29,03,2024

Gjykata e Ferizajt urdhëron ekspertizë psikiatrike për Dardan Krivaçën

Must Read


Gjykata Themelore e Ferizaj ka aprovuar kërkesën e avokatit të Dardan Krivaça, Admir Salihut që të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaça t’i bëhet ekspertiza psikiatrike.
Sipas urdhrit të Gjykatës, Instituti i Psikiatrisë Forenzike duket të hartojë ekspertizë mbi gjendjen psikike të të akuzuarit në kohën e kryerjes së veprës penale.
“Urdhërohet Instituti i Psikiatrisë Forenzike që të bëjnë ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit Dardan Krivaça për të dhënë mendimin lidhur me gjendjen psikike të të akuzuarit në kohën e kryerjes së veprës penale, a ka qenë në gjendje të paaftësisë mendore ose gjendjes së zvogëluar të aftësisë mendore” – tha gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi.
Gjyqtari urdhëroi të përcaktohet edhe ndikimi i kësaj sëmundje nga Instituti përgjegjës, nëse ekziston.
Duke iu referuar edhe kërkesës së mbrojtjes, Gjykata urdhëroi që të bëhet ekzaminimi nëse i akuzuari ka qenë nën ndikimin e narkotikëve në kohën e kryerjes së veprës.
Procedura gjyqësore është ende në dëgjimin e dëshmitarëve.
Sot, u dëgjua, Astrit Hoxha, mjeku i përgjithshëm i emergjencës primare në Ferizaj, i propozuar nga avokati mbrojtës i të akuzuarit Dardan Krivaça.
Mjeku Astrit Hoxha, deklaroi se ai e ka ekzaminuar të akuzuarin kur është mbajtur seanca për caktim të masës së paraburgimit dhe aty ka vërejtur gjendjen e tij të rënduar psikologjike.
“Unë e ceka që po, ka pasur gjendje të rënduar psikologjike, çka unë kam pa, unë vetëm kam dyshuar, të gjitha janë dyshime, asgjë nuk është vërtetuar, sepse për të konstatuar ishte dashur të bëhen analiza të tjera trupore, që të konstatohet arsyeja pse dhe a ka ndonjë lloj të substancave narkotike në organizëm” – tha mjeku Hoxha.
Në këtë rast, në cilësinë e dëshmitarit, deri më tani janë dëgjuar prindërit e Marigonës, mjeku kujdestar që kishte pranuar trupin e pajetë në emergjencën e spitalit dhe eksperti mjekoligjor që kishte bërë autopsinë.
Dëshmitarë tjetër që është dëgjuar, është edhe punëtori i kompanisë së kamerave të sigurisë që gjendeshin në banesën e të akuzuarit Krivaça.
Rasti që ka tronditur opinionin publik ka ndodhur më 22 gusht 2021.18-vjeçarja Marigona Osmani ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt.
Dosja e Prokurorisë
Në aktakuzën e Prokurorisë tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaça, ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhu nimi, e më pas vra sja e 18-vjeçares. Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.
“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale”, përshkruhet në aktakuzë.
“Policia ka marr DVR, e njëjta është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orë dhe atë nga data 19.08.2021 ora 00:05 deri më 23.08.2021 ora 00:18”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë, e cila detajon edhe kohën e saktë dhe veprimet e dy të pandehurve brenda banesës.
Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19 gusht 2021.
“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin”, shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Prokurori në aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar rasti i Marigona Osmanit.
“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë, 04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit, 13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57”, përshkruhet në aktakuzë.
Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë me datë 28.06.2022 ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut të dyshuar për vra sjen e Marigona Osmanit.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img