Edhe Ferizaj që nga mëngjesi i sotëm janë solidarizuar që të ofrojnë ndihmë përmes grumbullimit të gjërave elementare si veshmbathje e batanije për tu dalë në ndihmë viktimave të prekur nga tërmeti në Shqipëri
Aksionet për grumbullimin e ndihmave për të dëmtuarit nga tërmeti i ditës së sotme në Shqipëri ka mobilizuar të gjithë qytetarët dhe subjektet politike në Ferizaj.
“Për vëllezërit tanë! Rinia Demokratike e Kosovës organizon grumbullim të ndihmave elementare (rroba/batanije etj) në zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës dega në Ferizaj. Me lutje në zemër veprojmë bashkë për vëllezërit tanë në Shqipëri
Nga ora 14:00, mirëpresim secilin prej jush në degën e Ferizajt dhe ju falënderojmë nga zemra për ndihmën tuaj “ thuhet në komunikatë
Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka grumbulluar një sasi të konsiderueshme të ndihmave të cilat do të nisen drejt Shqipërisë ditën e nesërme.
“Aktivistë e qytetarë që po bashkëndieni dhimbjen me viktimat e tërmetit.
Tërmeti i mbrëmshëm goditi jo vetëm Durrësin, Shqipërinë por edhe gjithë shqiptarinë.
Dëmet e shkaktuara janë të jashtëzakonshme, pasi përveç dëmeve materiale ka dhe viktima në njerëz.
Janë të shumta familjet pa kulm mbi kokë, që mbrëmjen do ta kalojnë në qiellin e hapur, në këtë acar nëntori.
Këto raste janë ato momente ku duhet të tregohemi të gatshëm të ndihmojmë në çfarëdo forme.
Dhimbjen për viktimat nuk mund t’ua largojmë, por që të mbijetuarit të mos kenë të ftohtë e uri mund të kontribuojmë.
Ndihma që mund të ofrojmë ne është jashtëzakonisht e nevojshme.
Andaj ju lus që të ndihmoni me veshje, artikuj ushqimor apo financiarisht. Kontingjenti i parë i artikujve, ndihmave do të niset nesër në ora 12:00” thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje, dega në Ferizaj.