29,04,2024

Gjykimi për krime lufte në Nerodime të Epërme të Ferizajt, dëshmitarët rrëfejnë gjetjen e trupave të pa jetë të familjarëve të tyre

Must Read

Me dëshminë e dëshmitarëve – të dëmtuarve, I.N, H.N dhe A.N , të premten, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi ndaj Z.K dhe D.Sh, të akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në fshatin Nerodime e Epërme të Komunës së Ferizajt.

Në pyetje të prokurorit Enver Krasniqi, dëshmitaret I.N dhe H.N kanë treguar ngjarjen e 26 marsit të vitit 1999, ditën kur, sipas tyre, pjesëtarët e policisë, ushtrisë dhe paramilitarët serb i kishin rrethuar.

“Atë natë kishte të shtëna. Shkijet na patën rrethu, e kanë thy derën, na kanë qitë jashtë e na kanë rendit. Kemi dalë krejt tu piskatë, na kanë përzanë, na shajshin. Kur kemi dalë jashtë ka qenë flakë e madhe, shtallat, kashtat, shpija jem edhe e djalit të kunatit kanë qenë tu u kallë. Ata i kanë ndalë katër prej neve, dy djemtë e mi, kunatin O.N dhe djalin e kunatit B.N. Niherë se kena ditë a janë gjallë, na vishin lloj lloj lajmi, po ata të katërtit i kishin vra e masakru e i kishin varros në Ferizaj. Pas tre muajve i kena gjetë, po unë nuk jom kanë në vendin ku i kanë gjet. I kom pa në CD, i kishin vra, i kishin pre, ja u kishin mush barkun me zavoja”, deklaroi dëshmitarja – e dëmtuara I.N.

Tutje, ajo shtoi se atë ditë i kishte dëgjuar emrat, Z, Z, B, për çka u pyet nga kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli, nëse i kishte njohur ata si dhe a e kishte parë të akuzuarin Z.K.

“I kam njoftë. Z e ka pas arën ngat neve, njani o kanë komandant e tjetri zëvendës. Z.K e kam pa por edhe janë thirr me emra. I kam pas shumë afër, 2-3 metra. Krejt kanë qenë me armë, aty kanë fol krejt, nuk u merrshin vesh se folshin serbisht. Përmbi 50 persona janë kanë”, tha I.N, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ngjarjen e natës së 26 marsit të vitit 1999, e ka rrëfyer edhe dëshmitarja H.N.

“Atë ditë, policia-ushtria serbe kanë hy, na i kanë thy dritaret e kuzhinës, bërtitshin, ju mshojshin dritareve. Dul kunati I.N dhe ju tha mos bërtitni se po frikësohen fmitë, se i qes vet krejt jashtë. Kemi dalë jashtë, dikush mbathë e dikush dathë. Në fund të oborrit na renditën. Aty ka qenë prezent Z.K dhe B. N. a renditën, gjujshin me armë në ajër para neve. I kishin kallë stanat e bagëtive pastaj ja patën vu flakën edhe shtëpisë së O.N. Na kanë fy, sha e na kanë bërtitë. Na thanë fmitë edhe gratë me u nda dhe na qun në drejtim të ni sokaku e burrat i ndalën në oborr. Edhe shtëpisë sime i kishte hi flaka e edhe gruas së axhës. Vjehrri dashti me na ndalë e i pyti ku po i qoni, ata nuk e lejun, e tu dal na u dëgju fjala “PUCAJ” (gjuaj në gjuhën serbe), dhe sa që kanë mujtë kanë gjujtë. Ka pas shumë persona, 50-60. Pastaj kemi vazhduar rrugën për Dremjak. Aty mbet vjehrri O.N, B.N, B.N. dhe A.N. I kemi lënë mbrapa edhe më nuk i kemi pa. Të njëjtit i kanë gjet në Ferizaj, të gjithë së bashku në një varr. I kanë zhvarros e i kanë sjellë në Nerodime”, deklaroi H.N.

Tutje, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe A.N, i cili tha se ditën kritike kishte qenë në Gjermani dhe nga familjarët ishte njoftuar se nuk dihet fati për katër anëtarë të tjerë.

“Pasi jam kthy, nana edhe anëtarët e tjerë më kanë tregu që katër familjar nuk janë në mesin tonë. Kemi fillu kërkimin e tyre. Në një kanalizim i kemi gjet disa kufoma, por nuk kanë qenë familjarët tonë. Gjatë kërkimit jam taku me një person, S.H, me të cilin e kemi diskutuar çështjen e zhdukjes së familjarëve sepse edhe atij ja patën zhdukë një vëlla. Kam fillu me i përshkru ata, babën, vëllain dhe dy djemtë e mixhës. Më tha që ata i kanë gjet në Ferizaj. Ai e ka pas shtëpinë përball varreve. S.H më pat tregu që e ka pa D.Sh e pastaj S i ka thanë mos i gjuni kështu kufomat e tani D.Sh i ka urdhëru do rom mos me i gjujtë, por me i palu kufomat dhe i ka fotografu”, deklaroi ai.

Dëshmitari A.N shtoi se kishte shkuar tek varrezat, ku e kishte vërejtur një varrezë të hapur me eskavator, prej së cilës kishte nxjerrë trupat e pa jetë të familjarëve dhe të një personi tjetër, I.R.

