Krerët më të lartë të shtetit, duket se nuk e kanë ndërmend të kursehen nga shpenzimet e luksit, për punën që ata e bëjnë
Të deleguarit e shtetit, si presidenti, kryeministri, kreu i Kuvendit, e deputetët vetëm për gjashtë muaj e ardhshëm të këtij viti pritet të harxhojnë milionat nga fondi i shtetit për paga dhe mëditje, si dhe shërbime tjera.
Ndërkohë që Kuvendit të Kosovës, për këtë vit, pritet ti rriten shpenzimet e mallrave dhe shërbimeve, ndryshe siç ishte parashikuar në janar kur edhe ishte miratuar buxheti.
Ministria e Financave, në janar kur edhe kishte marrë vendimin për të planifikuar shpenzimet buxhetore të nivelit qendror, kishte vendosur që të ndaj 9 milionë e 174 mijë e 515 euro, për harxhimet e Kuvendit, mirëpo vetëm pas rishikimit të buxhetit, shuma ishte rritur.
9 milionë e 389 mijë e 515 euro, është shuma , e cila është ndarë për shpenzimet e Kuvendit, pas rishikimit të buxhetit. Kështu duket se i ka matur financat e saj kjo Ministri.
E në rishikimin e buxhetit të aprovuar në qershor të këtij viti, shihet se shpenzimet e Kuvendit për mallra e shërbime janë rritur në 1 milionë e 703 mijë euro , ndryshe nga 1 milionë e 688 mijë, sa ishin në buxhetin fillestar, shkruan GazetaFjala.
Edhe tek zyra e presidentit Hashim Thaçi, është planifikuar rritje e buxhetit në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.
770 mijë ishte shuma e paraparë për shpenzimet e mallrave dhe shërbimeve në zyrën e presidentit Thaçi, mirëpo pas rishikimit të buxhetit këto shpenzime janë rritur për 986 mijë euro.
Mustafa i rrit shpenzimet Hoti i ul
Ndërkohë që zyra e Kryeministrit Isa Mustafa, pritet ti rrit shpenzimet e luksit. Totali i shumës që kryeministri pritet të shpenzoj bashkë me kabinetin e tij për këtë vit, është 12 milionë e 366 euro ndryshe nga 11 milionë e 801 mijë euro, sa ishte në fillim të janarit.
Ministria e Financave, e cila merret vet me planifikimin e buxhetit, ka vendosur ta sakrifikoj vetën, duke i ulur kështu shpenzimet e buxhetit të saj.
Ministri Avdullah Hoti, duket se është bërë pishman të harxhoj shumën prej 28 milionë eurosh sa e kishte planifikuar në janar, sepse pas rishikimit të buxhetit ai kishte zbritur këtë shumë në 25 milionë euro.
Njëjtë është vepruar edhe me Ministrinë e Shëndetësisë. Shpenzimet e përgjithshme që ishin paraparë të kapnin shifrën prej 55 milionë eurosh, pas rishikimit buxhetor janë zbritur në 52 milionë euro për këtë ministri.
Ndryshe, nga dy ministritë paraprake, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, që udhëhiqet nga Hykmete Bajrami, i ka rritur kërkesat e saj për shpenzime. Në janar rreth pesë milionë e 97 mijë, kanë qenë planifikimet fillestare të kësaj ministrie.
Mirëpo, pas gjashtë muajsh, kjo Ministri ka marrë vendim të rris planifikimet për shpenzime, në 5 milionë e 419 euro.
Edhe ministria e cila u siguron mbijetesën nga skemat sociale qytetarëve, ka rritur planifikimet buxhetore pas rishikimit. 358 milionë e 292 mijë euro ishin paraparë të shpenzoheshin për këtë ministri. Ndërkaq pas rishikimit buxhetor, 365 milionë e 998 euro, do të jetë shuma në dispozicion të kësaj Ministrie.
Ministria e Skender Hysenit, nuk do të mundet ti gëzohet rritjes së shpenzimeve. Pasi kësaj të fundit, pas rishikimit buxhetor, i janë ulur planifikimet buxhetore të parapara, prej 109 milionë e 123 mijë eurosh. 106 milionë e 493 euro, është shuma e tanishme që kjo Ministri ka në shfrytëzim.
Për projekte kursehen para
Pavarësisht, rritjes buxhetore, ministria e Hykmete Bajramit, ka rritur edhe nevojat e saj për projekte. 2 projekte i janë shtuar kësaj ministrie.
Blerja e një laboratori mobil si dhe Ndërtimi Objektit te Agjensionit të zhvillimit të bujqësisë do t’i kushtoj kësaj ministrie, 770 mijë euro.
Ndërkaq Ministrisë së Infrastrukturës me rishikim të buxhetit, i janë ulur shpenzimet e parapara për investimet rrugore. Kështu për mirëmbajtjen e autostradës Morinë-Merdarë, në buxhetin fillestar ishin ndarë dy milionë euro.
Mirëpo, me rishikimin e buxhetit shpenzimet për investimet e parapara janë ulur në 1 milionë e 663 mijë euro.
Kjo ministri planifikon të shpenzoj miliona euro në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e urave si dhe zgjerimin e asfaltimin e rrugëve.
Ndërkohë edhe Ministria e Kulturës e udhëhequr nga Kujtim Shala, do të ketë ulje të shpenzimeve. Këto ulje kryesisht do të jenë në ndërtimin e palestrave sportive në disa qytete të Kosovës.
Mirëpo kjo ministri nuk do të kursehet të shpenzoj buxhetin e shtetit, pas pranimit të Kosovës, në organizmat ndërkombëtare të futbollit.
Vetëm për renovimin e stadiumit “Adem Jashari”, MKRS, pritet të shpenzoj 290 mijë euro, ndryshe nga 110 mijë euro sa ishin ndarë me miratimin buxhetor.
E për ndërtimin e stadiumit kombëtar të futbollit në Prishtinë, shpenzimet pritet të ulen nga 3 qind mijë sa ishin fillimisht në dy qind mijë euro.
E veteranëve duket se nuk po i ecën mirë bashkëpunimi me Ministrinë e Punës. Kjo ministri e ka ulur buxhetin e saj për përfundimin e qendrës së veteranëve në Klinë, do të shpenzoj vetëm 57 mijë euro nga 150 mijë sa ishin të planifikuara në buxhetin fillestar.
Kështu buxheti i shtetit, duket se ka shënuar ngritje.
Pavarësisht uljeve të shpenzimeve në disa institucione shtetërore, parashikimi i buxhetit në total është rritur për 33 milionë euro, kjo në vlerë totale arrin shumën e 1 miliardë e 635 milionë eurove.