Shkollat e mesme të Ferizajt, përfitojnë nga 60 kompjuterë donacion nga Fondacioni SOLON
Takimi i realizuar muaj më parë nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu me përfaqësuesit e Fondacionit SOLON nga Zvicra po jep rezultatet e para. Ky fondacion, ka sjellë nga Anglia 640 kompjuterë dhe pajisje përcjellëse për tre komuna të Kosovës, përfituese e së cilës është edhe Komuna e Ferizajt, përkatësisht shkollat e mesme në komunën tonë të cilat do të pajisen me nga 60 kompjuterë, të mjaftueshëm për të krijuar kabinete të reja të informatikës dhe funksionalizimin e atyre ekzistuese.
I gjithë ky donacion ka arritur me angazhimin e palodhshëm të organizatës IPEDU në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt.
Për ta pritur këtë dhuratë për shkollat e mesme në Ferizaj, kontigjentin e kompjuterëve dhe pajisjeve tjera, doli drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani. Ai tha se qeverisja lokale kohë më parë pati lidhur bashkëpunimin me këtë fondacion e që ka rezultuar me këtë donacion dhe të tjera që do të mundësohen më vonë. Tutje, drejtori Llabjani duke falënderuar donatorët dhe stafin e IPEDU-s tha se këto pajisje do të shërbejnë jashtëzakonisht shumë në kushte më të mira kabinetike për zhvillimin e lëndës së teknologjisë informative si dhe procesimin e lëndëve të ndryshme përmes teknologjisë informative.