27,12,2024

Kujtohet me pietet heroizmi i Agim Ramadanit me shokë 

Must Read

Anton Çuni, duke përshkruar qëndresën , vetëmohimin e mbi të gjitha guximin e bashkëluftëtarëve tha: Ishim me fat që në ballë të Brigadës kishim eprorin Agim Ramadani .

Sikurse viteve të kaluara edhe sivjet Shoqata Atdhetare “Zhegra” me seli në Gjenevë të Zvicrës, ka organizuar manifestimin  tradicional “ Ditët e Agimit.”

Kjo akademi përkujtimore kushtuar ekspertit ushtarak , piktorit dhe poetit, Agim Ramadani dhe njëqindekatërmbëdhjetë heronjve të tjerë të rënë në Betejën e lavdishme të Koshares, ka nisur me intonimin e himnit tonë nacional, ku me qëndrimin gatitu të pranishmit kanë nderuar të gjithë të rënët  për liri e mëvetësi të Kosovës.

man11

Pastaj  Shpejtim e Afërditë Krasniqi, konferencierë  të këtij solemniteti kanë  bërë prezantimin e mysafirëve , duke kumtuar në të njëjtën kohë edhe pikat kryesore të  programit. Rrjedhën e ngjarjeve të zhvilluara në Betejën e  lavdishme të Koshares para mërgimtarëve tanë të shumtë nëpërmjet dhimbjes dhe krenarisë në vija të përgjithshme e ka shtjelluar Anton Çuni, pjesëmarrës në shembjen e kufirit të dhunshëm shqiptaro-shqiptar.

Ai duke përshkruar qëndresën , vetëmohimin e mbi të gjitha  guximin e bashkëluftëtarëve tha: Ishim me fat që në ballë të Brigadës kishim eprorin Agim Ramadani, largpamës dhe të zhdërvjelltë i cili në mënyrë perfekte së bashku me oficerët e ekipit komandues të Brigadës sonë  realizoi planin për rrënimin e murit ndarës me shtetin amë, bart albinfo.ch fjalët e z. Çuni

Të gjithë e dinim që Serbia posedonte të gjitha llojet e armatimit të rëndë dhe se në krye të ushtrisë së saj qëndronin gjeneralë e kapitenë me përvojë të gjatë në armatën e ish-Jugosllavisë.

Mirëpo ky fakt nuk na frikonte fare, e dinim edhe të vërtetën tjetër që në njësitet serbe kishte të përfshirë edhe mercenarë rusë ,por ne nuk u zmbrapsem nga synimet tona për asnjë çast ngaqë luftën e kishim filluar nën betimin Liri o vdekje !

Po ashtu gjatë fjalës së tij Z. Çuni tha : Agimi ishte unikat dhe qëndronte mbi të gjithë, ngase betimin ndaj atdheut e kishte bërë qysh herët edhe nëpërmjet këtyre vargjeve:

Mu shterrshin sytë nëse pushoj
Lirinë tënde me ëndërrue
Mallkue qoftë gjaku im
Nëse m’vrasin pa luftue.

Ai në punimin e tij “Agimi i Lirisë” foli për Agim Ramadanin, poet, piktor, ushtarak, kryengritës dhe liberator. Me emocion por ballëndritur përshëndeti familjen Ramadani, dhe të gjitha familjet e dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares.

Rrëfimet e Zotit Anton Çuni, aktualisht deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga radhët e LDK-së, ishin plotësisht në përputhje me  xhirimet e bëra gjatë luftës.
Heroizmi i djemve tanë është parë edhe në dokumentarin e shfaqur vitin që shkoi ”Kosharja, dritë që s’ shuhet kurrë”. Me të përfunduar fjalën e tij, Z. Cuni në podium e ka ftuar z. Agim Sherifi, të cilin e ka falënderuar nga zemra për organizimin e këtyre akademive të çdovjetshme përkujtimore.

Fjalë rasti ka mbajtur edhe Feriz  Tërshnjeva  bashkëluftuar i Agim Ramadanit, dhe i njëqindekatërmbëdhjetë të rënëve të tjerë në Betejën e Koshares. Ai në këtë manifestim kishte ardhur nga pjesa tjetër e Atdheut- Tropoja. Z. Tërshnjeva para se të niste kujtimet e tij nga lufta në Koshare, me përkulje puthi flamurin  tonë kombëtar me shqiponjën dykrenare.

Pastaj lexoi materialin e përgatitur duke sjell para të pranishmëve kujtime nga Beteja e lavdishme e Koshares.

Ai çmoi përpjekjet e të gjithë  pjesëmarrësve të kësaj beteje e posaçërisht vizionin e kryeprisit Agim Ramadani, të cilin e quajti si njeriu që bashkoi rrënjët e shkapërderdhura të trungut ilir.

Tubimin e sotëm e ka përshëndetur edhe Zoti Ramadan Avdiu, konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Gjenevë.

