30,12,2024

Kujtesë – Intervistë e vitit 2001, me atdhetarin Ahmet Zherka: Mos të shuhet ideali i bashkimit kombëtar

Must Read

Aktivisti i njohur i komunitetit shqiptar në SHBA, Ahmet Zherka, ka ndërruar jetë dje, në New York. Zherka – babai i Ilirit, po ashtu veprimtar i çështjes shqiptare – u lind më 20 shtator 1933, në Zherkë të Malësisë Gjakovës. Një kohë jetoi në Plavë-Guci, e pastaj në Kosovë. Më 1967 emigroi në SHBA, ku u shqua për veprimtari në mbështetje të aspiratave të shqiptarëve të Kosovës. Ai mbahet në mend për vrasjen e një rusi në New York, pasi ia kishte shqyer para syve flamurin shqiptar. Për këtë akt e kishte arsyetuar edhe gjyqësori amerikan. Telegrafi sjell më poshtë një intervistë të tij të vitit 2001, të botuar në Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”. Intervistën e ka bërë historiani Agim Zogaj.

Ahmet Zherkën, ose Ahmet Shqiptari-Skënderbegu, siç e quante shkrimtari kanadez, dr. Edward Rager, në librin “The Domed by Carterisem, Human Hight Game” të vitit 1997 (Mjegullat e Karterizmit dhe lojërat e të Drejtave të Njeriut), për herë të parë e takuam në Kullën e Jasharajve, në marsin e vitit 2001, tek po vendoste lulëkuqet e Kosovës mbi varrin e kryetrimit. Ai tha se këtë ditë e kishte pritur 36 vjet, i mërguar… Ahmet Zherka, në këtë bisedë, flet për largimin nga Shqipëria dhe Kosova, shkuarjen në Amerikë dhe aktivitetin patriotik të mërgatës shqiptare…

KALIMI ILEGAL NË ITALI DHE SHKUARJA NË SHBA

Në prill të vitit 1949, familja e juaj kaloi nga fshati Zherkë të Malësisë së Gjakovës, ku jeni lindur më 1933, në Kosovë, fillimisht në Gjakovë. Çka ju kujtohet nga ato vite?

– Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në pushtet në Malësi të Gjakovës, erdhën njerëz të paarsimuar që mbështeteshin në parimet e gjakmarrjes shqiptare. Pushteti lokal dhe njerëz të caktuar të rrethit ku jetonim, kishin bërë akuza falso kundër babait tim, i cili më vonë arrestohet dhe mban burg për më shumë se një vit. Pasi lirohet nga burgu dhe del se është i pafajshëm, me inskenime të ndryshme të regjimit paralajmërohej sërish arrestimi dhe dënimi i tij. Duke parë këtë situatë pa zgjidhje, babai vendosi që me familje të kalonim në Kosovë. Ai shpresonte se do të shpëtonte nga burgu, por represaljet ndaj familjes sonë nuk pushun as në Kosovë, ku vepronte UDB-ja. Babai im dhe familja jonë, tash edhe me akuzën e emigrantit nga Shqipëria, ndiqej nga rreziqet e mëdha.

Regjimi jugosllav e burgosi babain, duke inskenuar një gjyq të mbyllur, me gjashtë muaj burg. Ndërkohë, pasi babai u lirua, regjimi na internoi në një qendër internimi, në Hogosh të Dardanës (Kamenicës). Krajatat tona vazhduan dhe jeta jonë ishte shumë e rëndë e me plot të papritura. Pas një kohe kaluam në Ferizaj, por vuajtjet tona nuk ndërpriten as këtu. Pas një kohe të shkurtër unë rashë në konflikt me regjimin, me organet e shtetit jugosllav dhe veçmas me grupe të caktuara të paramilitarëve serbë. Pasi i sulmova disa nga ta, filloi ndjekja kundër meje, andaj u arratisa dhe jetova nëpër malet e Kosovës mbi tre muaj. Ndërkohë, rashë në lidhje me Hysen Biberajn, babain e Elez Biberajt, i cili jetonte në viset shqiptare të Malit të Zi, kryesisht në Plavë. Edhe familja Biberaj kishte ikur nga Shqipëria. Ai më ndihmoj që të kaloj ilegalisht në Mal të Zi, ku më vonë do të vijnë prindët dhe gruaja ime.

