Projekti Kosova e re është bërë në tërësi në favor të investitorit. Çmimi i energjisë së prodhuar nga termocentrali i ri do të jetë më i lartë se sa çmimi i importit, dhe shumë më i lartë se çmimi i prodhuar në dy termocentralet ekzistuese.
Nëse një kosovar mesatarisht shpenzon rreth 50 euro për faturën mujore të rrymës, kjo pritet të ndryshojë ndjeshëm në të ardhmen kur rryma e prodhuar nga termocentrali i ri të fillojë të rrjedhë nëpër telat e KEDS-it. Ky kosovar do të ketë shpenzime prej 75 euro, në versionin më optimist, nën supozimin se të gjitha kostot tjera do të mbesin të njëjta (gjë që është e pamundur). Janë këto 25 euro që do t’i dalin nga xhepi kosovarit për shkak të një projekti të keq dhe mënyrës së disfavorshme të financimit të tij.
Energjia më e shtrenjtë është vetëm njëri nga çmimet që do të paguajë qytetari për këtë termocentral, pasi janë edhe një varg kostosh tjera si: kostoja e shërimit të kosovarëve nga sëmundjet që vijnë si pasojë e jetesës në afërsi të termocentralit dhe zhvendosjet. Duke i marrë si të mirëqena të gjitha arsyetimet e qeverisë së Kosovës sa i përket mjedisit dhe duke i injoruar në tërësi kostot e ndërlidhura, prapë ky termocentral nuk është i favorshëm për qytetarin e Kosovës.
Kosto e ndërtimit të këtij termocentralit, mënyra e financimit të tij, interesi që do të fitojë investitori për palët e investuara në termocentral dhe gjithë garancionet që shteti do t’i japë investitorit për shitje të produktit dhe lëndën e parë: ujin e qymyrin, e bëjnë këtë projekt të pafavorshëm për shtetin. Projekti si i tillë është bërë në tërësi në favor të investitorit. Kush nuk do të dëshironte t’i investonte kursimet e tij, në një projekt të tillë?
Qeveria është thjesht spektator në këtë projekt, pasi gjitha kostot do t’i mbulojë qytetari përmes faturave më të shtrenjta apo kostos së shërimit.
Prapavija e diskursit
Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe ‘Contour Global’ e kanë përzgjedhur kompaninë ‘General Electric’ ofertues të preferuar për ndërtimin e termocentralit. Deri më tani, krejt çka kanë thënë në një komunikatë MZHE-ja është emri i kompanisë që do ta ndërtojë këtë termocentral, por nuk kanë treguar asnjë kosto të ndërtimit.
Tashmë thonë se do të ketë negociata të reja me këtë kompani amerikane, duke mos treguar se çfarë dhe kush do të negociojë. Sado që kosto e ndërtimit nuk është treguar deri më tani, fakti që kostoja e një projekti ndryshohet për 30% në diskursin e ‘Contour Global’ dhe të qeverisë tregon shumë për tendencën e përgatitjes së opinionit për një çmim të tillë.
Qeveria është thjesht spektator në këtë projekt, pasi gjitha kostot do t’i mbulojë qytetari përmes faturave më të shtrenjta apo kostos së shërimit.
Prapavija e diskursit
Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe ‘Contour Global’ e kanë përzgjedhur kompaninë ‘General Electric’ ofertues të preferuar për ndërtimin e termocentralit. Deri më tani, krejt çka kanë thënë në një komunikatë MZHE-ja është emri i kompanisë që do ta ndërtojë këtë termocentral, por nuk kanë treguar asnjë kosto të ndërtimit.
Tashmë thonë se do të ketë negociata të reja me këtë kompani amerikane, duke mos treguar se çfarë dhe kush do të negociojë. Sado që kosto e ndërtimit nuk është treguar deri më tani, fakti që kostoja e një projekti ndryshohet për 30% në diskursin e ‘Contour Global’ dhe të qeverisë tregon shumë për tendencën e përgatitjes së opinionit për një çmim të tillë.
