Rritja e numrit të rasteve me COVID-19 në Ferizaj, ditëve të fundit, ka shtuar kërkesën për hapësira të reja spitalore me qëllim përballimin e fluksit të qytetarëve për trajtim shëndetësor.
Për këtë qëllim, i pari i Ferizajt, Agim Aliu në cilësinë e Kryetarit të Shtabit Emergjent Lokal, mblodhi drejtuesit e institucioneve shëndetësore, komunale e të sigurisë në Shtabin Emergjent Lokal.
Aktualisht në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, të hospitalizuar janë 64 pacientë, prej tyre 62 në oksigjeno-terapi. Duke parë këtë rrethanë dhe vlerësuar situatën, Shtabi Emergjent Lokal me propozimin e Kryetarit të Komunës, Agim Aliu mori vendim që:
1. Qendra e Mjekësisë Familjare në Neredime tash e tutje të shërbej si hapësirë spitalore për pacientët e infektuar dhe dyshuar me COVID-19, duke shtuar kapacitetin edhe të 50 shtretërve për trajtimin e pacientëve;
2. Shkolla e papërdorur në Lloshkobare të përgatitet si objekt rezervë për nevoja të hapësirave shëndetësore për trajtimin e pacientëve të infektuar apo dyshuar me COVID-19;
3. Në afat sa më të shpejt të përfundohen rregullimet në objektin e vjetër të QRShP-së për nevoja të Spitalit;
4. Pacientët që kanë marr deri më tani shërbimet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Neredime, njoftohen se shërbimin shëndetësor mund ta marrin në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj.
Këto masa e veprime, do të zbatohen paralelisht me ato të Qeverisë së Republikës së Kosovës në menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-19.
Kryetari i Komunës, Agim Aliu, me këtë rast bëri të ditur se Ferizaj ka krijuar tashmë hapësira të mjaftueshme për ballafaqimin e rasteve pozitive me virus. Po ashtu, edhe medikamentet, materialet e pajisjet mbrojtëse kemi siguruar mjaftueshëm për trajtimin e rasteve. Ai shtoi se në këtë mes, si Spitali ashtu edhe QKMF, që ka dhënë hapësirën e saj më të madhe në funksion të Spitalit, por edhe QRShP në Ferizaj janë një trup i vetëm në funksion të luftës ndaj virusit COVID-19.