26,12,2024

Kadri Veseli: Kosova mund ta luftojë korrupsionin

Must Read
Kadri Veseli

Në një intervistë për Telegrafin, Veseli ka thënë se opozitës i ka propozuar disa herë ndërmarrjen e një nisme legjislative për hartimin e një ligji të pastërtisë së figurës publike, me të cilin do t’u pamundësohej të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, që të kandidojnë për detyra të larta shtetërore.

Për të parandaluar korrupsionin, kryeparlamentari Veseli ka thënë se duhet të luftohet edhe kultura korruptive, sepse krim bëjnë edhe ata që japin ryshfet, jo vetëm ata që marrin.

Veseli, po ashtu, ka folur në këtë intervistë edhe për Drenasin, reformën zgjedhore, si dhe kërkesën e opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Telegrafi: Z. Veseli, këto ditë është folur shumë për luftën kundër korrupsionit. Kemi pasur reagime të ashpra, sidomos nga ambasadori amerikan dhe ai britanik, të cilët bënë thirrje që të dënohen zyrtarët e përfshirë në korrupsion. Si e shihni ju këtë dukuri negative, mjaft shqetësuese për qytetarët?

Veseli: Sikurse edhe në vendet e tjera në tranzicion, edhe në Kosovë korrupsioni është një prej pengesave kryesore të forcimit të ekonomisë dhe demokracisë. Është e vërtetë që ai po shkakton një dëm të madh për çdo qytetar, duke rritur koston e jetës dhe duke ulur cilësinë e shërbimeve publike. Dhe natyrisht se ka një kosto të papërballueshme edhe për ekonominë tonë, duke dëmtuar klimën e biznesit dhe duke dekurajuar investitorët e brendshëm e të jashtëm. Por, për ta luftuar këtë dukuri negative, duhet të angazhojmë në mënyrë maksimale vëmendjen, energjitë dhe burimet e çdo faktori në shoqërinë tonë. Kosova mund ta luftojë korrupsionin.

Telegrafi: Si mund të luftohet? Çfarë duhet të bëni ju, që korrupsioni mos të rëndojë më jetën e qytetarëve. Keni diçka konkrete, strategji kundër korrupsionit?

Veseli: Ju keni të drejtë që kërkoni veprime e strategji konkrete, sepse këtë e kërkojnë edhe qytetarët tanë. Lufta kundër korrupsionit mendoj se duhet të bazohet në minimum tri shtylla kryesore. Së pari, në rritjen e efikasitetit, së dyti në rritjen e rigorozitetit kundër kësaj dukurie negative, dhe së treti në rritjen e transparencës së institucioneve të drejtësisë.

Është e vërtetë që një kohë të gjatë sistemi i drejtësisë ka qenë në dorë të UNMIK-ut, e mandej një pjesë e përgjegjësisë është ndarë me EULEX-in, megjithatë sot institucionet tona duhet ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe të angazhohen fuqimisht për sigurimin e zbatimin e ligjit. Ato duhet të sigurojnë që askush të mos jetë as mbi ligjin. Ne duhet të angazhohemi që të rrisim mbështetjen dhe kapacitetin e institucioneve të drejtësisë, për të ndërmarrë nisma ligjore që mbyllin boshllëqet apo që i shmangin mbivendosjet dhe paqartësitë ligjore. Ne duhet të përmirësojmë bazën ligjore dhe institucionale, duke rritur rreptësinë e masave ndëshkuese për shkelësit e ligjit, me reforma që kanë efekt parandalues.

Telegrafi: Z. Veseli, ju jeni kryetar i partisë më të madhe dhe zyrtarë të PDK-së kanë madje edhe aktakuza për vepra korruptive. Pse po i lejoni që, përkundër aktakuzave, ata të vazhdojnë të jenë pjesë e qeverisjes, ose ndoshta që në të ardhmen të jenë përsëri edhe në listat zgjedhore?

Veseli: Unë i kam propozuar disa herë edhe opozitës ndërmarrjen e një nisme legjislative për hartimin e një ligji të pastërtisë së figurës publike, me të cilin do t’iu pamundësohej të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, që të kandidojnë për detyra të larta shtetërore. Nëse opozita është e interesuar që ta shërojmë së bashku plagën e korrupsionit dhe jo vetëm të propagandojë, atëherë le ta mbështes një nismë për t’i larguar nga jeta publike individët që kanë kryer korrupsion apo që kanë pasur lidhje me krimin. Me anë të kësaj nisme, mund të kërkojmë edhe një kontroll të kujdesshëm dhe kritik për çdo individ përpara se të kandidojë për një detyrë të rëndësishme shtetërore.

Nisma të tilla janë ndërmarrë me shumë sukses në vende të tjera të ngjashme në tranzicion, prandaj do të mund të kishin efikasitet të madh edhe në Kosovë.

Telegrafi: Sipas jush, cilat do të mund të ishin reformat ligjore dhe institucionale që do të mund t’i mbyllnin kanalet e korrupsionit në institucione?

Veseli: Për ta parandaluar këtë dukuri negative, ka shumë rëndësi që të ndërtojmë struktura institucionale që shpërblejnë ndershmërinë dhe transparencën, duke minimizuar mundësitë dhe hapësirat korruptive dhe duke ndëshkuar abuzuesit e posteve shtetërore. Pjesë e filozofisë sime si kryetar i PDK-së është edhe derregullimi, përmes të cilit mendoj se lëmë sa më pak autoritet në dorë të vendimit të qeveritarëve apo burokratëve, në mënyrë që mos ta përdorin autoritetin për të bërë presion e siguruar ryshfete. Me derregullim, nënkuptohet edhe thjeshtimi i procedurave, minimizimi i hallkave burokratike dhe heqja e barrierave ligjore të panevojshme. Pra, derregullimi faktikisht ul korrupsionin nëpërmjet mbylljes së rrugëve apo hapësirave për të bërë korrupsion. Por, problem te ne është edhe kultura korruptive, që për ta minimizuar dëmin e saj duhet të punohet më shumë edhe në ngritjen e vetëdijes qytetare.