Nëse i kujtojmë në mënyrë kronologjike, çmimi i supozuar i termocentralit nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik fillimisht ka qenë rreth 1 miliard euro. Supozimi se kostoja totale e investimit në Projekt do të jetë rreth 1 miliard Euro ishte bërë “në bazë të analizave dhe studimeve të ndryshme të realizuara nga Këshilltari teknik i Transaksionit”.
Për herë të parë, çmimi ishte fryrë në 1.4 miliardë euro nga ish- Zëvendës Presidenti i “Contour Global”-it, Garry Levesley, në një intervistë të dhënë për ‘Reuters’. Të njëjtën e kishte përsëritur edhe në një intervistë për gazetën “Zëri” me 24 qershor 2015. Më vonë, diskursin për rritjen e kostos së ndërtimit e kishin përcjellë edhe ministrat e zhvillimit ekonomik, duke u shndërruar në një çështje të kryer.
Përkundër faktit që kosto në diskurs ishte rritur nga 1 miliard në 1.4 miliard euro, është e çuditshme që krerët e institucioneve në të njëjtën kohë kanë thënë se në “fakt çmimi final është diçka që ende nuk dihet”. Ministrat dhe kreu i ‘Contour Global’ kanë shumë të drejtë kur thonë se kosto e ndërtimit do të dihet vetëm pas pranimit të ofertave. Pyetja është, pse pra po e përmendin 1.4 miliard euro? Pse nuk po përmendet shumë prej 850 milionë euro ose 1 miliard? Pra, pse bash 1.4 miliard?
Kostoja e projektit do të tregojë shumëçka për këtë projekt, duke përfshirë edhe çmimin e tarifave dhe fitimet e investitorit. Nëse kosto e ndërtimit do të jetë 1.4 miliard euro, atëherë ‘Contour Global’ do të marrë pjesë me ekuitet me 420 milionë euro, ndërsa rreth 980 milionë euro duhet të sigurohen nga kreditë. ‘Contour Global’ për mjetet që do t’i investojnë në projekt e ka të garantuar një kthim prej 18.5%, ajo që njihet si Norma e Brendshme e Kthimit (IRR). Pra, kjo kompani do të ketë një kthim vjetor prej 77.7 milionë euro. Çdo vit, kjo kompani do të ketë këtë fitim.
‘Contour Global’ për 420 milionë euro që do t’i investojë në këtë projekt do të ketë një kthim prej 1 miliard e 554 milionë euro. Ky kthim është kalkuluar për periudhën 20 vjeçare, për aq sa është e nënshkruar kontrata me këtë kompani. Mirëpo, nëse ‘Contour Global’ do të marrë IRR-në për mjetet që i ka investuar tashmë dhe që do t’i investojë në vitin e parë dhe të dytë, atëherë periudha e vjeljes së IRR-së mund të shkojë në 25 vjet (20 vjet operim + 5 vjet deri në ndërtim të termocentralit). E gjatë këtyre viteve, Termocentrali ‘Kosova e Re’, pronë e ‘Contour Global’, do të ketë të garantuar çmimin e shitjes së energjisë si dhe tregun për të shitur gjithë energjinë që prodhon, pa marrë parasysh a do ta përdorim ne këtë energji a jo. Investim më të sigurt se kaq, vështirë të gjendet në globalizimin e sotëm.
Këto shifra ndryshojnë shumë nëse kosto e ndërtimit do të ishte më e vogël, për shembull 1 miliardë euro. Kjo sepse Contour Global do të marrë pjesë me më pak mjete, vetëm me 300 milionë euro. Kthimi vjetor për këtë kompani do të ishte ‘vetëm’ 55,5 milionë euro, me IRR e pranuar prej 18.5%. Kthimi për 20 vjet, aq sa është e nënshkruar kontrata, do të jetë 1 miliard e 110 milionë euro. Pra, kjo rritje e kostos na kushton 444 milionë euro në 20 vjet, vetëm për koston e financimit të IRR-së për kompaninë investuese, në këtë rast ‘Contour Global’. Ndërsa, nëse IRR llogaritet për periudhën 25 vjeçare, pra duke përfshirë kohën e ndërtimit, atëherë kjo kompani do të ketë 555 milionë euro shtesë.
