Ky është vetëm njëri nga fondet, në mesin e të tjerave, që mund të humbet, pasi vendi vazhdon të ketë krizë institucionale.
Zyra e BE-së në Kosovë ka bërë të ditur se kjo shumë, që është e ndarë në dy pjesë, lidhet me fondet e Instrumentit të Ndihmës së Para-anëtarësimit, i njohur ndryshe si IPA.
Pjesa e parë, sipas tyre, ka të bëjë me projektet në vlerë prej 45.5 milionë euro, të financuara dhe të menaxhuara nga BE-ja dhe që është nënshkruar nga Komisioni Evropian dhe Qeveria në marsin e këtij viti.
Përderisa pjesa e dytë, sipas BE-së, mbulon Mbështetjen e Buxhetit për Administratë Publike në vlerë të 25 milionë eurove, gjë e cila pritet të nënshkruhet me Qeverinë.
KTV-ja ka bërë kërkesë edhe në zyrën e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të kuptuar shumën që institucionet e vendit do ta përfitonin nga ky institucion.
Bazuar në të dhënat e ofruara, FMN-ja kishte planifikuar t’i transferonte rreth 15 milionë euro në buxhetin e vendit në kuadër të marrëveshjes Stand By 4.
Por, që këto mjete nuk mund të dalin derisa ekzekutivi nuk i plotëson kushtet e parapara në Stand By 3, pjesë e së cilës ishin edhe ndryshimet që duhet t’i bëhen ligjit për veteranët.
Ndërkaq, në gushtin e këtij viti, qeveria kishte arritur marrëveshje me Bankën Botërore, nga e cila do të merrte kredi në vlerë prej rreth 34.4 milionë eurosh.
Këto marrëveshje kishin të bënin me financimin e projektit për konkurrueshmërinë dhe gatishmërinë për eksport dhe financim shtesë për projektin për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Edhe këto mjete të nevojshme hyjnë në fuqi vetëm atëherë kur merret drita e gjelbër nga Kuvendi.
Në mungesë të këtyre mjeteve dhe në probleme për sigurimin e mjeteve për shkak të mungesës së rishikimit, Qeveria i mori 10 milionë nga ankandi me letrat me vlerë dhe që do të shkojnë në financim të buxhetit.