29,03,2024

KOMEDI QË SHPALOS SHPIRTIN TONË TË PAQËNDRUESHËM

Must Read


Shkruan: Ragip Kçiku

Më 17 mars 2021 Teatri “Muharrem Qena” i Mitrovicës hapi sezonin e këtij viti me premierën e komedisë “Nëpër ndërrime” të Rrahim Sadikut, me regji të Faik Gashit. Në role ishin Fisnik Ademi, Qëndresë Kajtazi, Mehmet Preteni, Adem Zhitopotoku, Artan Hetemi dhe Fatmir Haliti.

Shfaqja “Nëpër ndërrime” e regjisorit Faik Gashi (me tekst të Rrahim Sadiukut) ndërtohet mbi tri shtylla të qëndrueshme: te teksti, që na sjell një gjuhë moderne të komunikimit skenik dhe shumëdimensionalitet kuptimor; tea jo se shfaqja ndërtohet mbi një vijë të pastër dramaturgjike e me funksionalitet skene, me çka ka arritur t’u përshtatet rrethanave në të cilat është përgatitur dhe i ka tejkaluar ato, kështu që ecuria e saj zhvillohet pa sforcime, bindshëm dhe përjetueshëm; shfaqja karakterizohet me lojë moderne, nisur nga thjeshtësia e shkon drejt kompleksivitetit jetësor dhe vazhdimisht ka natyrshmëri, jashtësi e brendi të koordinuar të personazheve e komunikim me shikuesin, gjë të cilën e vërtetuan durtrokitjet e publikut, reagimet e shpeshtë dhe të duhura gjatë zhvillimi të ngjarjes, që shpesh dilte edhe si entuzuazëmi spontan. Q

Teksti
Dramën e Rrahim Sadikut, nuk e kisha lexuar. Ndoshta ishte më mirë që nuk e kisha lexuar, sepse e shijova duke u munduar kuptoja rrjedhën e gjithë asaj që thuhej nga aktorët dhe të analizoja arritjet e gabimet aty në skenë, jo në tekstin letrar. Nga ajo që u shfaq gjatë më shumë se një ore, mësova se ishte komedi (në shumë aspekte edhe tragji-komedi) njëaktëshe dhe me tekst të koncentruar për mrekulli rreth dy rrafsheve; atij vertikal, që sillej e mbështillej rreth një bukurosheje, së paku për ata që vardiseshin e mahniteshin prej saj dhe në atë horizontal, që kishte në themel etjen e një pozite, të cilën e synonte secili nga personazhet, pasi kishin bindjen se mund të ishin më të mëdhenjtë në mesin e të mëdhenjve. Ngjarja e kësaj etje për pozitë e për madhështi, pa i zgjedhur mjetet e pa u kujdesur për dinjitetin e njerëzoren, ishte vendosur në një qytet bashkëkohor, ndërsa veprimet, mentaliteti, sikur vinin nga një provincë e harruar nga koha, pasi gjasonte me ato që kemi mësuar e lexuar për dukuri të fundshekullit XIX apo fillimshekullit XX. E gjitha rridhte pa ngarkesa tekstuale, me dialogje të qarta, të dala nga ato karakteristika mbi të cilat ishte ndërtuar e vepronte personazhi, por me porosi dhe nëntekst të thellë. Kjo mundësonte që të shpaloseshin shumë të meta shpirtërore e mendore; të shpërthente injoranca; të dilte si normale dhe krejt e zakonshme mohimi i vlerave, mashtrimi të tjerëve, gënjeshtra e paturpësia dhe shpesh sikur ngadhjente e keqja dhe e liga mbi të vërtetën. Defilonin njerëz që nuk kishin asnjë parim, që nuk njihnin asnjë dashuri, që mburreshin me atë që realisht ishte gënjeshtër e shtirje dhe që ishin në gjendje që bënin çmos për një pozitë dhe për përfitime. Po edhe kur shpelosej e vërteta për ta, gjatë lojës e konflikteve që kishin, atyre nuk u bëhej vonë dhe sikur ndjeheshin krenar mu për ata se ishin krejt të humbur në jetën e tyre të mjerë. Prandaj e vlerësova lart tekstin, sepse ishte fjala ajo që e nxirrte bindshëm në skenë e që e sillnin besnikërisht te shikuesit atë që bënin personazhet. Brenda pak më shumë se një ore, pothuaj “pa marrë frymë”, dëgjuam gjithë anën e shthurrur të një shoqërie të sapo dalë nga lufta, si:
“Nëse ti tenton të bëhesh drejtor i drejtorive, më kunkurron mua, e kjo nuk është mirë. Por e bëre këtë, kur unë të jem drejtor, për ty nuk do të ketë më vend në këtë qytet, e kupton këtë apo jo?!” Ose:
“Grua, ti më njeh mua, unë nuk shitem kurrë, me asnjë kusht!”
“E di burri im, e di që ti shitesh, edhe për shumë pak madje! Ngrehu e shko ndërroje partinë, që të bëhesh drejtor!”
“Besa mirë po thua grua. Shkova!”

