Kësaj radhe këtë shkrim kushtuar Akv “Kastriotët” të Ferizajt të themeluar më 18 Qershor 1967, jo vetëm si kronist, por edhe kryetar i parë, po e nisi me kushtet dhe rrethanat në të cilat u formua kjo trupë artistike, që më vonë të behët një prezantuese e denjë, jo vetëm në nivel rajonal, e që falë qindra artistëve që ptë tre brezave bën që ky projekt me shumë sukses të mbijetojë edhe në gjysmëshekullin e dytë të formësimit, aq më parë që tash qyteti ka jo vetëm talent të shumtë në këtë fushë, por edhe shkolla muzike nivelesh të ndryshme
Teksti nga grupi themelues me fotot e Rexhep Rifatit
Si ide për themelimin e një shoqërie kulturo artistike në qytetin e Ferizajt, merret nëntori i vitit 1965, kur edhe mbahet një koncert në shtëpinë sindikatave të këtij qyteti, më 29 Nëntor 1965. Pasi që koncerti u tregua suksesshëm, ish- normalistët Rexhep Rifati, Qamil Bytyqi e Ramadan D. Ramadani, Fehmi Zeqiri, Mehmet Emërllahu, Ismet Topalli, Feim Jupa e vlerësuan këtë si një nxitje për themelimin e një shoqërie kulturo -artistikë me karakter komunal. Hapi i parë ka qenë që të bëhet legalizimi dhe legjitimiteti.
Grupi nismëtar për realizimin e këtij koncepti për themelimin e një shoqëria kulturo- artistike ka qenë i përbërë nga Ramadan D. Ramadani, Rexhep Rifati dhe Qamil Bytyqi. Biseda e parë në këtë drejtim për themelim është bërë në zyrën e Komitetit Komunal të LK në Ferizaj, ku prezent ishin Sinan Sahiti, asokohe sekretar i KK dhe Halil Buçinca, kryetar i Kryesisë së LSPP. Biseda rreth kësaj teme u zhvillua në pranverën e vitit 1967.
Një shoqëri e mirëfilltë shqiptare
Pasi i informuam për idenë për themelimin e një shoqërie kulturo-artistike që do të kultivojë kryesisht melos popullor, këngë e valle shqiptare të kësaj treve e më gjer. Pasa dëgjuan kërkesën tonë, Sinan Sahiti, përkrahi pa rezervë idenë e paraqitur. Edhe atë me këto fjalë: “ E përkrahi pa rezervë këtë ide dhe iniciativë, prapa së cilës qëndroj edhe unë. Por mbështetjen, konkretisht, do ta keni nga Halil Buçinca.- , kështu në mënyrë të përmbledhur e shpjegojnë këtë takim ideatorët e themelimit të shoqërisë.
Menjëherë pas kësaj bisede, filluam veprimet konkrete rreth zgjerimit të rrethit të njerëzve, që do të na përkrahnin në realizimin e këtij qëllimi. Që në fillim të kësaj teme, hasëm në një përkrahje të pa rezervë, përveç të disa çarqeve të sakatuara shoviniste serbe, që reagonin ndaj çdo nisme shqiptare. Ishte një periudhë mbas plenumit të Brioneve, e merrej një frymë pak sa më lirishëm edhe në kulture, ndaj vepruam më ngulmë në sendërtimin e projektit për finalizimin e kësaj shoqërie. Ndërkohë doli edhe një pengesë nga qarqe të caktuara, sigurisht me qëllime ndjellakeqe, që SHKA që do të themelonim të fuzionohej në kuadër të SHKA “Nerodimka” (një ansambël serb), të cilin propozim e hodhëm apriori.
Takime e konsulta edhe nëpër fshatra
Ndërkohë, në përputhje me rrethanat e krijuara paraqitej nevoja për zgjerimin e një rrethi njerëzish për mbajtjen e një kuvendi themelues. Për këtë qëllim u mbajtën edhe disa konsulta në shtëpi private, si te : Qamil Bytyqi, Rexhep Rifati, në Ferizaj, pastaj te Ramadan D. Ramadani në Tërn, Jahja Azemi në Sllatinë dhe te Sabri Berisha në fshatin Nekodim, ku ishte i pranishëm edhe profesori ynë Esat Dauti, që u solidarizua me propozimin tonë dhe na përkrahje të pa rezervë.