Telegrafi: Mendoni që korrupsioni është shndërruar në kulturë kolektive? Faj për këtë, sipas jush, kanë edhe vetë qytetarët?

Veseli: Nuk po dua të keqkuptohem, por ne duhet ta luftojmë edhe kulturën korruptive, sepse krim bëjnë edhe ata që japin ryshfet, jo vetëm ata që marrin. Korrupsioni ka dy anë, palën që merr ryshfet apo zyrtarët, por edhe dhe palën që jep. Pra, ka ofertën dhe kërkesën.

Debati publik deri më tani është përqendruar shumë në anën e kërkesës, që nënkupton anën e qeverisjes dhe zyrtarëve, mirëpo ka ardhur koha që këtë fenomen ta trajtojmë në mënyrë më të plotë, duke marrë në konsideratë nevojën për të adresuar problemin kulturor edhe me palën që jep, e cila po ashtu ka përgjegjësi ligjore. Nuk mund të luftohet korrupsioni seriozisht nëse nuk trajtohet me seriozitet edhe gatishmëria e qytetarëve të caktuar për të dhënë ryshfet.

Secili qytetar ka përgjegjësi individuale para ligjit dhe duhet të punojmë më shumë që të ndërtojmë një kulturë ligjore tek qytetarët tanë, që secili të mos pranojë as të marrë, por as të japë ryshfet.

Po ashtu, çdo qytetar duhet të refuzojë të bashkëjetojë me kulturën e ryshfetit dhe favoreve, por të revoltohet, të jetë vigjilent dhe t’i denoncojë kudo që ballafaqohet me to.

Telegrafi: Si mund të ndryshohet kjo?

Veseli: Po, duhet të punohet më shumë me institucionet arsimore, në kurrikulat shkollore dhe në debatin tonë, që të nxisim edukimin e qytetarëve për të respektuar ligjin dhe institucionet, për të promovuar transparencën dhe integritetin. Ne duhet të gjithë të promovojmë modele të shëndosha për rininë tonë dhe heronjtë e sotëm duhet të jenë Majlinda Kelmendi, Rita Ora e Dua Lipa, duhet të jenë artistët e filmit Shok dhe të gjithë ata që sukseset e tyre i kanë arritur falë talentit dhe punës së palodhshme dhe të ndershme.

Telegrafi: Z. Veseli, aktuale janë edhe zgjedhjet në Drenas, që për juve natyrisht se janë sfiduese, meqë tani timoni i PDK-së është tërësisht në duart tuaja. Konsiderohet se PDK atje është përçarë. Do t’ia dilni që ta qeverisni sërish Drenasin?

Veseli: PDK është unike. Jemi partia e parë dhe më e organizuara në vend. Jemi subjekt politik që diversitetin e brendshëm e konsiderojmë pasuri. Mendimet ndryshe janë normale, të domosdoshme dhe tejet të shëndetshme për demokracinë. Ju tashmë e keni parë që ka një konsensus të gjerë për Ramiz Lladrovcin si kandidatura më e duhur për Drenasin. Tashmë, ne kemi parë një mobilizim të madh të strukturave të partisë atje, po dëgjojmë çdo ditë brengat e qytetarëve, si dhe po shpalosim projektet tona për zhvillimin e kësaj komune. Më 4 dhjetor, do të konfirmohet vazhdimi i qeverisjes së Drenasit nga PDK.

Telegrafi: Opozita kërkon që të shkohet në zgjedhje menjëherë, ndërkohë që kemi një nismë nga presidenti Hashim Thaçi për reformën zgjedhore – të cilën Vetëvendosje, AAK e Nisma e kanë bojkotuar. Si duhet të veprohet, sipas jush? 

Veseli: Po, presidenti Thaçi tashmë ka ndërmarrë një nismë për reformën zgjedhore. PDK angazhohet që ajo të kryhet, si nevojë e domosdoshme për të pasur zgjedhje sa më të mira. Janë një varg çështjesh që mund të shtrohen, e të cilat do të mund ta thjeshtonin dhe përmirësonin sistemin zgjedhor. Për fat të keq, këto kohë, opozita nuk është duke menduar për interesin e qytetarëve, jo vetëm për reformën, por edhe për çështje tjera të rëndësisë nacionale, siç është rasti me liberalizimin e vizave, gjë që është e dhimbshme. Shpresoj që të reflektojë.

Telegrafi: Partitë opozitare kanë përjashtuar mundësinë që të bëjnë koalicione në të ardhmen me PDK-në. Çfarë nëse do t’ju duhet të qeverisni sërish vetëm me LDK-në?

Veseli: E kemi dëgjuar disa herë rrëfimin për opozitën dhe “përjashtimin” e PDK-së nga matematikat e koalicioneve. Vazhdimin, besoj, e dini vetë. Gjithsesi, PDK, siç edhe ka treguar deri më tash, nuk udhëhiqet nga politikat përjashtuese. Sidoqoftë, ne jemi të fokusuar në qeverisjen aktuale. /Telegrafi/

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img