24,12,2024

Ish zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa: Zonja Nagavci, pse kjo lojë me nxënësit ?

Must Read

Ende pa kaluar më shumë se  2 javë nga fillimi i procesit mësimor, përsëri krijohen tensione të panevojshme. Ministria rishikon kalendarin shkollor ( që është edhe kompetencë e saj ) , dhe vendos për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës. Në anën tjetër, SBASHK,  Këshilli i Prindërve dhe Kryetarët e Komunave e kundërshtojnë vendimin e ministrisë, duke e konsideruar të njëanshëm dhe duke pretenduar që mund të kishte propozim më të mirë dhe më të arsyeshëm.

Pikërisht kjo ka qenë arsyeja që unë në prononcimet e mija të shumta jam deklaruar se ministria është dashur  që në grupin për rishikimin e kalendarit shkollor  ti përfshinte edhe sindikalistët, Këshillat e Prindërve, DKA,  ndonjë drejtor të shkollave , apo edhe njohës të arsimit. Një përfaqësim i tillë do të shërbente edhe si mundësi e uljes së tensioneve të krijuara për muaj të tërë.

Interesi e ka dashur që për këto dy javë të kishim takime të përditshme mes Ministres Nagavci dhe kabinetit të saj me sindikalist, prindër, zyrtar komunal, etj., me të vetmin qëllim harmonizimin e veprimeve të përbashkëta në interes të nxënësve e arsimit në përgjithësi. Por, duket hapur që ka munguar vullneti i ministres dhe kabinetit të saj për bashkëpunim e ulje të tensioneve.

Ministrja Nagavci duhet ta tejkaloj egon e saj dhe ta kuptoj që përgjegjësia më e madhe për situatën e krijuar bie pikërisht mbi të,  për shkak të pozitës që mbanë. Ministrja Nagavci duhet ta kuptoj njëherë e përgjithmonë se ajo dhe rrethi  i saj nuk mund ti duan nxënësit më shumë se sa i duan prindërit dhe mësimdhënësit e tyre.  Që nga fillimi kam shprehur shqetësimin tim se  QEVERIA dhe MASHTI do të mundohen që përfundimin e grevës ta paraqesin si fitore të tyre  madhështore përballë mësimdhënësve. Jo Ministre, nuk mund dhe nuk duhet  të ndjeheni fituese në një proces kur janë humbur mbi 2 milion orë mësimi.

Me injorimin dhe mosgatishmërinë për të bashkëpunuar me sindikalist, prindër e përfaqësues komunal, keni kontribuar në  krijimin e dilemave të paarsyeshme.

Nxënësit nuk dinë se kë ta dëgjojnë : ministren që thotë se nesër ( e shtunë)  mbahet mësimi, apo ti dëgjojnë mësimdhënësit  ( SBASHK) dhe prindërit e tyre ( Këshillin e Prindërve) që thonë se nuk do mbahet mësimi ?

Këto situata do të rëndojnë edhe më shumë në psikologjinë e nxënësve edhe ashtu të rënduar si rezultat i grevës 22 ditore. Prandaj, Zonja Ministre është koha që të  reflektoni dhe ti ndryshoni veprimet. Besoj që tanimë  jeni bindur që injorimet nuk janë rruga e duhur e veprimit dhe se kalimi nga një krizë në tjetrën tregon paaftësi menaxhuese.

PO, kam qenë, jam dhe do jem PËR zëvendësimin e orëve të humbura, por kjo duhet arritur edhe në pajtueshmërinë e plotë me mësimdhënës, prindër e DKA.

Uroj që kjo të jetë hera e fundit që nxënësit e prindërit përballen me dilemën: mbahet apo jo mësimi ditën e nesërme ?

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img