28,04,2024

Gastronomët kundër masave të reja të Qeverisë

Must Read

Nga sot kanë hyrë në fuqi 29 masat e reja të miratuara nga Qeveria e Kosovës për mbrojtje nga pandemia COVID-19.

E me këto masa Qeveria ua ka ndaluar restoranteve dhe kafeterive funksionimin nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, përveç shërbimeve “Merr me vete“, transmeton Televizioni Tema.

Përfaqësuesi i  këtij sektori në Ferizaj, Agon Zhinipotoku,  thotë se  pronarë të gastronomisë janë lodhur nga masat të cilat po vendosen nga Qeveria e ku më i atakuari po është ky sektor.

“Është absurde që nëse deri në orën 21:00 ke të drejtë me dalë e me u shërby me cafe e ushqim atëherë pse jo edhe më gjatë, nuk mendoj që virusi nuk është prezent ditën dhe jo natën, është vendim i qeverisë, por ne deri tash kemi qenë të hendikepuar, na është ndaluar muzika nga ora 21:00 jemi pajtuar me këtë por tani kanë vendosur edhe masa shtesë. Na ka thënë që dy javë do të jetë ky vendim, kemi protestuar disa herë, kemi thyer pjatat, kemi dorëzuar çelësat dhe na është vazhduar për 1 orë, mandej pa muzikë që për neve nuk ia vleu me punu e tash edhe më hiç “, tha Zhinipotoku.

Kurse epidemiologët po i mirëpresin masat kufizuese që i ka vendosur qeveria.

“Qeveria e Kosovës në bazë të propozimit të IKSHPK-së duke  parë rrezikun që prapë po shkon në rritje numri i të infektuarve ka ndërmarrë masa më të rrepta në mbrojtje të popullatës duke bërë kufizim, por të gjitha kato masa janë shumë të mirëseardhura pasi unë shoh nëpër furra, në markete që shumë pak respektohen masat, e sidomos maska. Ne menjëherë i kemi harruar muajt e parë duke menduar që s’ka më virus”, tha Sylejman Topalli, epidemiolog.

Po ashtu, me masat e reja Qeveria e Kosovës ka vendosur që mësimi në nivelin e lartë arsimor të zhvillohet online, por jo edhe ai fillor dhe i mesëm duke ngjallur kështu reagime të shumta.

Epidemiologu në pension, Topalli sqaron pse ka mundur të vie deri te një vendim i tillë.

“Statistikat kanë treguar që nxënësit më pak infektohen dhe sigurisht qeveria e ka paraparë këtë situatë dhe normal vitet fillore janë më probem me zhvillu mësimin online dhe këto kanë mundur me qenë shkaku pse shkollat fillore dhe të mesme nuk janë mbyllur“,tha Topalli.

Ndër masat e tjera që Qeveria e Kosovës ka vendosur është ndalimi i grumbullimit të qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personash në sheshe publike, parqe dhe vende të tjera publike.  Personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna lirohen nga paraqitja në punë dhe punëdhënësit udhëzohen të krijojnë kushtet për angazhimin e tyre online nga shtëpia. Personave mbi moshën 65 vjeçare u lejohet dalja jashtë shtëpisë gjatë orarit 6:00- 10:00 dhe 16:00-19:00. Jashtë këtij orari kanë të drejtë të dalin vetëm për nevoja shëndetësore.

Këto vendime do të vlerësohet brenda dy javësh dhe varësisht nga situata epidemiologjike do të vlejnë deri në një vendim tjetër.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Dy të plagosur në Ferizaj pas të shtënave me armë

Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë në mesnatë. Rasti ka ndodhur në në...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img