10,09,2025

Ferizaj shënoi 40 vjetorin e Demonstratave të 3 Prillit 1981

Must Read

Me homazhe tek varret e dëshmorëve Sherif Frangu, Rizah Matoshi dhe Afrim Abazi nisi sot manifestimi për shënimin e 40 vjetorit të Pranverës Shqiptare 1981, demonstratave gjithëpopullore që më 3 Prill të atij viti, kulmoi edhe në njërën nga vatrat e demonstratës, në Ferizaj.

Shënimi i këtij përvjetori vijoi me marshin në sheshin e qytetit dhe me vendosjen e buqetave të luleve tek pllakat përkujtimore dedikuar dëshmorëve Sherif Frangu, Rizah Matoshi dhe Afrim Abazi pranë Bibliotekës “Sadik Tafarshiku” por edhe në oborrin e Stacionit Policor në Ferizaj.

Në Akademinë dedikuar këtij përvjetori që u mbajt në Teatrin “Adriana”, me fjalë përshëndetëse të pranishmëve iu drejtua Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi e cila në emër të Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu që po qëndron në Tiranë në vizitë zyrtare, përshëndeti këtë ngjarje.

“Sot me marshin përkujtimor “Pranvera Shqiptare 1981-2021”, përkujtojmë Demonstratat e 3 Prillit të vitit 1981 në Ferizaj, demonstrata të cilat ishin vazhdimësi e lëvizjes çlirimtare të popullit shqiptarë që datojnë që nga Lidhja e Prizrenit. Këto demonstrata kishin përfshirë tërë Kosovën, vazhdimësi e demonstratave studentore të 11 marsit, e cila kulmoi me një organizim të një proteste me përmasa të mëdha, protestë e cila lëvizi themelet e Jugosllavisë së atëhershme, e që kjo ngjarje shënonte fillimin e fundit të okupimit të trojeve shqiptare ne ish-Jugosllavi, ngjarje që ka mbetur thellë në kujtesën historike të kombit shqiptar. Në këtë demonstratë të fuqishme krahas nxënësve, studentëve u bashkangjiten edhe punetorët, dhe në përleshje me forcat policore jugosllave ranë heroikisht dëshmorët, Rizah Matoshi dhe Sherif Frangu. Poashtu, pas një viti edhe dëshmori Afrim Abazi, nxënës i shkollës së mesme teknike u vra barbarisht, duke e hedhur nga kati i pestë i ndërtesës së shërbimit policor të atëhershëm jugosllav. Këto ngjarje ishin vazhdimësi e lëvizjeve për çlirim dhe vazhduan deri tek themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u rreshtuan shumë të rinj e të reja, për t’i dhënë fund robërimit, deri në çlirimin e vendit tonë ku shumë prej tyre ranë dëshmorë për të mos vdekur kurrë. Jeta dhe vepra e Rizah Matoshit, Afrim Abazit dhe Sherif Frangut dhe e gjithë dëshmorëve është heroike dhe meriton një nderim të përjetshëm sepse ata dhanë gjënë më të shtrenjtë e cila nuk matet me asgjë, dhanë jetën. Mungesa e tyre fizike krijon zbrazëtirë, mirëpo lavdi i madh i tyre është gjithmonë me ne. Tani edhe pse jemi të lirë, në rrugë të mirë në realizimin e shumë proceseve si shtet i pavarur, ne asnjëherë nuk i harrojmë Dëshmorët e Kombit dhe përkulemi para tyre” tha mes tjerash Kryesuesja Gashi Bytyçi.

Me fjalë rasti dhe evokim të kujtimeve, pas një dokumentari të shkurtër që u transmetua për Demonstratat e vitit 1981, të pranishmëve iu drejtuan edhe Hysen Matoshi, Bajram Kosumi, Imri Ilazi, Hajrullah Hasani ku edhe me performimin e oktetit dhe disa pika tjera muzikore, u mbyll kjo ngjarje dedikuar përvjetorit të 40-të të Demonstratave të 3 Prillit 1981 në Ferizaj.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Ferizaj me WiFi falas në shesh

Ferizaj po hyn në një etapë të re të digjitalizimit dhe modernizimit të hapësirave publike. Në ditët dhe javët...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img