Përkundër kundërshtimeve që i kanë pasur dy partitë në pushtet, PDK dhe AAK, rreth taksës që Qeveria e Kosovës i ka vënë Serbisë, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se vendimi për taksën është i Qeverisë dhe i tillë do të mbetet.
Dy partnerët e koalicionit qeverisës, AAK dhe PDK, duket të kenë raportet të mira pavarësisht qëndrimeve të ndryshme që këto dy parti politike i kanë për vendosjen e masës 100 për qind ndaj mallrave serbe.
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se vazhdojnë të kenë raporte të mira më PDK-në, dhe që vendimi për taksën 100 për qind ndaj Serbisë është i qeverisë dhe nuk do të ndryshojë.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës vazhdojnë të kenë raporte shumë të mira, përkundër qëndrimeve të ndryshme që mund të ekzistojnë rreth taksës 100 për qind. Vendimi për këtë të fundit është i Qeverisë dhe si i tillë do të qëndrojë”, tha Lekaj, për Gazetën Blic.
Dimë që dy partitë në pushtet, PDK dhe AAK kanë pasur disa kundërshtime sa i përket taksës 100 për qind. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka propozuar që taksa të pezullohet për 120 ditë derisa Serbia të i plotësojë 10 kushte.
Kujtojmë, që ditë më parë krerët e shtetit kanë pranuar një letër nga Zëvendës-asistenti i Sekretarit të Shtetit Amerikan, Matthew Palmer, i cili u ka treguar se taksa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake serbe, i ka prishur raportet me Amerikën.
Në letrën e dërguar, SHBA shpreh pakënaqësitë ndaj vendimeve të marra nga Qeveria Haradinaj. Por pavarësisht kërkesës së SHBA-së, për pezullimin e taksës, kryeministri Haradinaj ka lutur Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të i kuptojnë sa i përket taksës, dhe që kjo masë e vendosur nuk mund të pezullohet. Po ashtu, ai ka shprehur bindjen e tij që taksa 100 për qind do ta përshpejtojë arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi./