Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili njëherësh është edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sot para të rinjve në Ferizaj, që aderuan në degën e AAK-së në Ferizaj, ka numëruar ato që ai i quajti suksese të Qeverisë së Kosovës, që nga koha kur ai është në udhëheqje të saj.
Haradinaj ka deklaruar se pavarësisht sukseseve që ka përmendur, asgjë nuk do ta gëzojë më shumë se sa koha kur do të ketë mungesë të fuqisë punëtore.
“Ju siguroj se ka deri në 30 për qind rritje të prodhimit në Kosovë, kalkulohet në mënyra të ndryshme, por deri në 30 për qind prodhimi vendor është rritur. Minimum është 18 për qind, numri i të punësuarve në prodhim në Kosovë është rritur. Ma së shumti kom me u gëzu kur nuk do të gjejmë punëtorë në Kosovë, jo kur s’ka vende të punës por s’gjejmë punëtorë. E di që ka kompani që ankohen edhe sot që s’kanë punëtorë”, ka thënë ai.
“Krejt jeta është krijim, duhet me krijuar një vlerë të re. Në vitin 99-të është krijuar liria, në vitin 2008 vlera e re ishte shteti. Tani vendimmarrësit në Kosovë, qeveria, çdo herë duhet me synuar krijim të vlerës së re. Por kornizën, apo si më thënë normën, si me krijuar atë vlerë të re, e kemi në Kushtetutën tonë, pra në vendimin e 17 shkurtit 2008”, tha Kryetari i AAK-së njëherësh Kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj. Kryeministri Haradinaj po ashtu ka folur për të arriturat që e qeverisë së tij, duke filluar nga taksa që i ka vënë mallrave me origjin serbe, për të cilën tha se e ka më në qejf, pastaj Ligjin për ushtrinë fillimin e prodhimit në energji dhe shmangia e kolapsit energjetik, statuti i Trepçës, zonat ekonomike, Ligji për investime strategjike, Ligji i pagave, Ligji për Prishtinën, përmbushja e kritereve për liberalizim. Po ashtu ai tha se Buxheti ka avancuar në masë dhe është investiv. “Ajo që ndodhi sot, pavarësimi energjetik, pra Kosova nuk ka qenë e pavarur, është një nga lajmet më të mëdha për Kosovën, pra jemi sot etnitet në vete. Njohja e statutit të viktimave seksuale. Ligji i statusit të punëtorëve arsimor për vitet e 90-ta, së fundi edhe shpëtimi i Telekomit nga rreziqet e kontratave që e bankrotojnë”, tha Kryeministri Haradinaj. Kryeministri Haradinaj i bëri këto deklarime në një takim që kishim me një numër të të rinjve të Ferizajt, që i janë bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.