Takimi i para pak ditësh mes të parit të Ferizajt, Agim Aliu dhe drejtorit të Korporatës Energjetike KEDS dhe drejtorit të investimeve në këtë kompani, po vijon me konkretizim të bashkëpunimit. Sot, drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu zhvilluan takimin njoftues me drejtorin e KEDS, Alper Erbas dhe drejtorin e investimeve në këtë kompani, Hasan Oz ku u shpalosën objektivat e KEDS për investimet në territorin e Ferizajt.
Drejtorët komunal panë nga afër zonat ku synohet të shtrihen këto investime dhe bashkërenduan veprimet në funksion të kryerjes së këtij investimi gjigant nga kjo kompani në planin afatshkurtër. Ata u shprehën të gatshëm të ndihmojnë më të gjitha kapacitetet lokale në këtë proces, duke i siguruar drejtorët e kësaj kompania që qeverisja lokale merr përsipër të gjitha obligimet në kompetencën e saj, për lehtësimin e procesit investiv.
Janë rreth 4 milionë euro investime që priten të kryhen gjatë këtij viti në territorin e Ferizajt, kryesisht në funksion të modernizimit të rrjetit shpërndarës, trafostacioneve, evitimit të mungesa në mbulueshmërinë me energji elektrike të territorit, sanimit të pikave defektoze të shpërndarjes dhe uljes së humbjeve të energjisë elektrike.