementet. Ky projekt nuk ka pasur shteg të biçiklistëve dhe ne e kemi ndryshuar dhe kemi futur edhe shtegun e biçiklistëve, nuk e ka pasur ndriçimin publik si duhet, e kemi bërë edhe atë, jemi marr edhe me çështjet e tjera që kanë të bëjnë me infrastrukturën nëntokësore, qoftë me ujësjellës në segmente të caktuara, me kanalizim atmosferik dhe fekal në segmente të caktuara por me rëndësi është që ne më në fund po e fillojmë përfundimin e këtij projekti, çka ka qenë një projekt me bezdisje të gjatë për vet rëndësinë që paraqet kjo rrugë por edhe për shkakun që përfshinë një numër të madh të banorëve të qytetit të Ferizajt” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.
Tutje, i pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se për këtë zonë dhe si pjesë e këtij segmenti do të zhvilloj edhe projekte të tjera siç janë nënkalimet, nënkalimi tek Plus Market, nënkalimi që lidhet me kryqëzimin e Xhamisë së fshatit Nikadin si dhe nënkalimi në Varosh për të cilën janë duke u zhvilluar punimet.