Avdiu, ka vlerësuar lartë kontributin e të gjithë të rënëve në rezistencë,paharruar edhe ballafaqimin fytafytas me armikun të familjes Jashari, të Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut , Fadil Vatës, Zahir, Pajazit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës, Fehmi e Xhevë Lladrovcit, dhe të dhjetëra heronjve të tjerë.

Pjesa artistike e këtij jubileu ka qenë mjaft e pasur falë kombinimit të shkëlqyer të grupeve dhe shoqërive artistike të diasporës me artistë e këngëtarë të dalluar nga Kosova.

Aktori, poeti dhe lahutari i njohur rugovas Çun Lajçi , me zërin e tij prej baritoni para shikuesve shpalosi monologun “Dua me fol” nëpërmjet të cilit ngriti në piedestal guximin dhe sakrificën e Agim Ramadanit, Sali Çekut, e  shokëve të tyre.

Kurse nga thellësia e shpirtit mallkoi të gjitha ata që për interesa personale dhe klanore po tradhtojnë interesin kombëtar duke rrudhur territorin e Kosovës, dhe duke u krijuar favore fqinjëve tanë sllavë, të cilët nuk na ndanë zullumin për gjatë një shekulli.

Martirëve të rënë në frontet e luftës në Kosovë, Maqedoni e Preshevë, këngë lavdie u këndoi edhe këngëtari Arian Agushi i njohur si Gold AG.

Ndërkaq në krye të valles  si zakonisht u gjend Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gëzuar” nga Gjeneva.

Edhe kësaj here ky ansambël përformoi me mjeshtri të rrallë mozaik vallesh nga të gjitha trevat shqiptare .Edhe pse ende të njoma në moshë, vajzat valltare të këtij ansambli demonstruan  vlera të mirëfillta në artin e vallëzimit, për çfarë nga publiku u duartrokitën gjatë.

Plot gjallëri në skenë u shfaqen edhe solistë e valltarë të Shoqërisë Kulturore Artistike “Teuta”nga Llozana.

Po aq ambicioz e me prirje në artin e valles u treguan edhe të rinjtë e “Rinia Contact” të Gjenevës. Kurse hapësira lënë këngës popullore u  plotësua me këngë të  bukura atdhetare interpretuar nga Hidajete Miftari, Afërditë e Shpejtim Krasniqi, Ardian Dema, Kudret Rrustemi, dhe Albion Rexha.

Vogëlushi Rexha edhe pse vetëm 10 vjeç me qëndrimin dhe levizjet prej artisti dhe me tonin e përcjell në nota pentagrami shkrepi shkëndijat e para të talentit të tij,duke na bërë të sigurt se në të ardhmen mund të bëhet emër i dëgjuar i fushës së muzikës.

Ndërkaq  adhuruesit e këngës folklorike i argëtoi grupi “Rapsodët” nga Gjeneva, i cili u këndoi me mjaft origjinalitet djemve trima e të pamposhtur  të Betejës së Koshares.

Organizatorët e këtij përvjetori nga dëshira  që çdo gjë të jetë e realizuar  ashtu siç edhe meritojnë  këta njëqindekatërmbëdhjetë martirë kanë vendosur në krye të sallës flamuj kombëtar në të cilët janë qëndisur emrat e të gjithë heronjve të rënë në Betejën e lavdishme të Koshares.

Për të gjetur analogji me shpirt bardhësinë dhe pastërtinë e këtyre bijve më të mirë të popullit tonë udhëheqësit e Shoqatës Atdhetare “Zhegra” nga Gjeneva për shumicën e pjesëmarrësve kanë shpërndarë trëndafil të bardhë .

Këta trëndafil simbolizojnë unitetin e treguar të këtyre trimave të cilët me heroizmin e tyre të bardhë turpëruan oficerë e ushtarë paranoik  të regjimit të Milosheviqit.

Kjo fitore mbi forcat serbe në popull njihet edhe si fitorja që bashkoi njëherë e përgjithmonë Atdheun tonë të ndarë deri vonë në dysh.

Në fund të këtij jubileu të rëndësishëm të gjithë pjesëmarrësit i ka përshëndetur z. Bekim Ramadani, vëlla i heroit Agim Ramadani.
Ai, në mënyrë të veçantë ka falënderuar Shoqatën Atdhetare“Zhegra”nga Gjeneva, e cila nëpërmjet  organizimit të akademive të përvjetshme përkujtimore po e mban të gjallë kujtimin dhe respektin e thellë ndaj Agim Ramadanit, dhe dëshmorëve të tjerë që u flijuan për liri e bashkim të trojeve shqiptare.

Turnir futbolli 

Në kujtim të heroit Ramadani, këtë vit është organizuar edhe një turnir futbolli. Skuadrat e renditura në tri vendet e para janë shpërblyer me kupa dhe mirënjohje.  Ato i ka ndarë boksieri ynë i famshëm Erzen Rrustemi, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Zvicër.

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img