Nga viti 1921, kur u ndez drita e parë, deri në vitin 1983 kur u bë elektrifikimi i plotë i vendit, pati shumë zhvillime. Sjellim këtu historinë e zhvillimeve energjetike në gjashtë dekada përmes rrëfimeve emocionuese nga akterët të cilët që luajtën rolin kryesor.
Një dritë e vogël që e merrte energjinë nga një akumulator qëndronte e ndezur natën e Bajramit të Vogël në xhaminë e boshnjakëve në Ferizaj.
Më 1921 u ndez drita e parë në Ferizaj, pasoi makina me avull për prodhimin e rrymës
Ishte kjo drita e parë e ndezur në Kosovë 97 vjet më parë. Ky veprim i shqiptarit nga Shkupi nxiti lëvizje të shpejta që të fillohet me elektrifikimin e Kosovës. Gjithçka nisi në Ferizaj, por edhe vazhdoi aty. Pas disa javësh në qytet u soll një makinë me avull e cila prodhonte energji elektrike.
Avulli, fillimisht ngrohej përmes naftës, e më vonë përmes qymyrit, një proces me parime të ngjashme të termocentraleve të sotme.
Isuf Vata, 62- vjeçar, përgjegjës i objekteve të KEDS-it në distriktin e Ferizajit dhe anëtar i një nga familjeve të para të Ferizajit tregon për makinerinë prodhuese.
“Fillimisht prodhonte 6 kW. Me të ndizeshin dritat e qytetit dhe disa shtëpi. Dy vjet pas, kapacitetet u dyfishuan dhe energjia shpërndahej me dy linja paralele secila nga 6 kW. Filluan të ndriçoheshin edhe shtëpitë e njerëzve të rëndësishëm të qytetit”, tregon Vata.
E gjithë kjo, ishte arritur falë punës së palodhshme të Sani Kagjaskës, kryepunëtor, i cili kishte ardhur nga Gjakova për këtë punë.
“Ai arriti ta zhvillonte atë makineri dhe të ndizte dritat e para në Kosovë. Punoi vite me radhë, deri në vitin 1957, kur regjimi i atëhershëm e detyroi ta lëshonte vendin dhe të shpërngulej në Stamboll, ku edhe vdiq në moshën 93-vjeçare”, thotë Cakaj.
Më 1922 ndërtohet trafostacioni i parë në Ferizaj
Pas dritës së parë dhe prodhimit të parë të energjisë elektrike, po në Ferizaj u ndërtua edhe trafostacioni I parë. I njohur si Centrala, ai u ndërtua në vitin 1922 dhe qëndroi aty dekada me radhë, deri në vitet ’60 të shekullit të kaluar, kur qyteti u lidh me rrjetin elektrik të Kosovës.
“Centrala ndodhej te mulliri i qytetit. Ajo shpërndante energjinë elektrike për Ferizajin”, tregojnë banorët e qytetit që shërbeu si nyje hekurudhore për shumë vjet.
Sot, trafostacioni nuk ekziston më, sikurse as mulliri. Është një tokë e thatë, ndërsa ngjitur me të është ndërtuar një objekt tjetër, që sot njihet si Shtëpia e Bardhë.
“Entuziazmi ishte i madh. Ndonjëherë mbeteshim deri vonë dhe nuk kishte më linja treni për Prishtinë. Duhej të flinim në ndonjë shtëpi. Banorët na prisnin me respektin dhe miqësinë më të madhe”, tregon Breznica.
Më 1970 – 1980 periudha kur Kosova shënon përparimin më të madh në historinë e saj
Dekada 1970-1980 ishte koha kur Kosova ka shënuar përparimin më të madh në historinë e saj. Pos avancimit politik, zhvillimit të arsimit, kishte marrë hov të madh edhe zhvillimi ekonomik. Ishte kjo dekada kur u ndërtua pjesa më e madhe e rrjetit elektrik të vendit.
“Ekonomët e komunave na thoshin para ka, mos ndali me projekte. Përfundoni të gjitha”, thotë Breznica.
Ai tregon edhe një rast nga fundi I viteve ’70-ta. “Po bënim elektrifikimin e fshatrave të Drenicës. E përfunduam elektrifikimin e Açarevës. Por, asnjë shtëpi nuk kishte poç elektrik për ta provuar dritën e parë. Për fat e mbaja një në veturë. Kur u ndez drita në atë vend, reagimi i banorëve ishte për mbamendje. U stepën. Ka ndodhur 40 vjet më parë, por më duket si sot. Nuk do të doja të isha në asnjë vend tjetër”, rrëfen Breznica.
Nga një vend që nuk kishte asnjë dritë për ta provuar, sot i njëjti fshat ka plot 8 trafo.
Pas Drenicës, ekipet kosovare vazhduan elektrifikimin e fshatrave të veriut, deri në Rashkë. Edhe Breznica ishte pjesë e ekipit, që pos Kosovës, kishte elektrifikuar edhe shumë pjesë të Serbisë dhe zonave tjera përreth.
Elektrifikimi i Kosovës zyrtarisht u përmbyll në vitin 1983, ku u energjizuan të gjitha fshatrat e Rugovës. Ishte festë e madhe, ku morën pjesë të gjitha personalitetet e atëhershme të rëndësishme të vendit.