Si komb, shqiptarët shquhen për bujari, zotësi, përgjegjshmëri, besë e shpresë. Mirëpo, a po i ruajmë këto virtyte kur po arrijmë të marrim një post shtetëror, publik?
Realiteti thotë JO e shpresa thotë PO, sepse jemi të gatshëm të “këndojmë” edhe atëherë kur “lotët rrëke na shkojnë”.
Kemi shumë arsye të kërkojmë ato që na mungojnë, na mundojnë, na takojnë edhe ligjërisht:
– Në numër kemi shumë akte juridike, por disa vështirë për t’u zbatuar, për shkak të mosanalizës së implementimit dhe ndikimit të tyre në jetën e gjithmbarshme të popullsisë;
– Kemi Qeverinë me 21 ministri, me 80 zëvendësministra e shumë këshilltar, por kemi shumë probleme sa që s’di njeriu se cili problem dhemb më shumë e në anën tjetër kemi aq pak rezultate në punë, pa llogaridhënie;
– Kemi aq shumë zotime e premtime nga ata që u kemi dhënë votëbesimin, por kemi pak realizim të atyre premtimeve;
– Kemi shumë protesta e greva, por kemi pak realitet në qëllimin e tyre. Më shumë ndikohen nga politika, më pak kanë qëllimin e mirë për të cilin manifestohen ato;
– Kemi shumë debate, tryeza, analiza për nevojat dhe problemet madhore të vendit dhe popullit, por kemi pak ide konkrete për zgjidhjen e tyre;
– “Nga numri i përgjithshëm i popullsisë në Republikën e Kosovës 30% janë fëmijë”( sipas Agjencisë së Statistikave), por ende nuk kemi një ligj specifik për mbrojtjen e tyre.
I dhimbshëm është fakti që jep Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF përfshinë 22 OJQ, së cilës dje iu bashkangjitën edhe 3 organizata të tjera) ku thuhet se:” 10.7% e fëmijëve janë të angazhuar në punë, 6.8% e fëmijëve punojnë punë të rrezikshme, 90% e fëmijëve me nevoja të veçanta nuk kanë qasje në shërbimet arsimore, shëndetësore, sociale.”
Është paralajmëruar se fëmijët do të marrin nga 10€ çdo muaj, por më shumë se paradoks, jo të gjithë fëmijët do t’përfitojnë këtë shumë. Llogarisim se 2€ kushton udhëtimi nga fshatrat deri te banka e cila i ndalë 2€ për shërbimin e saj, kështuqë 6€ mbesin neto. Më pak se lëmoshë.
Nga shumë ligjet që kemi dhe pak efektetshmërinë që marrim, Ligji për Përkrahje Materiale Familjeve me Fëmijë me Aftësi të Kufizuara ju garanton përkrahje materiale vetëm fëmijëve me aftësi të kufizuara të përhershme, duke përjashtuar ata me nevoja të veçanta të pjesërishme, që jo rrallë për mungesë financiare të trajtimit të sëmundjes, fëmijët kalojnë nga ata me kufizime shëndetësore të pjesërishme në aftësi të kufizuara të përhershme. Edhe ashtu, shuma që iu jepet është e pamjaftueshme, 100€ në muaj që nuk plotësojnë as minimalisht nevojat që kanë ata.
Sa shumë jemi e sa pak shpirt kemi, sa të papërgjegjshëm e mosllogaridhënës jemi tregon vet fakti se në ç’gjendje i kemi lënë fëmijët, krijesat më të brishta e engjëllore të shoqërisë.
Kemi nevojë të punojmë edhe natën e të mos bëjmë gjumë që të minimizojmë problemet e të gjejmë zgjidhje nga zgjedhjet më të mira. Sot, s’na duhen e s’kemi kohë për të humbur në greva e protesta (pavarësisht se janë e drejtë e jona), meqë më shumë na duhen veprat, veprimet që na forcojnë si shtet dhe rrisin dëshirën e secilit njeri që të veproj e të jetoj në këtë vend e të mos mendoj ikjen nga Kosova, si alternativë për plotësimin e nevojave jetësore.
Vjollca Aliu, Master në Administratë Publike dhe Diplomaci