Kjo çka është shkruar në asnjë moment nuk e arsyeton kërkesën e investitorit për interes prej 18.5% për paratë e investuara në këtë projekt. Kosova ka bërë gjithë garancionet e nevojshme për investitorët e ‘Kosovës së Re’, saqë një Normë e Brendshme e Kthimit prej 18.5 për qind është tepër e lartë. Shteti i Kosovës ka marrë garancione që t’ia blejë gjithë energjinë e prodhuar në ‘Kosovën e Re’. Madje, kjo garancia është për tërë kapacitetin e termocentralit, pra edhe nëse energjinë e prodhuar nga termocentrali nuk e shfrytëzojmë. Përveç garancës për blerje, Kosova ka pranuar që këtë energji të blejë me një çmim të paracaktuar, pra jo çmimin e tregut. Përkundër këtyre garancive, ‘Contour Global’ ka arritur të sigurojë një interes prej 18.5% të kthimit për paratë e investitorëve të investuara në projekt.
Shteti favorizon investimet në qymyr krahas burimeve të ripërtëritshme
Duke miratuar një normë të tillë të kthimit për termocentralin me djegie të qymyrit, Qeveria ka treguar se cili është prioriteti i saj në sektorin e energjisë. Zyra e Rregullatorit të Energjisë lejon shumë më pak kthim për investimet e bizneseve në projekte të energjisë së ripërtëritshme apo edhe të KEDS-it, krahasuar me kthimin e pranuar nga qeveria për investimet në termocentral.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë, vitin e kaluar, ka vendosur që Mesatarja e Ponderuar e Kostos së Kapitalit (WACC) për KEDS-in të zbret nga 12% (para tatimit, reale) në vetëm 7.6% (para tatimit, reale). Në këtë zbritje ka ndikuar ulja e ndjeshme e ‘normës pa risk’ (reale), pasi nga 6.5% është ulur në 3%. Është ulur edhe kosto e borxhit nga 9.3% në vetëm 5.8%. Ndërsa, kosto e ekuitetit (reale, para tatimit) është ulur nga 14.7% në 8.3%.
Nuk dihet ende saktë niveli i WACC për ‘Kosovën e Re’ në mungesë të disa prej elementeve që e përbëjnë wACC, siç është kosto e borxhit. Me qëllim të krahasimit, do të krahasohet vetëm kosto e ekuitetit për dy projektet, pra Norma e Brendshme e Kthimit (IRR).
KEDS-i kur e ka kundërshtuar propozimin e ZRRE-së për uljen e WACC-së e ka marrë si shembull ‘Kosovën e Re’. Ata e kanë krahasuar “koston e ekuitetit” të caktuar për ta dhe ‘Kosovën e Re’.
“Vlen të theksohet që propozimi dhe kërkesa e investitorit me mbështetjen e IFI për preminë e riskut të ekuitetit për projektin e vetëm të madh ‘Kosova e Re’ që ka një kthim të ngjashëm me KEDS (afërsisht 20 vjet) i cili është ende në diskutim e sipër, është 21% dhe nga perspektiva e likuiditetit minimizon riskun e investitorit”, thuhet në shkresën e KEDS-it që ia ka dërguar ZRrE-së për të kundërshtuar uljen e WACC-së.
Pra, KEDS-i ka konstatuar se ‘Kosova e Re’ ka një ‘premi të riskut të ekuitetit’ shumë më të lartë se sa ata.
Tutje thuhet se biznesi ku operon ‘Celik & Limak’ është me rrezik më të madh se ai që do të operojë “Contour Global”.
“Biznesi i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) është biznes më me rrezik dhe është i ekspozuar kundrejt rreziqeve financiare dhe likuide. Kështu që premia e riskut të ekuitetit nuk mund të përcaktohet me shumë ndryshime drastike. Përsëri vlen të theksohet që ZRRE-ja për projektet e Burimeve të Ripërtëritshme, edhe pse janë biznese me shumë pak rrezik në krahasim me KEDS-in, e ka përcaktuar preminë e riskut të ekuitetit në vlerën 12% në studimin e saj të vitit 2016”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it.
Pas rishikimit të propozimit, ZRrE-ja ka vendosur që Kosto e ekuitetit (paratatimore, reale) për KEDS-in të jetë 8.3%.