Pas përgatitjeve, në fillim të qershorit 1967-të, grupi nismëtar, mori qëndrim që më 18 Qershor 1967 të thirret Kuvendi themelues. Në organizimin dhe mbajtjen e kuvendit themelues morën pjesë shumë individë, të cilët përkrahën dhe ndihmuan mbajtjen e kuvendit nga të cilët po përmendim: Sinan Sahitin, Halil Buçinca, Hivzi Fazliun, Fetah Mehmetin, Faik Jasharin, Rizah Rexhepin, Jakup Bunjakun, Nazmi Marevcin, Naim Bashën, Jonuz Topojanin, Refik Sermaxhajn, vëllezërit Baki e Bislim Kastratin, Fehmi Zeqirin, Mehmet Emërllahun, Sabri Berishën, Jahja Azemin, Osman Berishën dhe disa të tjerë. Shumica nga këta ishin edhe delegatë të kuvendit themelues.
Kuvendi themelues u mbajt më 18 Qershor 1967, kryesuar nga Rexhep Rifati, Ramadan D. Ramadini dhe Qamil Bytyqi, ndërsa që procesmbajtës ishte Jakup Bunjaku, korrespodent i gazetës “Rilindja” i cili edhe shkoi artikullin e parë për themelimin e “Kastriotëve”. Kuvendi u mbajt në një atmosferë konstruktive. Delegatët u zotuan se do ti kryejnë gjitha detyrat që dalin nga vendimet e këtij kuvendi. Ishte interesant, që përveç diskutimeve të tjera u debatua edhe rreth emrit të shoqërisë kulturo-artistike. Ishin disa propozime, si “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, “Naim Frashëri”, Vëllezërit Frashëri”. Pas propozimeve të dala u lajmërua profesor Naim Basha, i cili preferoi që shoqëria të emërtohet me emrin “Kastriotët” , që gjë u miratua unanimisht.
Nga kuvendi doli kryesia në përbërje:
Rexhep Rifati, kryetar
Hivzi Fazliu, sekretar
Ramadan D. Ramadani
Qamil Bytyqi,
Baki Kastrati
Bislim Kastrati
Nazmi Marevci
Jakup Bunjaku
Mehmet Emërllahu, anëtar
Ndërkohë u krijuan edhe aktet normative ligjore, si statuti, rregullorja e punës, vula katrore dhe vula e rrumbullakët, të cilën e ideoi dhe vizatoi Hivzi Fazliu. Në vulë emërtimi i shoqërisë figuronte: Shoqëria Kulturo Artistike “Kastriotët” Ferizaj.
Kush ishin solistët dhe instrumentistët e parë?!
Pas themelimit të shoqërisë, lindi nevoja për konsolidimin e saj me anëtarë, kryesish solistë. U mbajtën dy edicione: në sallën e vogël Kuvendit komunal dhe në sallën e kinemasë së qytetit. Grupin që e udhëhoqi erudicionin e përbënin Jakup Bunjaku, Hivzi Fazliu dhe Ramadan D. Ramadani Në këtë përzgjedhje dolën këta solist:
Nol Berisha,
Hivzi Fazliu
Qamil Bytyqi,
Zyrafete Fazliu,
Ismet Topalli dhe
Feim Jupa.
