Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, ka thënë se disa deputetë të LDK-së janë bërë pjesë e pazareve me Vetëvendosjen dhe AAK-në për të rrëzuar pushtetin përmes kauzës trilluese të demarkacionit.
“Të tillët shpërndajnë mjegull e tym, sepse ju duhet ta vjedhin të vërtetën”, ka shkruar Gecaj, në një reagim të gjatë në Facebook.
Postimin e tij, mund ta lexoni të plotë më poshtë:
“DEKODUESIT” E MESAZHEVE AMERIKANE
Ajo çfarë kanë thënë institucionet e SHBA-ve, tash e sa kohë, rreth demarkacionit është e njohur dhe e qartë. Për këtë çështje nuk është lënë vend për keqinterpretime, keqkuptime, apo diçka të ngjashme.
Për këtë ishte sa konstruktiv aq edhe i qartë edhe Zëvendëspresidenti Biden në vizitën e tij të fundit në Kosovë. Ai thjeshtë rikonfirmoj atë që ishte e njohur mirë deri më tani.
Krejt kjo ishte po kështu e pa dilema dhe e njohur kaherë edhe sa i përket çështjes së Asociacionit. Atëherë prej nga paqartësia, prej nga dilema, prej nga interpretimet e çuditshme e të përçudnume? Shumë e thjeshtë. Prej atyre që nuk duan të kuptojnë, as edhe pas kësaj vizite, sepse ju del në shesh pakuptimsia e kauzës së tyre.
Prej atyre që nuk duan ta pranojnë të vërtetën sepse ju del në shesh e pavërteta e agjendës së tyre. Të tillët e dëshmuan edhe kësaj radhe se nuk janë stoik por kokëfortë, nuk janë të papërmbysur por janë bukpërmbysës. Ata shkuan edhe më larg, sepse me kauzën e padrejtë i dhanë vetes të drejtë me numrat e marrëzisë së tyre qëllimkeqe, t’i ‘dekodojnë’ mesazhet e SHBA-së në Kosovë.
Këta ‘dekodues’ të mesazheve amerikane, na tregojnë ditëve të fundit, se çfarë po mendojnë amerikanët për demarkacionin, për asociacionin, se cili qenka plani i tyre e të tjera të ngjashme. Thjeshtë të tillët shpërndajnë mjegull e tym, sepse ju duhet ta vjedhin të vërtetën.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qëndrimin e saj ndaj Republikës së Kosovës i njoh mirë, pasi që kam punuar në kapacitetin e një analisti politik në Ambasadën Amerikane në Prishtinë për katërmbëdhjetë vite me radhë.
Megjithatë, nuk e marre guximin si disa të (keq) interpretoj deklarimet e tyre, pasi që në atë mënyrë (keq) interpretoj deklarimet e superfuqisë së vetme botërore dhe të mikut të pakontestuar të popullit dhe shtetit të Kosovës.
Ajo të cilën gati e kam të pamundur ta kuptoj (edhe pse i njoh kalkulimet e tyre) është luajtja e “lojës së dreqit” nga disa përfaqësues të partisë të cilës i takoj. Ata harrojnë (apo dëshirojnë të harrojnë) se këtyre dy çështjeve u është dhënë dimension i ri me trillime të vjetra.
Ato janë sajesa të dala nga fabrikat opozitare, me logon VV (LAV), me të vetmin qëllim për të përmbysë pushtetin e partisë të cilës ata i takojnë. Sikur harrohet e gjithë ajo dhunë e ushtruar ndaj tyre për muaj të tërë. Mos të heqim nga mendja se, duke e mjegulluar çështjen e demarkacionit, kjo opozitë qëllimin e vetëm dhe përfundimtar e ka përmbysjen e pushtetit – mos lejoni të shndërrohemi në vegla të tyre nën petkun e patriotizmit patetik.
Mos të lejojmë pra të bijmë nën kthetrat e tyre, pasi që ata vetë kanë hyrë thellë në “lloçin e gjallë” nga i cili mendojnë se nuk kanë rrugëdalje, e për këtë mundohen të na përpijnë edhe ne së bashku me ta – sepse kështu vetëm dëmtojmë interesin e partisë dhe të shtetit”, ka shkruar ai.