Regjia
Regjisori i shfaqjes, Faik Gashi, në mungesë të skenës rrotulluese, të skenografisë adekuate, të kostumeve, të ndriçimit të nevojshëm e hapësirës së duhur, ka gjetur zgjidhje të qëlluara për të punuar edhe pa këto, duke krijuar shfaqje skenike me vetëm një akt. Dhe ia ka arritur. Edhe pse komedia ka katër personazhe që janë më shumë të pranishëm në skenë e dy që dalin në lojë vetëm pak kohë, por efektshëm, plotnia e skenës nuk mungon as edhe një çast. Aktorët pandërprerë e mbajnë me sukses vijën regjisoriale dhe komunikojnë bindshëm midis tyre e me publikun. Sikur spontanisht shpalosin problemet e thella e fatale të një shoqërie. Është meritë e dukshme e regjisorit që ka arritur aq bindshëm të tregojë se si bashkëjetojnë, në një shoqëri ku mungon tradita, drejtësia dhe mirëqenia, komedia e tragjedia, po edhe një e keqe e madhe e disi e pranueshme nga të gjithë, e tërë një populli. E gjithë kjo komedi (dhe tragjedi), është e shfaqur në formë shumë groteske, që zbutet nga elementet komike, shoqëruar me ironinë, sarkazmën e cinizmin, që ngulitin më thellë te shikuesi atë që e thonë loja e fjala.
Gjatë gjithë kohës, sa zgjati drama, aktorët ishin të varur nga mungesa e lëvizjeve të nevojshme për ta ngrehur rolin në lartësitë që kishin arritur dhe shpëtonin të gjitha me spontanitetin e lëvizjeve, me diksionin e këndshëm, që deri diku ua pengonte mungesa e akustikës së nevojshme. Regjisori e përmes tij edhe aktorët, me gjeturinë e tyre, kanë arritur të largojnë nga vëmendja praninë e skenografisë shumë të varfër dhe kostumet që ishin krejt të zakonshme. Nga kjo çasje doli fuqishëm para publikut e para ekspertëve të skenës, një temë sociale që në nëntekstin e saj interferon shumë probleme, të cilat bëjnë që qytetarët e këtij vendi të vendnumërojnë me dekada, në disa aspekte edhe me shekuj. Këto të meta nuk mbulohen do nga fakti se kemi të bëjmë me një qytet bashkëkohor, në të cilin flitet për pasuri milionëshe, për ndriçime madhvshtore neoni, për pozita të larta pushtetore e afariste, sepse shpirti atavik dhe brendia e paqëndrueshme kulturore, arsomore e humane, e thonë të kundërtën.
Komedia që pamë është shpalosje karakteresh, realisht personazhesh pa karakter dhe regjosiri ka krijuar me ta njriun antikarakter. Ashtu si ka nxjerrë edhe një Antigodo. Derisa Godoja pret duke e njohur veten, këta pritës të kotësisë veprojnë, sepse nuk kanë fuqi ta njohin e as nuk duan ta njohin veten. Këta flasin, veprojnë, gënjejnë, urrejnë dhe përmes dialogëve, shpesh pa dashur, shpalosin veten e errët dhe të kotë, duke tregur se jetojnë dhe veprojnë vetëm sipas interesave të çastit e të vockëla, krejt personale.