Në fillim kishte sa vështirësi rreth themelimit të orkestrës, ngase në qytet kishte pak instrumentist, pos mandolinës që ishte vegla kryesore muzikore në normalin e Ferizajt. Mungesa më e madhe ishte për harmonikist. Zgjidhja u gjet me doktor Hysen Demjahen, stomatolog në shtëpinë e shëndetit. Kështu u themelua orkestra në përbërje:
- Hysen Demjaha, harmonikë
- Bislim Kastrati, klarinetë
- Baki Kastrati, prim
- Fehmi Zeqiri, mandolinë
- Adem Bilalli, kitarë
- Jakup Bunjaku, violinë
- Gani Selimi, violonçel
- Kamer Avdiu, kitarë
- Shabi Sejdiu, def
Përkundër pengesave, koncerte jo vetëm përmasash lokale
Vështirësi të shumta për lokal Pengesa e dytë dhe kryesore ishte mungesa e lokalit për mbajtjen e ushtrimeve, pasi që shtëpia e kulturës i kishte të mbyllura dyert për shoqëritë shqiptare, e sidomos për shoqërinë e posa themeluar të “Kastriotëve”, me që edhe më tej aty vepronin tre Acallarë me ngarkesa shoviniste, që kishin një qëndrim urrejtës ndaj kulturës shqiptare. Për këtë arsye u detyruam të ushtronim në vende jo adekuate dhe kishim edhe vështirësi reale. Ushtronim në podrumin e shkollës së sotme fillore “De Ra Rada”, apo në shtëpi e banesa private, deri në mbajtjen e koncertit të parë në vjeshtën e vit 1967. Koncerti i parë është mbajt në shtëpinë e armatës në Ferizaj, i dyti në Shtime, i treti në Kaçanik dhe i katërti në Han të Elezit, pasi në këto dy të fundit kishim përkrahje të pa rezerveë nga ish kryetari i Kaçanikut, Sali Bajra, që më vonë e shpallëm edhe kryetar nderi. Që të gjitha këto koncerte patën jehonë të jashtëzakonshme dhe tubonin një numër të madh të publikut. Ndodhte që një pjesë e publikut të qëndronte në këmbë, e të krijoheshin edhe atmosfera entuziaste.
Përgatitje të veçanta u bën për pjesëmarrjen e “Kastriotëve”, në 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, për çka edhe patëm vështirësi edhe për sigurimin e kostumeve për anëtaret e shoqërisë. Zgjidhja u gjete nga një shitore tekstili, që na ofroi stofin për qepjen e rrobave. Më 17 Janar 1968, “Kastriotët” e Ferizajt, për shkak të emrit të derës së Kastriotëve, patën nderin që të hapin manifestimin qendror në Gjakovë, ku merrnin pjesë edhe shoqëritë simotra nga trevat e ndryshme shqiptare.
Promotorët që ngritën niveliartistik të ansamblit
Gjithsesi kontributin më të madh e dhanë gjeneratat që pasuan, që e avancuan punën e këtij ansambli, mbi të gjitha kontribut të jashtëzakonshëm dha promotoori dhe drejtuesi artistik, Hivzi Fazliu dhe më vonë edhe Fahri Beqiri, që përmes një pune vetëmohuese bën që “Kastriotët” të nxjerrin jo emra të shquar të skenës sonë muzikore, por që disa nga instrumentistët të bëhen pjesë e ansamblit kombëtar “Shota”. Kontribut të pamohueshëm dhanë edhe drejtuesit e më vonshëm të këtij ansambli, përfshi koreografë, solistë, valltar, e instrumentistë. Do përmend gjithsesi edhe kontributi i madh që dhanë isht-drejtorët e Shtëpisë së Kulturës së Ferizajt, Ali Lubishtani dhe Shukri Hoxha. Do shtua gjithashtu se edhe një përudhë e rrugëtimi të më vonshëm u tejkalua me pengesa serioze, sidomos ajo nën okupimin serb. Megjithatë do të mbeten në kujtesë sidomos dy turnet e vitit 1979 në disa shtete evropiane dhe Shqipëri. Ndërsa që brezat e më vonshëm të ansamblit do të realizojnë turne të tjera dhe pjesëmarrje edhe në shumë manifestime e festivale, ndaj edhe u jemi të gjithëve me radhë shumë mirënjohës.
Si grup themelues, jemi të vetëdijshëm se me këtë shkrim u kemi mbet borxh shumë anëtarëve, drejtuesve dhe të tjerëve që kanë mbështet “Kastriotët” por qëllimi këtij shkrimi ishte që të nxjerrim në dritë kushtet dhe rrethanat në të cilat u themelua, që brezi i sotëm i ansamblit të mësoj se nga filloi puna e shoqërisë së tyre.
Kujtojmë me pietet e respekt ata që na mungojnë
Krejt në fund të kujtojmë përherë me pietet të gjithë ata që kontribuuan në këtë ansambël por që tash prehen në amshim, puna e të cilëve ka lënë vulë të pashlyeshme në rrugëtimin mbi gjysmëshekullor të “Kastriotëve” ferizajas, që nga një grup entuzistësh arritën të bëhen një trup e mirëfilltë artistike me përmasa kombëtare.
( Tekst i hartuar nga themeluesit e “ Kastriotëve”: Rexhep Rifati, Qamil Bytyqi e Ramadan D. Ramadani me korrektësinë dhe përgjegjësinë më të madhe)