05,05,2024

Fillojnë punimet për ndërtimin e rrugës Talinoc i Muhaxherëve – Bibaj në vlerë 1,3 milion €

Must Read

Kryetari Aliu dhe ministri Lekaj hapin punimet për ndërtimin e rrugës Talinoc i Muhaxherëve – Bibaj investim ky 1.3 milionë euro nga Ministria e Infrastrukturës

Territori i Ferizajt është shndërruar në një kantier ndërtimi ku po zhvillohen projekte të shumta infrastrukturore. Mbështetja e jashtëzakonshme si asnjëherë më parë nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, për projektet e Ferizajt po përkthehet me zhvillim të gjithmbarshëm të territorit të komunës sonë. Sot, nisën punimet edhe në njërin nga projektet më të rëndësishme e strategjike infrastrukturore. Fjala është për projektin e ndërtimit të rrugës R6-N6, përkatësisht rrugën që lidh fshatrat Talinoc i Muhaxherëve dhe Bibaj. 
Për të shënuar nisjen e këtyre punimeve, erdhi për vizitë në Ferizaj vet ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj shoqëruar edhe nga zëvendësministrat dhe bashkëpunëtorët e kësaj ministrie. Nikoqiri, i pari i Ferizajt, Agim Aliu në krye të fjalës së tij u shpreh falënderues për mbështetjen e pa rezervë në të gjitha projektet infrastrukturore që po jep ministri i Infrastrukturës për projektet e Ferizajt. Ai tutje tha se ministrin Lekaj do ta kemi edhe më shpesh në qytetin tonë, qytetin që është kthyer në qendër të punës së jashtëzakonshme në modernizimin dhe rregullimin e infrastrukturës rrugore.

“Ju e shihni që në fakt Ferizaj është në një kantier ndërtimi dhe gjithë kjo mbështetje e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës tregon më së miri se çfarë rëndësie ka Ferizaj, qytetarët e saj, komuniteti i biznesit për qeverinë, prandaj është edhe kjo mbështetje. Ky nuk është projekti i vetëm që do të fillojmë me ministrin Pal Lekaj, do të kemi edhe projekte tjera, pra zotin Lekaj do ta kemi sërish në Ferizaj edhe për të filluar projekte të reja por në të njëjtën kohë edhe për të vizituar projektet që janë duke u zhvilluar dhe të cilat projekte kanë një ritëm dhe dinamikë të lartë, pikërisht si rezultat i mbështetjes financiare të konsoliduar nga ana e zotit Lekaj, sepse edhe është vet zotim i zotit Lekaj në fillim të mandatit, se projektet që do të fillojnë në kohën e tij do të mundohen në afatet maksimale të përfundohen, pra të kenë mbështetje e duhur financiare. Edhe sot këtu jemi me një projekt që ka një kosto mbi 1.3 milionë euro dhe që ka një segment rrugor prej 2 kilometra e 150 metra si dhe disa rrugë që përfshihen në kuadër të këtij aksi rrugor që ka gjatësi prej 4 kilometrash, ku ka edhe kanalizim atmosferik, pra është me gjithë parametrat tjerë të ndërtimit të një rruge dhe më lejoni me këtë rast të uroj banorët e kësaj zone dhe qytetarët e Ferizajt për këtë projekt të ri si dhe për vazhdimësinë e projekteve të tjera dhe fillimin e projekteve të reja” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Në anën tjetër, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se Ferizaj me këto projekte po merr formën e një qendre me lëvizshmëri më të madhe dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht ministria që drejton janë të interesuar të zhvillojnë komunat, nga ku nis zhvillimi, duke investuar në këtë kuptim, në infrastrukturën rrugore.

“Në Ferizaj është një lëvizje për të ndryshuar pozitivisht e sidomos kur jemi në infrastrukturë që ne si Ministri e Infrastrukturës, si Qeveri e Kosovës, po i mbështesim komunat sepse ne mendojmë që gjithçka niset nga komuna, zhvillimi, qytetarët janë shumë më afër dhe kërkesat e tyre, nëpërmjet Kryetarit të Komunës që e falënderoj mikun tim, që është duke bërë kërkesa legjitime, që shkojnë në favor të zhvillimit të Ferizajt dhe në favor të qytetarëve. Prandaj, asnjëherë ne si Ministri e Infrastrukturës, nuk do të hezitojmë që të mbështesim këto projekte që ndërlidhen edhe me zhvillimin e bizneseve private me kyçje, edhe kjo do të jetë një kyçje në rrugën R6 që do të filloj pas negocimit që do ta bëjmë me Bechtel Enka-n dhe shpresoj se Ferizaj, po merr formën e një qendre ku do të jetë lëvizshmëria edhe e njerëzve por edhe e transportuesve shumë më tepër sesa ka qenë, prandaj ne jemi të vendosur që t’i zhvillojmë këto projekte. Edhe sot është një dëshmi e jona që jemi të përkushtuar që Ferizaj ta shohim më ndryshe në të gjitha lëmit por sidomos në infrastrukturë” tha ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Rinia e PDK-së me aksion simbolik: Qeveria Kurti po tenton ta përmbysë Ferizajn

Rinia Demokratike e Kosovës ka protestuar në Ferizaj, përmes një aksioni simbolik duke “peshkuar” në rrugën magjistrale, të përmbytur...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img