Ferizaj.27.09.2018. Klube të ndryshme sportive, këtë të mërkurë performuan për disa orë në sheshin e qytetit, në kuadër të Panairit të Sporteve që po organizohet nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe Sportit, si dhe Komiteti Olimpik i Kosovës. U tha se përmes këtij aktiviteti Qeveria e Kosovës po synon të nxjerrë sportistë të vyeshëm dhe ta largoj rininë nga dukuritë negative. Vjollca Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës, tha se që nga 23 shtatori në kuadër të Javës Evropiane, gjithandej Kosovës janë duke u zhvilluar një varg aktivitetesh të ndryshme sportive.
“Edicioni i katërt i Panairit të Sportit që sot po zhvillohet në 16 komuna ka për qëllim që klubet sportive të komunës suaj të paraqesin ofertën e tyre për nxënësit e shkollave fillore, në mënyrë që fëmijët të largohen nga rruga dhe ata të joshen me sportet të cilat do t’i praktikojnë pastaj”, tha Krasniqi.
Kjo ngjarje sportive u mbështet edhe nga Drejtoria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit në Ferizaj. Ky aktivitet u shënua në kuadër të manifestimit “Epopeja e Jezercit”.
“Po ndihem krenare nga kupat dhe medaljet që i pashë në tavolinat e klubeve sportive me të cilat e kanë nderuar qytetin e Ferizajt, prandaj ne si Drejtori e Sporteve ndihemi krenarë për të arriturat e sportistëve të Ferizajt. Përndryshe, sa i përket infrastrukturës sportive në Ferizaj, së fundi Ministria e Kulturës ka financuar ndërtimin e një qendre sportive në fshatin Greme, po ashtu kemi edhe zotime të tjera në përkrahjen e sportit dhe infrastrukturën e kësaj fushe shumë të rëndësishme“, tha Xhemile Murati-Shabani.
Përmes këtij panairi, u ftuan të gjithë prindërit dhe mësimdhënësit që t’i motivojnë fëmijët për t’u angazhuar nëpër sporte të ndryshme, ndërsa institucionet u zotuan se përkrahja qeveritare për këtë fushë nuk do të mungojë.