Nga Ligji për Paga i miratuar në Kuvendin e Kosovës kanë mbetur të pakënaqur shumë sektorë.
Disa prej tyre edhe i kanë kërkuar presidentit Hashim Thaçi që të mos e dekretojë këtë Ligj, njofton Klan Kosova.
Punëtorët e Shërbimit Korrektues të hënën kanë protestuar në shenjë pakënaqësie ndaj Ligjit në fjalë dhe njëkohësisht kanë kërkuar nga kreu i shtetit që të mos e dekretojë atë.
Ata po duan rritjen e koeficientit nga 1.8 në 2.2, i cili do t’i barazonte me pagat e policëve, si dhe rritjen e rrezikshmërisë në 40 për qind, njofton Klan Kosova.
Kryetari i kësaj sindikate, Zenun Sadikaj, gjatë protestës së djeshme ka kërkuar plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre, përndryshe ka paralajmëruar vazhdimin e protestave.
“President, mos e nënshkruaj Ligjin për Paga. Ky Ligj është diskriminues për ne dhe për një numër të madh të punëtorëve në sektorin publik. Nëse askush nuk e dërgon këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese, ne do ta bëjmë këtë”, tha Sadikaj.
Nga ana tjetër edhe sektori i Shëndetësisë është i pakënaqur me rrogat.
Kirurgët nuk po pajtohen me pagat që parasheh Ligji dhe po duan rritjen e koeficientit aktual nga 4.0, sa është aktualisht në 8.0.
Përfaqësuesi i grevistëve, Arbër Morina, ka thënë për klankosova.tv se i kanë kërkuar kreut të shtetit mosdekretimin e Ligjit për Paga.
“Kemi kërkuar nga presidenti që të mos e dekretojë Ligjin. Ky Ligj është i parregullt dhe në shkelje me Kushtetutën. Ka parregullsi në përmbajtje dhe në përpilim”, ka thënë Morina.
Sipas tij, edhe infermierët po ndihen të diskriminuar nga ky sektor.
Pakënaqësi ka edhe transmetuesi publik, RTK që pos koeficientit ka mospajtueshmëri edhe për statusin.
Kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, në Klan Kosova, ka thënë se përfshirja e transmetuesit publik në Ligjin për Paga ka qenë e pakuptimtë dhe se i kanë shkruar presidentit për këtë.
“Ne sot bashkë me ushtruesin e detyrës i kemi dërguar një letër presidentit të Kosovës, që nëse ka shkelje të shihet. I kemi kërkuar që ta rishikojë këtë nen dhe ta heq këtë dispozitë. Fillimisht duhet parë se si po reagon Presidenti, nëse dekretohet, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”.
Edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, ka thënë çështja e koeficientit të rrogave në transmetuesin publik ka mundur që të rregullohej me ligjin e vjetër.
“Ne jemi transmetues publik dhe besoj se të tillë do të mbesim. Ne nuk jemi që të mos vendohet një tavan, një limit deri ku mund të shkojë rroga në RTK dhe nuk jemi kundër asaj. Por ky koeficient ka mundur të rregullohet me ligjin e RTK-së që është në procedurë. Në ligjin e pagave tash ne domosdoshmërish ju nënshtrohemi dispozitave tjera të ligjit dhe punëtorët e RTK-së shndërrohen në shërbyes civilë”, ka thënë Shala.
Pas zhurmës së madhe në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt të këtij viti lidhur me amandamentet e Ligjit për Paga, deputetët i thanë po këtij Ligji.