Pesë ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për paga për sektorin publik, institucioni i Avokatit të Popullit, e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për siç thuhet, vlerësimin e përputhshmërisë së këtij Ligji me Kushtetutën.
Avokati i Popullit ka kërkuar vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për paga në sektorin publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Ligji për paga, i sapo hyrë në fuqi, rregullon rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë.
Ligji për pagat do të duhej të zbatohej nga janari i vitit 2020, ku përfshihen pagat e muajit dhjetor 2019. Por, për shkak të kontestimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, mbetet e paqartë nëse punonjësit e përfshirë në rritje të pagave, me këtë ligj do t’i marrin rrogat me rritje nga janari.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka afat ligjor prej 60 ditësh për t’i dhënë një përgjigje kërkesës së Avokatit të Popullit.
E, deri sa Gjykata Kushtetuese të marrë ndonjë vendim, Ministria e Financave në Qeverinë e Kosovës ka bërë përgatitjet për ekzekutimin e pagave të muajit dhjetor në dy alternativa, sipas sistemit dhe nivelit ekzistues të pagave dhe sipas Ligjit të ri. Ministri në largim i Financave, Bedri Hamza, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se “ekzekutimi i pagave do të realizohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.
Por, disa sindikata kërkojnë zbatimin e këtij Ligji, kurse disa të tjera moszbatimin. Këto reagime janë intensifikuar edhe më shumë tani, kur ligji në fjalë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese si instanca e fundit për interpretim.
Kryetarët e tri sindikatave në Kosovë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës-SBASHK, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës-FSSHK dhe Sindikata e Policisë së Kosovës, kërkojnë që mos të zvarritet zbatimi i ligjit. Këto tri sindikata të premten kanë mbajtur një takim të përbashkët dhe kanë kërkuar takim urgjent më së largu deri të martën me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj, dhe me kryetarët e subjekteve politike parlamentare.
Shaban Tasholli, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, tha se takimi ka për qëllim të informojë për pasojat e mundshme në rast të moszbatimit të Ligjit për paga.
“Ne dëshirojmë që të takohemi me të, në mënyrë që të konsultohemi se a ka hapësirë për nivelizim të pagave ashtu siç parashihet me ligj. Në të kundërtën, nëse nuk zbatohet Ligji, atëherë i kemi të drejtat tona sindikale, arsimi dhe shëndetësia do të hyjnë në grevë, kurse policia ka të drejtën e protestës”, tha ai.
Por, të pakënaqur me Ligjin janë rreth 23 mijë shërbyes civilë në administratën lokale dhe qendrore të Kosovës, të cilët i kanë dërguar ankesë edhe Avokatit të Popullit.
Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, tha për Radion Evropa e Lirë, se shërbyesit civilë ndihen të diskriminuar dhe nuk trajtohen barabartë sa i përket nivelit të pagave. Ai tregon se paga mesatare e shërbyeseve civilë në Kosovë është 370 euro në muaj. Kurse, me ligjin e ri, sipas tij, disa nga shërbyesit civilë pagat do të mund t’i marrin edhe me një rritje prej 40 euro në muaj.
“Pajtohem plotësisht më veprimin që ka ndërmarrë Avokati i Popullit dhe presim që ky ligj të rishqyrtohet të vendoset drejtësia. Dhe, çfarëdo që është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, është vendim i fundit dhe duhet të zbatohet. Dhe, kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë ligjshmëri në vend”, tha Zymberi
Artikullin e plotë mund ta lexoni në REL.