Pyetja logjike dhe legjitime do të ishte, pse Kosova duhet të pranojë një IRR prej 18.5% për Contour Global, ndërsa bizneseve që investojnë në burime të ripërtëritshme të kenë një fitim shumë më ulët, prej 8.3% duke u bazuar ne Raportin e fundit konsultativ për tarifat nxitëse për energjinë e ripërtëritshme të prodhuar nga panelet solare? Pse ‘Kosova e Re’ duhet të ketë IRR prej 18.5%, ndërsa KEDS-it të ketë shumë më të ulët?
Kjo pyetje nuk bëhet që të kërkohet mënyra për t’ia rritur fitimet investitorëve të KEDS-it apo për ta kontestuar vlerësimin e ekspertëve të ZRrE-së, por për ta treguar diskrepancën dhe trajtimin e ndryshëm që i bëhet investitorëve. Do të ishte shumë me interes të shihet ndonjë studim të ekspertëve të ZRrE-së për nivelin e pranueshmë të IRR-së për ‘Kosovën e Re’.
Dëmtimi i konkurrencës
Oferta e ‘Contour Global’ ka ardhur gati 10 vjet që nga dita kur është iniciuar projekti për ndërtimin e termocentralit, në vitin 2006. Nga ajo kohë projekti ka pësuar ndryshime të mëdha, pjesa më e madhe në kundërshtim me ligjet në fuqi. Këto ndryshime të projektit kanë ndodhur, por zyrtarisht projekti është duke vazhduar bazuar në tenderin e iniciuar në vitin 2007. Që nga ajo kohë asnjëherë nuk është sqaruar në bazë të cilit dokument/ligj/rregullore të prokurimit është hapur dhe zhvilluar ky projekt. Kontestimi i bazës ligjore, ndryshimi i projektit duke qitur nga loja shumë investitorë janë shkeljet që janë raportuar shumë herë, por që asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.
Pas ndryshimeve të bëra në kohën kur ministër ishte Fadil Ismajli, duke e ndarë projektin në dy faza, qeveria është afër finalizimit të projektit të ‘Kosovës së Re’ duke marrë shumë barrë e dhënë shumë garanci për investitorin. Barra më e madhe e Qeverisë së Kosovës është dhënia e garancisë investitorit për blerjen e energjisë së prodhuar në këtë termocentral me një çmim të paracaktuar.
Ky garancion i qeverisë në vete ka dy rreziqe (lexo: shkelje):
1) E favorizon investitorin e ‘Kosovës së Re’, ‘Contour Global’ përball termocentralit ‘Kosova B’ ose çfarëdo investitori të ri që mund të vijë në këtë sektor. Pra, shteti e dëmton konkurrencën dhe pamundëson liberalizimin e tregut të energjisë (prodhimit).
2) Qeveria e Kosovës merr obligime për të subvencionuar një kompani, përkatësisht për të subvencionuar çmimin e energjisë. Kompania shtetërore ‘NKEC’ do të mbulojë diferencën në mes të çmimit të tregut që e paguan KESCO dhe çmimit që do t’ia paguajë ‘Contour Global’ për energjinë e prodhuar në termocentralin e ri. Këtë kosto pritet ta paguajë qytetari përmes tarifave të energjisë elektrike. Të paktën kështu është plani i Zyrës së Rregullatorit. Pra, një qytetar i Obiliqit do të detyrohet ta paguajë rrymën dyfish më shtrenjtë që prodhohet në termocentralin ‘Kosovën e Re’, ndërsa energjia që prodhohet në ‘Kosova B’ (skaj tij) do të eksportohet me çmim përgjysmë më të lirë (në versionin më optimist) në vendet e rajonit. E sikur kjo të mos mjaftonte, ai qytetar i Obiliqit do të vazhdojë të jetojë nën pluhurin e prodhimit nga qymyri, por tash do ta paguajë rrymën më shtrenjtë.
Garantimi i blerjes së tërë energjisë së prodhuar nga ‘Kosova e Re’ do të ishte më pak e dhimbshme dhe e kushtueshme për Kosovën nëse kërkesa për energji do të ishte më e madhe. Me kërkesën aktuale për energji dhe me garancat e dhëna nga shteti blerjen e energjisë së prodhuar në ‘Kosovën e Re’ dhe BRE-të, termocentrali ‘Kosova B’ nuk do të prodhojë fare për konsum të brendshëm për një periudhë të gjatë të vitit.