“E kam pa babën, ja kam pa rrypin e qystekun dhe e kam vërejte që është baba. E kemi nxjerrë dhe e kemi qit në trap. Sot e asaj dite i kam parasysh nofullën e thyme, ka qenë i mavijosun, organet gjenitale i ka pas të preme. Kufoma e dytë ka qenë e djalit të mixhës, A.N, ka qenë 19 vjeçar. Ai ka pas thymje. Kufoma e tretë ka qenë e B.N. Unë nuk di qysh me e përshkru por ka pas thyrje, qarje të barkut. Kufoma e katërt ka qenë e vëllait, B.N. I ka pas këmbët e thyme, gishtat, pluma ka pas prapa shpinës. E kemi gjet edhe kufomën e pestë, I.S. Atë nuk e kam njoftë atëherë. Edhe ai ka pas pluma prapa shpinës, nofullën e thyme, kokën e krisur, duart, këmbët e thyme”, ka thënë dëshmitari A.N.

Seancat e radhës janë caktuar më 27 dhe 30 nëntor, në ora 09:30, ku pritet të dëgjohen dëshmitarët e tjerë.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 dhjetor 2019, i akuzuari Z. K., më 26 mars 1999, rreth orës 22:00, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije e qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë drektë në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes N. që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, i njëjti gjatë këtij aksioni në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, fillimisht me mjete motorike ushtarake dhe policore, ka hyrë në oborrin e shtëpisë së O. N, e pastaj nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhën serbe, rrëmbyeshëm dhe me formë kanë hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar 19 anëtarët e kësaj familje, në mesin e tyre fëmijë, gra e burra.

Pastaj, thuhet se i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë të cilët u përkisnin forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, ka marrë pjesë në cenimin e rëndë të personalitetit dhe dinjitetit të pjesëtarëve të kësaj familje, ngase me forcë nën kërcënimin e armëve, duke ndjellë frikë për jetën e tyre, i kanë nxjerrë dhunshëm nga shtëpia dhe duke i trajtuar në mënyrë jo humane i kanë rreshtuar në oborr para shtëpisë duke i mbajtur nën frikë dhe presion për një kohë të gjatë.

Tutje, thuhet se në vazhdim derisa personat civil të familjes N., ishin të rreshtuar në oborr, në prezencën e tyre, i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë, ka marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe qëllimshëm të pasurisë së kësaj familje, djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë që gjendej në oborr, pasuri kjo që nuk justifikohej me nevoja ushtarake.

Pastaj, sipas akuzës, i pandehuri në të njëjtën kohë ka marrë pjesë edhe në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familje, të cilët paraprakisht ishin të rreshtuar në oborr, ku në bashkëveprim edhe me kryerës tjetër, nën kërcënimin e armëve  i kanë urdhëruar të shpërngulen nga vendbanimi i tyre duke i dëbuar me forcë në drejtim të panjohur.

Tutje, thuhet se i pandehuri ka marrë pjesë në marrjen peng të katër personave të kësaj familje, i cili duke vepruar në bashkëveprim me kryerës tjerë, fillimisht i ka ndarë nga pjesëtarë tjerë të familjes, personat O. N, B. N., A. N. dhe B. N., tani të ndjerë. Pas marrjes të tyre, thuhet se thelbësisht ka kontribuar në trajtimin mizor të tyre, duke i maltretuar, torturuar, gjymtuar dhe përfundimisht vrarë me armë zjarri, kufomat e të cilëve me qëllim të fshehjes së krimit i kanë hedhur për skaj rrugës magjistrale Prishtinë – Ferizaj, konkretisht në fshatin Babush.

Për këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së, të paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës nga neni 146, paragrafi 1 dhe 2 , nënpargrafi 2.1,2.2 dhe 2.3 të KPRK-së, ndërlidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Kurse, i pandehuri D. Sh., sipas aktakuzës, më 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pajetë, viktimave O. N., B. N., A. N. dhe I. R., ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

Sipas akuzës, në një njëjtën ditë, sipas urdhrit të të pandehurit dhe pjesëtarëve tjerë policorë, trupat e pajetë të viktimave të cekura si më larë, përmes personave H. K., I. A. dhe një personi tjetër i quajtur “R”, me kamionin e tipit “FAP”, me ngjyrë të verdhë janë tërhequr nga Morgu i Prishtinës, ende pa u bërë autopsia dhe janë dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt të quajtura “varrezat myslimane”, ku aty ishte duke i pritur i akuzuari D. Sh., i cili menjëherë posa kanë arritur trupat e pajetë, ka urdhëruar personin e quajtur “M”, që me ekskavator të fillojë hapjen e një grope me qëllim të hedhjes së këtyre.

Ndërkaq, më pas, akuza thotë se pas hapjes së gropës me përmasa përafërsisht 2 deri në 3 metra e gjerë dhe 70 deri në 80 cm të thellë, i pandehuri D. Sh., ka urdhëruar që trupat e të vrarëve fillimisht t’i zbresin nga kamioni, e pastaj pa u respektuar traditat dhe ritet fetare janë hedhur në mënyrë të parregullt të gjithë në të njëjtën gropë masive.

Sipas akuzës, në përfundim, i pandehuri në kundërshtim me doket, zakonet dhe rregullat fetare të të vrarëve ka urdhëruar që përmes ekskavatorit trupat e pajetë të hedhur në gropë masive të mbulohen me dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e të varrosurve dhe duke mos lënë asnjë shenjë identifikuese se aty ka varrezë.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprat penale “krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 LP të RSFJ-së, aktualisht e dënueshme edhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës nga neni 146, paragrafi 2.2 “ Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës”.


- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjendet i vdekur një person në Entin Special në Ferizaj

Një person ka vdekur në Entin Special në Ferizaj. Këtë e ka bërë të ditur Drejtoria Rajonale e Policisë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img