07,05,2024

Inaugurohet Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj

Must Read

Ferizaj sot pati një festë të veçantë. Qindra qytetarë, drejtues institucionesh lokale, profesorë universitar, biznese, studentë e entuziastë të teknologjisë ishin mbledhur në godinën e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë për ta bërë inaugurimin e kësaj vepre publike të rëndësisë së veçantë për qytetin tonë dhe ndikimin që ka ajo në zhvillimin ekonomik lokal.

Nikoqiri i kësaj ngjarje, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu me ekzekutivin dhe legjislativin lokal, mirëpritën kreun e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, atë të Administratës Publike, Mahir Jagxhillar si dhe deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica të cilët arritën në Ferizaj për ta bërë me ceremoni solemne, inaugurimin e këtij institucioni të rëndësisë strategjike për kryeqendrën e zhvillimit ekonomik në Republikën e Kosovës – Ferizajn.

Në fjalën e tij, para qindra të pranishmëve, i pari i Ferizajt, Agim Aliu, entuziast për këtë ngjarje dhe përmbushjen e zotimit të tij për themelimin e këtij institucioni, tha se Ferizaj me këtë institucion përmbush një pjesë të konsiderueshme të mozaikut të objektivave qeverisëse për zhvillimin ekonomik, duke i shtuar qytetit tonë një adresë të re zhvillimi.

“Sot, po hapim një mundësi të re për dhjetëra talentë, një shteg që transformon gjeneratat duke i ofruar atyre përparësitë e botës së teknologjisë. Vendosmëria në këtë ndërmarrje është fryt i vullnetit të mirë dhe vizionit të përbashkët për ta plotësuar një boshllëk, që nuk mund t’i atribuohej një qendre kaq të zhvilluar ekonomikisht, siç është Ferizaj. Sot, në çdo cep të kësaj hapësire që shtrin lirshëm trupin në 1000 metrat e saja, ëndrra është realizuar në përpikërinë e zotimit, për t’i dhënë frymën dhe shkëlqimin në çdo finesë e pritshmëritë që ushqen kjo ngrehinë. Jam i lumtur, madje i entuziazmuar, që gjenerata e re ka kaq mundësi, kaq shumë teknologji, kaq shpresë. Ne nuk e patëm këtë fat, ne u përpoqëm që këtë t’ua lëmë pasardhësve si një testament brezash” ndër të tjera, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli duke e quajtur këtë institucion një mundësi më shumë për të rinjtë dhe bazë të sigurt për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror tha se orientimi i institucioneve qendrore dhe lokale do të jetë drejt nismave të tilla që transformojnë standardin tonë shoqëror dhe ekonomik.

“E mira e Ferizajt dhe e mira e Kosovës, është pjesa e ndërmarrësisë e novatorëve të rinj, orientimi nga rinia dhe përkrahje e këtyre resurseve tona të jashtëzakonshme. Institucionet e Republikës së Kosovës edhe pushteti komunal, duhet të orientohet drejtpërdrejt në gjërat të cilat janë të mirëqena dhe ato janë ndërmarrësia, zhvillimi ekonomik, resurset humane, resurset natyrore të cilat i kemi të jashtëzakonshme e të cilat janë një burim i pashtershëm, një potencial i zhvillimit, transformimit dhe modernizmit të shtetit tonë të pavarur e sovran. Kosova ka perspektivë, edhe buxheti do të orientohet nga inovacioni dhe ndërmarrësia, nga njerëzit që e duan vendin, nga njerëzit që duan të punojnë për vendin që e kanë një dëshirë të zjarrtë që ta zhvillojnë dhe ta përmirësojnë jetën jo vetëm të familjes së tyre, por edhe ta përmirësojnë jetën e rrethit të tyre, por edhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Rini keni besim në shtetin e juaj, shteti është i shenjtë” tha Kryeparlamentari Kadri Veseli.

Kurse ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj për këtë ceremoni të inaugurimit të Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj tha se ky investim i përbashkët i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Komunës së Ferizajt siguron një mjedis dinamik për të gjeneruar idetë e reja inovative me impakt në ekonominë lokale.

“Ky investim është një arritje e madhe për qytetarët e Ferizajt, në veçanti për rininë po hapet një dritare e së ardhmes, që garanton perspektivë zhvillimore ekonomike dhe sociale në qytetin e Ferizajt dhe rrethinën. Qendra siguron një mjedis dinamik, që do të fokusohet në inkubim, trajnime, hulumtim dhe zhvillim, mentorim dhe konsulencë, hapësirë e përbashkët e punës, takime dhe konferenca, B2B dhe projekte donatorësh. Konkurrueshmëria dhe qëndrueshmëria e ekonomisë lokale do të bazohet në gjenerimin e ideve të reja inovative, koordinimit të mirëfilltë të akademisë dhe sektorit privat, si dhe rritjen e kompetencës profesionale” tha ministri Beqaj.

Me prezantimin e pajisjeve teknologjike nga studentë të kësaj fushe, asete këto të këtij institucioni dhe ceremoninë simbolike të prerjes së shiritit që shënon hapjen e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Ferizaj tashmë ka një strehë të talentëve tanë dhe një mundësi më shumë për të rinjtë dhe biznesin lokal.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Faton Xhakli zgjedhet selektor i Kombëtarës së Kosovës në Boks

Trajneri i mirënjohur ferizajas Faton Xhakli në mbledhje e fundit të bordit të Federatës së Boksit është zgjedhur selektor...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img