Se si do të duket tregu i energjisë në Kosovë e ka treguar në mënyrë grafike Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Energjia e prodhuar nga ‘Kosova B’ do të shpenzohet në Kosovë vetëm gjatë dimrit, në kohë të pik-ut, pra kur kërkesa është më e madhe. Kurse, gjatë verës, apo 8 muaj të vitit, ‘Kosova B’ do të jetë tërësisht e panevojshme, pasi konsumi i energjisë mbulohet nga energjia që prodhohet nga termocentrali i ri si dhe nga Burimet e Ripërtëritshme. Të dy këto burime të energjisë do të subvencionohen nga shteti përkatësisht qytetarët.
Shteti ka garantuar se do të blejë gjithë energjinë që do të prodhohet nga ‘Kosova e Re’, ndërsa Zyra e Rregullatorit ka propozuar që kjo barrë e blerjes t’i bartet qytetarit. Ndërsa, shteti ka garantuar edhe tarifat nxitëse për energjinë e prodhuar nga burimet e ripërtëritshme, për të stimuluar prodhimin e energjisë së pastër. Këto garancione shtetërore që janë dhënë do të përkthehen në energji shumë të shtrenjtë për qytetarët e Kosovës.
Duket absurde, por politikat qeveritare kanë garantuar që energjia e lirë, e prodhuar nga ‘Kosova B’, të eksportohet, kurse energjia e shtrenjtë t’u shitet qytetarëve të Kosovës. Kjo do të garantojë shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike, përtej skenarëve optimistë që prezantohen nga qeveria e Kosovës. Nëse ministrat e qeverisë së Kosovës dikur deklaronin se energjia e lirë e prodhuar nga ‘Kosova B’ do të neutralizojë çmimin e shtrenjtë të ‘Kosovës së Re’, tash kjo nuk qëndron, sepse po ndodh e kundërta.
Ky shtrenjtim i energjisë është i garantuar edhe për faktin që në tarifa duhet të futen edhe investimet që pritet të bëhen në mihje, mirëpo duke mbajtur çmimin e pa ndryshuar te furnizimit te TC ‘Kosova e Re’ edhe pse do duhej që investimet te reflektoheshin në çmimin e thëngjillit për furnizimin e TC ‘Kosova e Re’. Pra, çmimi i furnizimit me thëngjillit të TC ‘Kosova e Re’ nuk do ta reflektojë koston duke pasur parasysh kualitetin që kërkon TC “Kosova e Re” dhe kjo barrë do të bartet nga mihja.
Favoret financiare për investitorin
Çmimi i energjisë që do të prodhohet nga termocentrali i ri në Kosovë do të jetë më i lartë se sa çmimi i importit, dhe shumë më i lartë se çmimi i prodhuar në dy termocentralet ekzistuese.
Siç po shihet, në bazë të dizajnit aktual të tregut, diferencën në mes të çmimit të tregut dhe çmimit të energjisë që prodhohet nga ‘Kosova e Re’ do ta mbulojnë konsumatorët, përmes tarifave të energjisë elektrike. Kjo diferencë do të futet në tarifën e energjisë dhe do të grumbullohet nga Ndërmarrja e Re Energjetike, ndërmarrje me pronësi të qeverisë së Kosovës. Opsioni tjetër që është këtë kosto të mbulojë qeveria përmes buxhetit të grumbulluar nga tatimet që i paguajnë qytetarët dhe bizneset.
Cilido modalitet i subvencionimit që do të zgjidhet, është e qartë që qeveria (taksapaguesit/qytetarët) ose direkt qytetarët do të detyrohen të paguajnë një produkt, në këtë rast energjinë, me çmim dyfish më të shtrenjtë se çmimi i importit ose gati trefish më shtrenjtë (rreth 80 euro për megavat/orë) se sa çmimi aktual i energjisë së prodhuar në termocentralet aktuale (rreth 30 euro/megavat/orë). Duhet theksuar se qytetaret e Kosovës do duhet të paguajnë deri në 70% të kapacitetit prodhues të TC ‘Kosove e Re’ edhe nëse ata nuk kanë nevojë për atë sasi të energjisë.
