Kadri Veseli ka prezantuar në konferencë për media vendimet e fundit të Kryesisë së PDK-së për fuqizimin e rolit të gruas dhe për vazhdimin e fuqizimit të partisë me kuadro të reja.
“Kemi vendosur që në të gjitha strukturat e PDK-së, përfaqësimi i grave të jetë 40%. Kjo është kuotë minimale e cila do të avancohet me rritjen e numrit të grave në vendimmarrje”, tha Veseli i cili premtoi se në zgjedhjet e ardhshme lokale gratë do të marrin rol edhe më të madh.
Ai tha se PDK tashmë e ka dhënë dëshminë për gratë ku një javë më parë ka emëruar Dhurata Hoxhën, ministre të Drejtësisë. Pastaj kryetari Veseli ka prezantuar nënkryetarin e ri të PDK-së, Uran Ismailin, për të cilin tha se ka dëshmuar që nga viti 2007 se ka potencial, veçanërisht në kuadër të organizimit partiak. “Jam i bindur se Urani i cili sapo është kthyer nga një shkollim cilësor në Universitetin prestigjioz të Harvardit në Shtetet e Bashkuara, do të jetë motiv dhe dëshmi për të gjeneratat e reja se PDK është e hapur dhe mirëpret fuqizimin me vlera të reja. Unë i ftoj të gjithë të rinjtë që t’i bashkohen vizionit të PDK-së ”, tha Veseli.