Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka organizuar sot një takim me përfaqësuesit e fshatrave të Ferizajt, ku u diskutua për funksionimin e këshillave të fshatrave dhe bashkëpunimin që duhet të kenë ata me ekzekutivin.
Në këtë takim, përfaqësuesit e fshatrave u ndalën tek problemet me të cilat ballafaqohen lokalitetet e tyre, siç janë mungesa e furnizimit me ujë, problemet me kanalizim, deponitë ilegale, dëmtimi i pyjeve, e të tjera. Atyre iu përgjigj nënkryetari i komunës së Ferizajt, Naim Ferati.
“Kuvendi Komunal i Ferizajt nuk e di a është duke fjetur a nuk janë duke parë asgjë, sa i përket punës së ujit shumë shpejt do të na gjejë i njëjti fat sikurse i Gjilanit. Për 2-3 matrapazë të cilët shfrytëzojnë rastin pasurohen në këtë aspekt, bëjnë dëmtimin e pyjeve aq shumë në mënyrë të vrazhdë që nesër do të kemi edhe mungesë të ujit”, tha Faik Shatrolli, kryetar i fshatit Pleshinë.
“Bashkëpunimi në mes institucioneve jo vetëm me qeverinë lokale, por edhe me policinë, gjykatën duhet me qenë bashkëpunimi më i ngushtë në mes Këshillit të Fshatrave dhe këtyre institucioneve. Duhet ta heqim logjikën që mos me lajmëru veprën, sot është patriotizëm me tregu për ata që dëmtojnë pyjet e rrugët. Sa i përket ujit, jo vetëm dëmtimi i pyjeve që rrezikon, por shekulli 21 jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë globin është shekulli i luftës për sigurim të ujit të pijes“, tha Naim Ferati.
“Ne si Këshill kemi marrë një vendim që pjesa ku e kemi pas destinuar për varreza të bëhet park shtetëror, e kemi bërë një kërkesë, por komuna ka kërkuar që ta bëjmë një projekt, ne nuk kemi mjete financiare me bë projekt. Pyetja ime është, a na mbështet komuna për këtë se ne nuk kemi mjete financiare?”, u shpreh Faruk Beqiri, kryetar i Fshatit të Vjetër.
“Komuna nuk besoj që është aq naive me kërku projekt detal nga ju, por projekt ideor që mund të bëhet me tri faqe dhe kështu mund të shihet mundësia edhe përmes donatorëve që investojnë në aspekti ekologjik, por edhe gjatë hartimit të buxhetit për vitin e ardhshëm nëpërmjet diskutimeve publike“, u përgjigj Ferati.
“Në Zaskok kemi probleme të shumta, ka lagje që e kanë rrugën e pakalueshme, po ashtu është kanalizimi por nuk funksionon dhe është mëkat të jetosh aty“, tha përfaqësuesi i fshatit Zaskok.
Për mënyrën ligjore të adresimit të këtyre problemeve, përfaqësuesit e fshatrave morën udhëzime nga zyrtarë të misionit të OSBE-së dhe nga ata të rrjetit të organizatave joqeveritare AVONET.
“Nëse ju identifikoni një problem mekanzimi numër një është që të funksionoj këshilli mirë dhe të mbahet një procesverbal dhe adresimi i problemeve të jetë nëpërmjet kërkesave zyrtare që të dorëzohen në zyrën e pranimit”, tha Kenan Gashi nga AVONET.
“Në vazhdim e sipër jemi duke diskutuar me zyrën e kryetarit që të caktohet një pikë referuese ku përfaqësuesit e fshatarve ta kenë një pikë referuese për problemet që i paraqesin, përveç Drejtorisë së Administratës“, tha Afrim Nesreti nga OSBE.
Në këtë takim, zyrtarë të OSBE-së prezantuan edhe një hulumtim sa i përket bashkëpunimit në mes të komunës dhe këshillave të fshatrave, ku bazuar në këtë hulumtim, u tha se komuna e Ferizajt qëndron mirë sa i përket komunikimit me përfaqësuesit e fshatrave, por jo edhe me financimin dhe mënyrën e organizimit të zgjedhjeve për kryetarë të fshatrave.