28,11,2024

Mbahet debat publik për shpronësimet shtesë në autostradën ”Arbën Xhaferi”

Must Read

Organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në Ferizaj u mbajt një dëgjim publik për shpronësimet shtesë që do të ndodhin në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit. Në këtë dëgjim morën pjesë dhjetëra pronarë të parcelave që ndodhen përreth kësaj autostrade, të cilët u informuan më detajisht për sipërfaqet e tokave që do t’u merren për këtë interes publik. Përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit treguan se kjo është faza e parë e obligimeve ligjore  që duhet ta kryej kjo ministri, e më pas me këta pronarë tokash do të merren edhe ministritë e tjera përkatëse.

“Kryesisht brengat që dalin nga këto tubime publike janë si të njëjta, pronarët e tokave ankohen për çmimet, tek nevojat për shfrytëzimin e parcelave, tek rrugët, qasjet tek shuma e kompensimit, e të tjera. Përndryshe, procedurat e shpronësimit nuk janë të zvarritura, gjithçka do të ndodhë brenda ligjeve në fuqi“, tha Samir Broqi nga MMPH.

Në këtë diskutim publik pati vlerësime të ndryshme sa i përket këtij procesi. Disa pronarë parcelash  të cilët edhe në fazën e parë  kishin dhënë tokën e tyre për këtë autostradë, treguan për kontestet gjyqësore që kishin për çmimin e shpronësimeve, e disa të tjerë këtë proces e kanë pranuar ashtu siç kishte paraparë Qeveria e Kosovës.

“Kam ardhë prej Gjermanisë, për katër herë me radhë marrë pjesë në seancën e gjykatës, por fatkeqësisht avokati i Qeverisë së Kosovës kurrë nuk ka marrë pjesë dhe për këtë arsye ende nuk ka epilog për kontestin tim gjyqësor. Kjo është për të ardhur keq se si funksionojnë këtu institucionet. Unë jam ankuar, sepse nuk e kam pranuar çmimin e shpronësimit që i është bërë tokës time që e kanë marrë për autostradë”, tha Baki Thaçi.

“Mua tani po m’i marrshin edhe 90 metra tokë, kështu që jam i kënaqur me këtë proces, edhe në herën e parë më kanë shpronësuar tokë këndej dhe më kanë paguar me kohë, kështu që jam i kënaqur edhe me çmimin kur kihet parasysh se autostrada është një investim për të gjithë“, tha Shaban Qorrolli.

Dëgjimi publik është mbajtur për zonat kadastrale Babush i Ri, Cërnillë, Mirash, Rahovicë, Papaz, Sazli, Softaj, Pojatë, Talinoc i Muhaxherëve, Bibaj, Fshati i Vjetër, Komogllavë, Gërlicë, Rakaj dhe Sojevë. U tha se se procedurat e shpronësimit për sipërfaqet shtesë që po i duhen Ministrisë së Infrastrukturës për këtë investim kapital, do të marrin kohë 7 deri në 8 muaj, transmeton Televizioni Tema.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img