Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar dënuar vendosjen e mjetit shpërthyes në shtëpinë e Murat Mehës.
Në një reagim për media, KMDLNJ thotë se brenda një qarku të ngushtë kohor në Kosovë përkatësisht në Prishtinë u gjuajt një predhë shpërthyese në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, u hodh gaz lotsjellës në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, u gjuajt me gurë ndërtesa e Qeverisë së Kosovës dhe u vendos një mjet shpërthyes në shtëpinë e Murat Mehës ndërsa sulmuesit, në tri rastet nuk u identifikuan kurse nënkryetari i LV u arrestua për gaz lotsjellës.
“Persona të paidentifikuar deri më tani më 9 gusht 2016 vendosën një mjet shpërthyes në shtëpinë e Murat Mehës, udhëheqësit të Komisionit Shtetëror për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi… KMDLNj e dënon vendosjen e mjetit shpërthyes në shtëpinë e Murat Mehës të cilit me këtë rast, sikur edhe anëtarëve të familjes së tij seriozisht i rrezikohet jeta”, thuhet në njoftim.
“Moskapja e kryerësve të këtyre veprave të dhunshme, mungesa e transparencës gjatë bisedimeve për Demarkacion, fjalori fyes, kërcënues dhe denigrues duke e përjashtuar dialogun demokratik ka ndikuar dhe po ndikon në zgjerimin e spirales së dhunës në Kosovë dhe për këtë nuk mund të shfajësohet asnjëra palë konfrontuese e që tash janë në një raport thuaja armiqësor”, thuhet në reagim.
“Kosovës i duhet një hapësirë demokratike dhe një dialog i mirëfilltë, konstruktiv në të kundërtën, qytetarët e Kosovës do të mbesin peng i një lufte të pashembullt dhe të paskrupullt për pushtet. Murat Meha ka qenë personi më i sulmuar, më i fyer dhe më i kërcënuar pikërisht për shkak të rolit të tij në bisedimet për Demarkacion me Malin e Zi. Mirëpo, kjo nuk i jep të drejtë askujt, që me mjete të dhunshme ta rrezikojë jetën dhe sigurinë e familjes Meha”, thuhet në njoftim.
KMDLNj e vlerëson si tepër të ngutshëm dhe tensionim të situatës dërgimin e projektligjit për Demarkacion në Kuvendin e Kosovës për miratim, pa paragjykuar se cila palë ka të drejtë në këtë kontekst aq më parë që nuk janë marrë parasysh argumentet e paraqitura në tubimin shkencor për Demarkacion në Kuvendin e Kosovës më 3 gusht 2016.
Derisa nuk sqarohet deri në fund çështja e Demarkacionit me Malin e Zi, KMDLNj i mbanë përgjegjës për tensionim të situatës dhe përshkallëzim të dhunës të dyja palët të cilat, deri më tani me fjalorin e tyre përjashtues kanë kontribuar në këtë situatë.
“Askush nuk mund të përdorë kartën e patriotizmit për qëllime politike duke shpallur palën tjetër tradhtarë të popullit! Situata është shumë serioze dhe në përputhje me këtë duhet të jetë sjellja e atyre që janë përgjegjës, pavarësisht a janë pozitë apo opozitë. Në përputhje me këtë duhet të jetë edhe reagimi i Policisë së Kosovës dhe organeve tjera të sigurisë, përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve dhe funksionimin e ligjit. Moszbardhja e rasteve të dhunës vetëm sa do të ndikojë në rritjen e dhunës!
KMDLNj kërkon që akterët e veprimeve të dhunshme kundër individëve siç është rasti i Murat Mehës dhe sulmeve ndaj institucioneve të arrestohen dhe të sillen para drejtësisë si parakusht për parandalimin e dhunës në të ardhmen. Ndryshe, ka gjasa reale që Kosova të shndërrohet në një vend krejtësisht të pasigurt dhe jofunksional!”, thuhet në reagim.