Loja e aktorëve
Me të filluar shfaqja, aktorët i gjejmë në ambientin pa norma i të një shoqërie me pretendime të larta, e cila jeton pa trasuar rrugët e duhura për ecje drejt ardhmërisë. Fillimi është një pamje idilike dhe kënga emblematike “Baresha” e Rexho Mulliqit e Nexhmije Pagarushës i bën shoqëri një gruaje e cila e mbytë kohën dhe vetminë e saj në një ambient familjeje gjysmëpatriarkale dhe të varfër. Por, shpejt kuptohet se ajo, Valmira (e luajtur nga Qëndresë Kajtazi) është e mbushur me ambicie e me pretendime kulminante, të cilat ajo i manifeston në formën e vetë, ashtu si ia ka mësuar dhe kultivuar rrethi ku jeton. Me mbarimin e këngës, tek ajo e tek publiku përfundon edhe idila, apo jeta pa brenga, por me plot uzdajë, si një bareshë dikurshme, sepse ajo nuk është më e lumtur, nuk i ka vërtet për zemër ato tni-na-ni-na-të e bareshës që ka rritur shtatin, Ajo tashti ka zbërthyer prangat e një vajze patriarkale dhe bënë jetë “moderne” dhe nën tavolinën e saj fshihet një kodosh, i cili magjepset me të e punon në heshtje ta ngris atë sa më lartë, duke mbetur skllavi i saj. Ai lëpihet pas bukuroshes, duke i premtuar asaj pozitën më të madhe të mundshme të asaj province, duke u betuar se do ta emërojë “drejtoreshë të të gjitha drejtorive”. Por derisa ai largohet nga skena, i rrezikuar nga burri e nga të tjerë, përballë na dalin pretendentë të tjerë, që në fakt janë burra të zhburrëruar, të spastruar nga çdo normë njerëzore dhe mes vete luftojnë për të njëjtën pozitë dhe për të njëjtën femër.
Në luftë për gruan më “i vendosuri” del burri, Luani (që e aktron Fisnik Ademi), i cili shtihet si burrë dominant, madje edhe atëherë kur gruaja filtron hapur me adhuruesit e saj. Ai ka fjalë të mëdha e punë fare. Nga shkaku “i butësisë” së tij, lufta për bukuroshen nuk është aq e ashpër, as kur Arditi (aktruar bukur nga Mehmet Preteni) e as kur shfaqet Kosumi, fshatari me kollare (aktruar nga Adem Zhitipotoku), edhe pse të dy e ngacmojë hapur gruan e tij. Luani mundohet ta ruajë “burrërinë”, por vazhdimisht hetohet se është me këmbë e me krye një krijesë imorale, si nga morali “mashkullor”, ashtu si edhe nga nga morali shoqëror, edhe pse flet se ka merita për lirinë e vendit. Në luftën e tyre, përmes gënjeshtrave, shantazhit e premtimeve të kota, ata dalin njerëz që betohen në atdhedashuri, në miqësi e në burrëri, por tregohen vazhdimisht se as që posedojnë ndonjë nga këto vlera, përkundrazi, kanë sa të duash të meta dhe pjesë të helmuara e të palavdishme të një shoqërie pa rregull e rend.
Luani e Valmira, si bashkëshort, tregojnë se nuk lidhen bashkë nga dashuria, nuk kanë midis tyre as ndonjë lidhje interesi, por janë bashkë se nuk kanë ku shkojnë e për këtë as merakosen, po presin dhe ëndërrojnë ditët e tyre të bardha. Luani shtihet si qytetar i ndershëm e me peshë dhe Valmira shtihet se është një grua rreth së cilës sillet e tërë elita intelektuale, politike dhe afariste. Shohim se të gjithë këta janë të një brumi dhe të një ndërtimi “moral e njerëzor”. Ky “ndërtim” na mundëson të kuptojmë se lufta për autoritet e pozitë bëhet jashtë shtëpisë, përmes burrave pa as një të vetmen mëritë shoqërore, që sillen e lidhen te gruaja e shokut të tyre, vetëm pse ajo është joshëse dhe pse kanë përshtypjen që e tërë provinca sillet rreth saj. Mandej ngjarja dhe ajo luftë del në skenë, ndodh brenda familjes. Burri, që pretendon se tashmë është zgjedhur drejtor, shpaloset si arrogant dhe fillon ta përçmojë gruan “vetëm tek unë ke ngrënë bukë ti!”