Por, pasi as aty nuk arritëm të sigurojmë jetë të qetë, në prill të vitit 1967, së bashku me nipin tim Idriz Lamajn, kaluam ilegalisht në Itali. Kalimi u realizuar me shumë rreziqe dhe zgjati mbi 18 ditë. Fati deshti që në Itali të arrijmë shëndosh e mirë dhe të vendosemi si shumë shqiptarë tjerë në kampe. Në kampet italiane kam qëndruar një vit dhe me garancionin e Komitetit Shqipëria e Lirë, që vepronte në SHBA, më 10 maj 1968 kam zbritur në aeroportin “John Kenedi” të Nju-Jorkut.

NË AMERIKË, TË GJITHË PUNONIN PËR ATDHE

Si e keni gjetur koloninë shqiptare në SHBA?

– Amerika për mua ishte një zbulim, një botë e re dhe e madhe, sidomos kur e dija se prej nga kisha ardhur. Fillimisht, edhe unë kisha vështirësi për t’u ballafaquar me jetën e atjeshme, por me përkrahjen edhe të miqve arrita të adaptohem. Sa i përket kolonisë shqiptare dhe aktiviteteve atdhetare, të asaj kohe, ajo ishte jo aq e organizuar, madje e ndarë mbi grupime politike. Por, të gjithë e mbanim në shpirt çështjen e atdheut të ndarë padrejtësisht. Ishin disa institucione që kishin edhe fizionomi fetare, që bënin përpjekje të suksesshme për t’i organizuar politikisht shqiptarët, pastaj ishte Legaliteti, Balli Kombëtar, Blloku Kombëtar, Lidhja Shqiptare e Prizrenit… Si institucion mbipartiak ishte Komiteti Shqipëria e Lirë. Qëllimi i tyre parësor ishte rrëzimi i regjimit të Enver Hoxhës, ndërsa me angazhimin tim dhe të miqve tjerë, luftën tonë politike e orientuam edhe në çlirimin e Kosovës nga sundimi jugosllav.

Si zhvillohej ky aktivitet në ato vite dhe cili ishte qëndrimi i politikës zyrtare ameriane ndaj çështjes shqiptare?

– Në ato vite, me qëllim që të funksiononim sa më mirë, formuam Bashkësinë Shqiptare. Bashkësia Shqiptare, në koordinim me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe Lidhjen Kosovare, ngritën shumë iniciativa dhe veprime për sensibilizimin e çështjes shqiptare në Kosovë e Maqedoni. Kemi mbajtur demonstrata para Misionit të OKB -së, para Ambasadës jugosllave, ndërsa më vonë, filluam bashkëpunimin edhe me lëvizjet antijugosllave të kroatëve.

Por, aktiviteti politik dhe kombëtar i mërgatës shqiptare u intensifikua pas vitit 1981. Pas këtij viti, çështja shqiptare u sensibilizua edhe më tepër tek politika amerikane, por njëherit edhe ne në mërgatë ishim më të organizuar. Në këtë periudhë, pra deri në vitet e nëntëdhjeta, ne organizuam shumë demonstrata e protesta, peticione, greva urie, tubime dhe takime me politikanë amerikanë për të sensibilizuar çështjen shqiptare dhe kryesisht problemin e Kosovës. Unë jam i bindur se rezultatet tona zënë vend edhe në lirinë e Kosovës, sepse çdo gjë kemi dhënë për çështjen e atdheut.

DËSHMIA E PARË NË KONGRESIN AMERIKAN PËR KOSOVËN

Sa i përket pyetjes suaj rreth qëndrimit të atëhershëm të diplomacisë amerikane, për ish-Jugosllavinë, më duhet të them se ishte i disfavorshëm për ne. SHBA-të atë kohë ishin për ruajtjen e ish-Jugosllavisë, prandaj nuk e përkrahnin kërkesën tonë për “Kosovën Republikë”. Politika e atëhershme amerikane ishte për një autonomi të Kosovës përbrenda ish-Jugosllavisë, asgjë më tepër. Ajo angazhohej veten për të drejtat dhe liritë e njeriut.

Kur ndryshoi qëndrimi amerikan ndaj ish-Jugosllavisë, por edhe ndaj luftës së popullit të Kosovës?

– Unë mendoj se qëndrimi amerikan, në këtë aspekt, ndryshon pas vitit 1995. Deri në atë kohë SHBA-të e kanë bekuar regjimin jugosllav, si në kohën e Titos ashtu edhe në kohën e Milosheviqit. Dihet fare mirë se politika amerikane e përcolli Milosheviqin pas Konferencës së Dejtonit si njeri të “paqes”. Problemin e Kosovës ata e shinin vetëm në kornizat e të drejtave dhe lirive të njeriut, pra brenda ish-Jugosllavisë. Por, ndryshimi rrënjësor i politikës amerikane erdhi nga gënjeshtrat dhe mashtrimet e Milosheviqit, e sidomos me paraqitjen e UÇK-së. Me daljen e UÇK-së, edhe diplomacia amerikane u bind se populli i Kosovës është i vendosur që të vdesë për lirinë e vet.