Po ashtu, TC ‘Kosova e Re’ do të paguajë vetëm rreth 20€ për megavat/orë për Jo-balancet e shkaktuara e jo sipas çmimeve të tregut (40 deri 80€ për megavat/orë) siç aktualisht e paguajnë termocentrali ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’. Pra, diferenca në mes të çmimit të tregut dhe çmimit të marrëveshjes do të bartet te konsumatorët, qofshin të amvisërisë apo ata komercialë.
Ky shtrenjtim i energjisë elektrike do të ketë ndikim edhe te bizneset prodhuese, e në veçanti industrinë edhe ashtu në gjendje të vështirë, siç është ‘Feronikeli’, ‘Trepça’ dhe ‘Sharrcemi’, duke i bërë ato më pak konkurrente me prodhuesit e vendeve tjera. Përderisa po na servohet ideja se termocentrali i ri do ta ‘zhvillojë ekonominë’ në fakt na bën krejt neve që e përdorim atë energji më të varfër në krahasim me qytetarët e rajonit dhe Evropës që do të paguajnë rrymë më të lirë dhe njëkohësisht ndikon negativisht te prodhuesit.
Arsyeja pse qeveria e Kosovës ka dhënë garancione për blerjen e energjisë së prodhuar në ‘Kosovën e Re’ është pasi pritet që çmimi i energjisë nga importi do të jetë më i lirë se sa çmimi i energjisë së prodhuar në këtë termoncetral, sidomos në pesë vitet e para të funksionimit. Por, kur jemi të çmimi i importit të energjisë duhet thënë se shpesh janë përmendur shifra tepër të larta rrymës së importuar, pasi shpesh u janë referuar importit emergjent. Të dhënat thonë se çmimi i importit është goxha i lirë. Çmimi mesatar i importit për energjinë bazë nëpër vite ka qenë më lirë se 50 euro për megavat për orë, ndërsa për importin e energjisë se pik-ut dhe jashtë pik-ut është rreth 50 euro për megavat për orë. Pra, edhe opsioni më i keq i mundshëm është më i favorshëm se sa investimi në një projekt që ka kaq shumë kosto në kuletat dhe shëndetin e qytetarëve.
Tashmë kemi mbërritur në një fazë kur shumë çështje të ngritura më lart kanë përgjigje, të paktën prej një grupi të ngushtë në qeverinë e Kosovës. Kjo pasi, Qeveria dhe ‘Contour Global’ tashmë e kanë një kompani që potencialisht do të ndërtojë ‘Kosovën e Re’. Dihet afërsisht kosto e ndërtimit dhe rrjedhimisht dihet edhe çmimi i megavatit që do të prodhohet nga ky termocentral.
Këto të dhëna nuk janë bërë publike, por do të jetë shumë më interes të analizohen arsyet pse është përzgjedh ‘General Electric’ si kompani që do të ndërtojë termocentralin. Ne veçanti është interesant çmimi që do të na kushtojë termocentrali me këtë ndërtues dhe ofertat tjera që kanë ardhur nga operatorët e tjerë. Qeveria ka qenë spektatore në këtë proces të tenderimit, përkundër që çmimi i ndërtimit ka peshë shumë më të madhe për Kosovën meqë do të paguajmë edhe interesin për secilën kosto shtesë.
Roli i Kuvendit në parandalimin e financimit të dëmshëm
Nëse për Autostradë, oferta më e lartë prej 100 milionë euro ka peshën e njëjtë, pra 100 milionë euro më shumë, njëjtë nuk është tek investimet në termocentral. Nëse qeveria pajtohet ta përzgjedhë një ofertë 100 milionë euro më të lartë, atëherë kosto është 100 milionë plus interesi (qoftë i kredisë apo i IRR-së për investitorin).
