Përkundër që shumë shtete ndajnë para për fëmijët deri në moshën 18-vjeçare, një gjë të tillë nuk e bën shteti i Kosovës.
As pas gati 20 vjetësh nga përfundimi i luftës, prindërit ende nuk marrin shtesa për fëmijët e tyre, gjë që do t’iu ndihmonte financiarisht për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.
Organizatat që merren me të drejtat e fëmijëve po kërkojnë që institucionet e vendit sa më shpejtë të shtyjnë përpara krijimin e skemës për ndarjen e këtyre mjeteve, raporton KTV.
Deputetja nga AAK-ja, Donika Kadaj – Bujupi, kur partia e saj ishte në opozitë, i kishte propozuar Kuvendit që të vendosin për ndarjen e shtesave për fëmijë.
Por, kjo iniciativë nuk e kishte marrë përkrahjen e deputetëve të tjerë të asaj legjislature.
Tani kur kjo parti ka ardhur në pushtet, deputetët e saj sërish kanë kërkuar nga Kuvendi që të diskutojë për këtë çështje, derisa pas debatit presin që të miratojnë një rezolutë, përmes së cilës do ta obligojnë qeverinë që të planifikojë skemën për shtesa.
Ndarja e mjeteve si ndihmë për fëmijët tashmë është në tavolinën e punës të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Nëse gjithçka ec si duhet me reformat që po bëhen në këtë drejtim, atëherë deri në vitin 2019 fëmijët do t’i gëzojnë shtesat e tyre.
Propozimi është që familjet të marrin nga 10 euro për secilin fëmijë me synimin që kjo shumë e tillë të rritet në vazhdimësi.