Si u prit në vitin 1990 delegacioni i parë i shqiptarëve të Kosovës dhe cila ishte jehona e saj vizite?

– Më kujtohet fare mirë vizita e intelektualëve dhe e veprimtarëve të Kosovës, kur Ibrahim Rugova, Luljeta Pula, Veton Surroi, Halil Matoshi dhe shumë të tjerë u priten në nivele të larta të Departamentit të Shtetit Amerikan. Jehona e asaj vizite ishte e jashtëzakonshme, e madhe dhe e fuqishme; veprimtarët shqiptarë nga Kosova i dhanë shtytje sensibilizmit të çështjes së Kosovës. Ne, diaspora, në krye me vëllezërit Xhema dhe Diougardin, organizuam këtë ardhje e cila ishte shumë e suksesshme. Ajo vizitë dhe dëshmia në Kongresin amerikan për Kosovën hapën rrugët për vizitat e ardhshme, më të shpeshta dhe më të suksesshme të shqiptarëve nga Kosova, por edhe të diplomatëve amerikanë në Kosovë. Paraqitjen dhe luftën e UÇK-së, ne, mërgata shqiptare, në SHBA, e pritëm me entuziazëm historik; na u plotësuan dhe vërtetuan shpresat dhe bindjet se në Kosovë ka djem që vdesin për lirinë e Kosovës.

PAS 36 VJETËSH NË KOSOVË

Si e keni ndier veten kur jeni kthyer në Kosovë?

– Ardhjen në Kosovën e lirë, pas 36 vjetësh, e kam përjetuar me emocione të jashtëzakonshme; kam qarë nga gëzimi, duke puthur tokën e nënës Kosovë. Ishte e madhërishme të shihje tek valonte flamuri shqiptar, anembanë Kosovës, tek dëgjohej kënga shqipe. Vizita ime në Kullat e Jasharajve dhe përkulja para varreve të dëshmorëve në Prekaz ishte një çast, sa mallëngjyes aq edhe krenar, sepse aty shihja tek shtriheshin varret e trimave, të heronjve të Kosovës së re. Po aq i entuziazmuar u ndjeva edhe tash, kur u përkula para shtatores së Skënderbeut, në Prishtinë, para kryetrimit shqiptar, i cili i jep forcë, fuqi e trimëri kësaj toke. Gjergj Kastrioti në Prishtinë simbolizon integrimin tonë mbarëkombëtar. Kosova tash është kthyer në një vend peligrinazhi, që Krisht e Muhamed i ka në truallin e vet. Varret e dëshmorëve që i sheh në çdo anë të Kosovës simbolizojnë një medalon shqiptar, një medalon nderi, heroizmi e trimërie që dëshmon se kjo tokë gjithmonë ka lindur hero shqiptar dhe protagonistë të formatit të Adem Jasharit!

I biri i juaj, Ilir Zherka, është veprimtar i devotshëm i çëshjes shqiptare në SHBA. Si ndiheni ju për faktin që ai e ndjek rrugën tuaj?

– Secili prind iu gëzohet sukseseve të fëmijëve, prandaj edhe unë ndjehem krenar dhe i lumtur me angazhmin adhetar të birit tim, Ilirit, por edhe me atdhedashurinë e devotshme që për atdheun e dëshmojnë edhe fëmijët tjerë të mi: Nexhmia, Sefedini, Naimi, Mehdia, Kujtimi dhe Luani. Fëmijët e mi gjithnjë i kam marrë me veti në të gjitha protestat dhe aktivitetet e mëdha patriotike nëpër SHBA. Kështu që nga ato ngjarje ata u frymëzuan për të dashur atdheun dhe për të qenë në shërbim të tij.

Si i shihni zhvillimet e ardhshme përbrenda kombit tonë?

– Jam shumë optimist për të ardhmen e kombit tonë. Pres bashkëpunim më intensiv midis politikanëve tanë, në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ulqin, Preshevë. Ne duhet të ndërtojmë strategjinë e re mbarëkombëtare, në kuadër të globalizimit, të cilit i jep shpirt dhe forcë Amerika. Ne duhet ta shfrytëzojmë përkrahjen e SHBA-ve dhe të Britanisë së Madhe. Ky është çasti historik për ne. Ideja e bashkimit kombëtar në perspektivë duhet të mbahet gjallë në shpirtin e popullit tonë. Ajo është ideal dhe amanet që del nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img