19,11,2024

Majko flet për paqëndrueshmëri të koalicionit qeverisës

Must Read

I ftuar nga Institutin Demokratik Amerikan në Kuvendin e Filadelfias ishte edhe deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, ish-kryeministri Pandeli Majko.

Majko në bisedën me Zërin e Amerikës flet edhe për zhvillimet e fundit në Shqipëri. Ai shprehet i çliruar që reforma në drejtësi u miratua, por pohon se reforma vështirë se do të ishte miratuar pa një presion të fortë nga Perëndimi.

Në gjykimin e politikanit veteran, procesi politik në Shqipëri doli i humbur, pasi aktorët politikë nuk arritën të shfrytëzojnë këtë mundësi historike për të dëshmuar gatishmëri dhe vullnet dhe për ta miratuar vetë reformën.

Kuvendi, vazhdon Majko, “u kthye në një regres dhe ne u dukëm pak a shumë në statusin e ish-Komitetit Qendror të Partisë së Punës në periudhën e viteve ‘90”.

Majko thotë se procesi për miratimin e reformës në drejtësi nuk lë vend për optimizëm për punën e Kuvendit, dhe se arritja e votave ishte pasqyrë e insistimit të fortë nga ambasadorët e huaj si dhe presionit të publikut, pasi mungonte vullneti i palëve politike në vend për të përmbushur këtë mision.

Miratimi i reformës ishte dëshmi se Perëndimi në marrëdhëniet e tij me Shqipërinë mbajti krahun e publikut shqiptar dhe jo të politikës shqiptare, shprehet Majko. Ky ka qenë një fakt i qëndrimit amerikan ndaj Shqipërisë, vazhdon më tej deputeti socialist: “Miqësia e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka kaluar nga dyert e politikës, ka kaluar nëpër dyert e shqiptarëve”.

Majko fajëson opozitën për pengesat deri në arritjen e miratimit, gjë që dëshmohet, thotë ai, edhe nga kritikat e Perëndimit shpesh shumë të ashpra në adresë të udhëheqjes së opozitës. Në gjykimin e tij, kundërshtia nuk lidhej me nene të caktuara, por me interesa politike të pushtet-mbajtjes sot, dhe pushtet-marrjes së nesërme, raporton VoA.

Ish-kryeministri Pandeli Majko pohon se koalicioni qeverisës po përjeton tensione të brendshme, gjë që u bë më e dukshme gjatë diskutimit të reformës së drejtësisë. Duke pohuar se ka tendenca nga ana e LSI-së për një afrim me Partinë Demokratike, deputeti socialist thotë se këto lëvizje nuk duhen gjykuar negativisht. Partia Socialiste, thotë ai, në marrëdhënie me partnerët në koalicion, ka për detyrë të diktojë tonin e qeverisjes, larg aludimeve, larg akuzave, apo intrigave, por me diskutim të hapur e transparent. E ardhmja e kësaj qeverisjeje, thotë ai, nuk është një histori sallonesh, por një diskutim serioz që t’i shërbejë mbarëvajtjes së qeverisjes, si dhe reformave në pritje, përfshirë reformën zgjedhore.

Nëse marrëdhënia PS-LSI vazhdon përmes deklaratave, dhe në distancë nga njëra-tjetra, do të bëhet e nevojshme marrja e një vendimi për partneritetin e palëve në koalicion, shprehet anëtari i Partisë Socialiste, zoti Pandeli Majko.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img