Lladrovci ka treguar se me investimet kapitale në vitin e ardhshëm do të bëhet renovimi i Qendrës së Kujdesit Mjekësor Familjar në Drenas, ndërtimi i Qendrës Mjekësore Familjare në Komoran, renovimi i qendrave në Arllat e Gllanasellë, si dhe mirëmbajtja e shtatë ndërtesave ambulantive, përfshirë këtu edhe furnizimet me inventarë dhe pajisje mjekësore.
Kandidati i PDK-së për të parin e Drenasit ka thënë se në qeverisjen e tij pacienti do të jetë gjithmonë në fokus dhe mjeku do të shkojë te pacienti, jo anasjelltas.
“Objektiv i imi do të jetë gjithëpërfshirja në sistemin parësor shëndetësor, aktivizimi i plotë i punkteve të largëta shëndetësore dhe ngritja e cilësisë së shërbimeve në ambulanca”, ka thënë ai.
Lladrovci ka përsëritur premtimin e tij për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Komoran, për të cilën ka thënë se do të punojë pandërprerë 24 orë.
“Do ta rrisim disiplinën në punë dhe po ashtu do ta rrisim edhe përqindjen e furnizimit me barna nga Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet planifikimit dhe shtimit të buxhetit për barna, pajisje dhe ndihma për trajtim mjekësor”, ka thënë Lladrovci.
Ai ka përmendur edhe promovimin e mënyrës së të jetuarit shëndetshëm, duke përmirësuar kujdesin ndaj nënave, fëmijëve dhe të moshuarve.
Lladrovci ka thënë se do të sigurojë kushte më të mira dhe transport për nxënësit me nevoja të veçanta, duke siguruar edhe mjete ndihmëse, por edhe informim të rregullt të qytetarëve për rrezikun nga sëmundjet e ndryshme.
“Në çdo hapësirë do të respektohen dhe zbatohen ligjet që promovojnë ruajtjen e shëndetit publik, në veçanti ligji kundër pirjes së duhanit. Ne po analizojmë edhe mënyra për uljen e kostos së shpenzimeve në mjekësinë familjare, qoftë përmes kursimeve apo edhe racionalizimit konstant të të mirave”, ka thënë Lladrovci.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, RamizLladrovci, ka thënë se do t’i mbështes edhe organizatat joqeveritare që promovojnë të ushqyerit dhe jetën e shëndetshme, por ai ka premtuar se do ta rris edhe funksionalitetin e këshillimoreve brenda institucioneve për të rinjtë kundër dukurive negative, si përdorimi i alkoolit, duhanit dhe substancave narkotike.
Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Drenas, sipas Lladrovcit, detyrat dhe obligimet e veta i kryen përmes shërbimeve sociale dhe kujdesit parësor shëndetësor, me rreth 200 punëtorë.
“Kujdesi social është i përqendruar te mbrojtja sociale e fëmijëve dhe të rinjve, te përkujdesja dhe mbrojtja e fëmijëve pa kujdes prindëror, atyre me nevoja të veçanta dhe me sjellje jo sociale. Por, edhe te mbrojtja e të moshuarve pa kujdes familjar dhe pa mjete për pagesë, në punë të kujdestarisë dhe të tjera”, ka thënë Lladrovci.
Sipas të dhënave zyrtare, Drenasi ka 1250 persona me aftësi të kufizuara, ku prej tyre janë 57 janë fëmijë dhe 1193 të rritur.
Kandidati i PDK-së për të parin e Drenasit ka thënë se në qendrën kryesore të mjekësisë familjare në Drenas gjatë një viti kalendarik kryhen mbi 250 mijë vizita mjekësore dhe ofrohen mbi 300 mijë shërbime mjekësore.
“Punon edhe materniteti me rreth 300 lindje në vit”, ka thënë ai.
Lladrovci ka treguar se investimet kapitale në kujdesin parësor shëndetësor gjatë vitit 2016 në Drenas kanë arritur në 150 mijë euro. /Lajmi.net/
.