. Gruan e ngrehin në qiell dhe e fyejnë të gjithë së bashku. Por, kur vjen “kodoshi” (aktruar nga Artan Hetemi) ata shndërrohen në të nënshtruar e të bindur ndaj saj dhe secili e nge deri në qiell për “meritat” e saj. Kurse Valmira, gruaja që arrin pozitën e paëndërruar kurrë në jetë, sapo merr vendimin e punës, nxjerr gjithë anën e saj prej një femre të paarsimuar, të keqtrajtuar dhe shpirtërisht të paformuar. Ajo fillon të besojë në, vlerat e larta të saj, mu kur faktikisht nuk e posedon asnjë prej tyre dhe ndjehet e plotfuqishme, rrethuar nga shumë meshkuj që i lëpihen dhe lavdërojnë skajshmërisht. Ajo për një kohë edhe beson se është vërtetë meritore dhe e ditur. Por, ëndrra shprishet. Vjen lajmëtari (aktori Fatmir Haliti) dhe njofton se emërimi i Valmira Gashit, si drejtoreshë e të gjitha drejtorive, ishte një gabim teknik, sepse nëpunësi që kishte plotësuar vendimin e emërimit kishte ngatërruar emrin e saj me atë të Valmira Krasniqit, e cila ishte e emëruara e vërtetë.
Kjo që pamë në skenë edhe mund të ndodhë, madje edhe ndodh, në përditshmërinë tonë e në shtetin tonë të brishtë. Dhe kjo na lë të kuptojmë se lufta për pozitë e meritorëve të pasluftës, sa vjen e bëhet më e ashpër, më e egër, duke arritur deri në zhdukjen e rivalëve. Shpalimi me sukses i gjithë këtij kompleksiviteti të personazheve, i aspekteve të brendshme e të jashtme, arrihet përmes lojës së qëlluar nga të gjithë aktorët, të cilët përveç fjalës së folur apo të gjallë, thënë ndryshe shprehjes vizuele dhe akustike, kanë të gjallë edhe gjuhën e trupit, e cila u jep semantikën e dyfishtë apo të trefishtë të fjalës, jep mundësinë të shijohet ky tekst dramatic e kjo regji e qëlluar. Akcenti, melodia, theksi, plus gjestikulacioni, i japin fjalës forcën artistike, e thellojnë anën psikologjike dhe aspektet realiste, që ndërmjet tyre lidhen fuqishëm përmes marrëdhënieve të personazheve, dialogëve të tyre dhe funksionalitetit të vazhdueshëm të lojës.

Për fund
Salla e Shtëpisë së Kulturës “Rexhep Mitrovica” ishte përplot spektatorë dhe nuk gjasonte me zbrazëtin e simotrave, që të shumtën e herave, anë e kënd Kosovës, zakonisht janë pothuaj të zbrazëta e shpeshherë shfaqjet anulohen për shkak të mungesës së publikut.
Prandaj unë, jam krenar, së bashku me shokët e tjerë nga Eerizaj, që kemi udhëtuar për në qytetin i cili vlerëson dramën origjinale shqiptare, si dhe të shkrimtarit ferizajas Rrahim Sadiku. Por, dhurata më e mira ishte shfaqja mbresëlënëse që e pamë dhe e përjetuam.
Kjo më detyrin të pëgëzoj autorin e tekstit, regjisorin, aktorët dhe të gjithë ata që kontrubuan për realizimin e kësaj shfaqjeje. Vërtetë një punë e suksesshme, e denjë për ta mbajtur mend, si për aktualitetin skenik, ashtu edhe për bukurinë artistike.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img