Studentët në kërkesën e drejtuar Rektoratit kanë thënë se që nga përfundimi i luftës në Kosovë mungon një memorial përkujtimorë për studentët që u vranë gjatë luftës.
Kërkesa e studentëve drejtuar Rektoratit të Prishtinës:
I nderuar Rektor i UP-së, Z. Majan Dema
Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së
U bënë 17 vite që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe që nga ajo kohë Kampusit universitar i mungon një Memorial përkujtimor për të gjithë ata studentë që u vranë gjatë luftës së fundit në shërbim të Atdheut tonë Kosovës.
Historia e vetë Universitetit të Prishtinës është e lidhur ngushtë me studentë e tij, Universitetit i Prishtinës, megjithëse një Universitet i ri në kontekst të universiteteve me histori qindvjeçare, përvoja e hidhur historike nuk i ka munguar aspak. Studentët e Universitetit të Prishtinës përjetuan më shumë se askush tjetër dhunën kundër arsimit, lirisë, shprehjes së lirë, dhunës mbi institucionet akademike etj..
Prandaj mund të thuhet se roli i studentëve të Universitetit të Prishtinës për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb padyshim ishte i madh që nga organizimi i protestave e deri të bashkimi në radhët e UÇK-së.
Prandaj ne e shohim të arsyeshme vendosjen e një memoriali të tillë në Kampusin e Universitetit të Prishtinës.
Ne ju drejtohemi juve si organe udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës që të ndani një vend të përshtatshëm për vendosjen e këtij Memoriali përkujtimor.
Gjithashtu nga Këshilli Drejtues i UP-së kërkojmë që të ndaj një pjesë të mjeteve financiare për ndërtimin e këtij Memoriali. Ne do ti drejtohemi edhe Institucioneve tjera relevante në mënyrë që pjesa më e madhe e shpenzimeve financiare të sigurohen nga institucionet tjera që ne do të ju drejtohemi.
Ne mendojmë se është obligim moral por edhe institucional vendosja e një Memoriali të tillë në Kampusin e UP-së.
Duke ju falenderuar paraprakisht , mbesim me shpresë që do të aprovohet kjo kërkesë e jona!