Meqë, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të vendosin për të lëshuar apo jo garancionin shtetëror për këtë projekt, u takon atyre që të kërkojnë të gjithë dokumentacionin për këtë projekt. Është rast i mirë që deputetët të kërkojnë nga qeveria detajet e tenderit për ndërtim si dhe detajet e kushteve financiare. Përveç kësaj, duhet të dihet kush ka vendosur për një ofertë të caktuar? Kush ka qenë i kyçur në këtë proces prej qeverisë? Cili ka qenë roli i qeverisë, spektator apo vendimmarrës? Si dhe nëse duhet qeveria e Kosovës të lëshojë vendimin për prokurim të pranueshëm para se të marrë aminin e Kuvendit.
Është qenësore të dihet kush është personi që duhet të quhet ‘hero’ nëse ka arritur një marrëveshje të mirë, përkatësisht kush është fajtori nëse marrëveshja është e keqe.
Këto pyetje janë më shumë se legjitime duke parë kompleksitetin e projektit ‘Kosova e Re’ dhe duke i pasur përpara rezultatet e transaksioneve të mëdha që janë bërë në Kosovë. Janë dy projekte të mëdha që janë finalizuar deri tash: koncesionimi i Aeroportit të Kosovës dhe privatizimi i KEDS-it.
Te koncesionimi i Aeroportit është ‘përvjedhur’ një gabim që e ka detyruar qeverinë e Kosovës të investojë në zgjatjen e pistës së aeroportit. E ky “gabim” është bërë përkundër që qëllimi kryesor i koncesionimit ka qenë modernizimi i Aeroportit, duke përfshirë zgjatjen e pistës. Edhe te rasti i privatizimit të KEDS-it, ka ndodhur një “gabim”. Ky gabim ishte edhe më i madh, pasi janë falur katër hidrocentrale bashkë me distribucionin. Distribucioni ishte shitur për vetëm 26 milionë euro, ndërkohë që ministri i atëhershëm i Zhvillimit Ekonomik e arsyetonte çmimin e ulët duke thënë se ‘Kosova nuk po shet hidrocentrale sikur shtetet tjera’.
Në anën tjetër, janë edhe 53 milionë euro që Qeveria e Kosovës do t’ia paguajë Bechtel & Enkës përtej kontratës bazë që ishte bërë për shkak të “gabimeve” tjera dhe “vonesave”. Arsyet dhe shpjegimet pse po paguhen këto mbeten sekret shtetëror.
Kur i kujtoj këto tri raste, është legjitime frika se çka fshihet në këto kontrata 1,000 faqëshe. A ka nëpër këto kontrata nene që do të na kushtojnë miliona në të ardhmen? Pyetje pa përgjigje në këtë kohë. Mirëpo, aktualisht duhet të dimë se kush është përgjegjësi, nëse do të dalin këso kostosh në të ardhmen. Tash është koha dhe mundësia për ta shoshitur gjithë projektin, në mënyrë që mos të merremi pastaj me hetime parlamentare post-mortum. Nëse alarmet e ngritura nga shoqëria civile injorohen nga deputetët, gjasat që çmimi i energjisë të jetë boshti kryesor i fushatave elektorale në të ardhmen është më se i mundshëm marrë parasysh rreziqet që na presin.
Një projekt i tillë po bëhet në një shtet ku paga minimale e lejuar është 135-170 euro. Paga në sektorin privat vazhdon të jetë dukshëm më e ulët se sa ajo e sektorit publik. Të dhënat e ASK thonë se paga mesatare në vitin 2017 në sektorin publik ishte 474 euro, ndërsa në sektorin privat 348 euro.
Paga në sektorin privat është rritur shumë pak nëpër vite. Në vitin 2012, paga mesatare në sektorin privat ka qenë 333 euro, ndërsa në vitin 2017 ka arritur në 348 euro. Pra, për pesë vjet paga mesatare është rritur vetëm 15 euro, apo 4.5 për qind. Pra, kjo rritje vështirë e mbulon inflacionin e kësaj kohe.
Ndërkohë, qeveria e Kosovës përmes këtij projekti do t’ia vështirësojë mbijetesën sidomos familjeve që marrin paga mesatare, pasi po ua dyfishon faturën e rrymës. E të hyrat e familjeve nuk pritet të rriten në trendin e njëjtë me rritjen e faturës së energjisë.